Dy fjalë mbi librin “Dy dekada me shqiptarët e Francës” të autorit Abaz Pllana
Lyon, Mars 2015
Dr. Faik Qytyky
Në festën e tetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga Shoqëria Shqiptare “Iliria” e komunitetit shqiptar në Lion të Francës, patrioti dhe veprimtari i njohur i çështjes sonë kombëtare, Abaz Pllana, promovoi librin e tij të ri “Dy dekada me shqiptarët e Francës” .
Libri i zotit Abaz është një dëshmi autentike e përpjekjeve dhe sakrificave, e rolit që ka luajtur dhe kontributet që ka dhënë komuniteti i mërgimtarëve shqiptarë në Francë, i bashkuar fillimisht rreth Shoqërisë “Fan Noli” e më vonë asaj “Iliria”, në luftën e përbashkët të popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së saj, për mbrojtjen dhe propagandimin e çështjes sonë kombëtare, të gjuhës e të kulturës, të historisë e të traditave të pasura të popullit tonë të lashtë.
Me botimin e këtij libri, zoti Abaz ka nderuar veten dhe familjen e tij, ka nderuar secilin nga ne mërgimtarët, ka nderuar çdo shqiptar.
Për përgatitjen dhe botimin e kësaj vepre, autorit i është dashur të bëjë sakrifica të mëdha, të përballojë një punë mjaftë voluminoze disavjeçare, t’i përkushtohej asaj me këmbëngulje, dëshirë e pasion të admirueshëm.
Çdo faqe të librit e përshkon vërtetësia dhe orgjinaliteti në trajtimin dhe shtjellimin e problemeve, sinqeriteti, dashuria dhe respekti për shokët e bashkatdhetarët, fryma patriotike e humanitare, shqetësimi për fatet e Kosovës, të popullit e të kombit tonë, besimi i patundur në zgjidhjen e drejtë e të shpejtë të çështjes sonë kombëtare.
Libri “Dy dekada me shqiptarët e Francës” i zotit Abaz Pllana, ndonëse në të ka edhe copëza kujtimesh, ndjenjash e impresione personale të autorit, parë nga problemet që trajton dhe nga mënyra si paraqiten ato, përbën një botim me karakter të mirëfilltë historik. Me fakte e dokumente autentike autori shtjellon në mënyrë kronologjike historinë njëzetvjeçare, të jetës dhe veprimtarisë politike atdhetare, shoqërore e organizative, arsimore, kulturore e artistike e të tjera të komunitetit shqiptar të emigrantëve në Francë. Si i tillë ai ka vlera të shumta edukative e shkencore aktuale edhe për të ardhmen. Ai është një ndihmë e çmuar për të gjitha komunitetet e emigrantëve shqiptarë kudo ku jetojnë e punojnë.
Është vërtetuar shkencërisht se pakicat kombëtare, kur nuk keqpërdoren nga politika e politikanët, kanë qenë dhe janë ura lidhëse të miqësisë e të bashkëpunimit midis popujve. Ndërsa komunitetet e emigrantëve janë transmetues të fuqishëm të linjave të gjata, përçues të ndërsjelltë, të dyanshëm, të gjuhës e të kulturës, të miqësisë, vëllazërimit e qytetërimit, të vlerave dhe idealeve më të përparuara midis popujve e kombeve. Libri i zotit Abaz Pllana dëshmon më së miri dhe me një vërtetësi të pakontestueshme se sa me besnikëri, përkushtim e vendosmëri ka punuar, sa mund, përpjekje e sakrifica ka bërë komuniteti shqiptar në Francë për kryerjen e këtij misioni të tij. Ky realitet, si vërtetohet në çdo faqe të librit të zotit Abaz, shprehet në dy aspektet e tij kryesore. Me prezencën dhe me pjesëmarrjen aktive të personaliteteve të larta politike e shoqërore dhe figurave të shquara shkencore, artistike e kulturore si dhe e dhjetëra e qindra madje edhe mijëra qytetarëve francez si në veprimtarinë kulturore e artistike e shkencore ashtu edhe në ato politike në përkrahje e mbështetje të çështjes sonë kombëtare, të organizuara këto nga komuniteti shqiptar në Francë, nën drejtimin fillimisht të Shoqërisë “Fan Noli” e më pas të asaj “Iliria”.
Nga ana tjetër komuniteti shqiptar në Francë ka dhënë dhe jep një kontribut të vyer me pjesëmarrjen e gjerë dhe aktive të tij në veprimtaritë dhe jetën politike, social-kulturore dhe ekonomike të shoqërisë franceze, në pasurimin e saj me prurje të reja origjinale nga gjuha, kultura e traditat shqiptare, çka dëshmon se për integrimin e tyre me dinjitet (jo asimilimin) në shoqëri franceze ku ata jetojnë e punojnë ashtu edhe për ruajtjen e identitietit të tyre të të qenurit shqiptar.
Ne jemi bashkëkohës të ngjarjeve që pasqyrohen në librin e zotit Abaz. Kush më shumë e kush më pak, në një formë a një tjetër jemi aktorë të tyre dhe e gjejmë veten midis faqeve dhe rreshtave të këtij libri. Kjo mund të ndikojë e të na shtyjë që çështje të trajtuara në librin e zotit Abaz të na duken si të njohura dhe mund të mos i konceptojmë sa e si duhet vlerat e saj historike, vlera që sa më shumë vite të kalojnë aq më të mëdha e të çmuara bëhen. Për brezat e ardhshëm ato do të jenë xhevahirë.
Albanologët shqiptarë bëjnë sakrifica të mëdha duke rrëmuar si urithi nëpër arkivat e bibliotekat e botës për të gjetur thërrime e grimca dokumentesh, fjalësh apo frazash, mbi veprimtarinë patriotike, kulturore, arsimore e të tjera në shërbim të çështjes kombëtare të mërgimtarëve shqiptarë, të shoqërive apo klubeve të tyre të dekadave e shekujve të kaluar. Zoti Abaz me veprën e tij ua jep atë studiuesve dhe historianëve të ardhshëm të gatshme, të gjallë, me vërtetësi e dokumente autentike.
Dëshiroj të nënvizoj gjithashtu se nga përmbajtja dhe problemet e trajtuara në këtë vepër buron një mesazh sa i rëndësishëm aq edhe gjithnjë aktual : Komunitetet e emigrantëve shqiptarë apo diaspora siç emërtohet shpesh, mund ta kryejnë me sukses misionin e tyre vetëm nëse këto komunitetete veprojnë të bashkuar e të organizuar në shoqërira, shoqata apo klube që për flamur të tyre kanë vetëm idealin kombëtar, idealin e lirisë e të vëllazërisë midis popujve, idealin e paqes e demokracisë, larg ndikimeve ideologjike, fetare, krahinore e patriotike.
Duke e falenderuar dhe përgëzuar autorin, zotin Abaz Pllana, për veprën sa interesante aq edhe të çmuar që na ka sjellë, i uroj atij suksese të mëtejshme, mirëseardhje me botime të reja.