Dy fjalë për biografin Ardi Veliu
Dy fjalë për biografin Ardi Veliu
– 30/05/20
” …Ka raportime se Ardi Veliu, në vitet 2002-2003, kur shërbente si shef në Vlorë, ishte implikuar në veprimtari të paligjshme, në trafikim qëniesh njerëzore dhe në falsifikim pasaportash. Këtë karakteristikë të Veliut e bën një institucion ligjzbatues, që është pjesë e vettingut në polici…” …
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ende nuk ka dhënë dorëheqjen. U bënë 24 orë që qendron në detyrë, edhe pse ka konsumuar një prej akteve që provokoi revoltë të skajshme në publik.
Ardi Veliu, kryepolici i vendit, aty ku qytetarët kanë vaur shpresat dhe besimin për siguri dhe mbrojtje të rendit, të qetësisë, edhe të dinjitetit kur dikush ua cënon, doli dje faqe krejt botës dhe nëpërkëmbi një grua, një familjare, një mama, duke përdorur një postim privat në rrjetin social, si argument për të justifikuar dhunën e policisë ndaj djalit të saj 15 vjecar.
Nuk ke nga e nis trajtimin dhe analizimin e kesaj sjellje neveritëse.
E para Drejtori i Policisë gërmon në jetën dhe hapësirën private të një qytetareje, të një gruaje.
Përdor në publik dhe jashtë kontekstit një video që ajo ka hedhur aty.
Del se videoja është pjesë e xhirimit të një filmi. Dhe, sipas llogjikës gjeniale të Ardi Veliut, 15 vjeçari që u rrah keqazi nga një togë policore pranë liqenit vetëm pse po shëtiste me biçikletë pak përtej orarit të përcaktuar nga qeveria, e ka merituar drurin, pasi nuk është edukuar si duhet nga familja e tij.
Në qoftë kështu, a nuk është ky një argument që policia të tregojë edhe më shumë kujdes e ndjeshmëri ndaj një adoleshenti në këto rrethana. Një tjetër mesazh brilant i i Ardi Veliut, kryepolicit të Edi Ramës është ky; kujdes me postimet që bëni në FB në llogarinë personale, se ato do të përdoren nesër kundër jush nga Policia e Shtetit.
Ky kryepolic që bën biografinë e një gruaje në publik dhe i gjen asaj njolla, kurajo të madhe duhet të ketë, pasi pak muaj më parë kur ai e kaloi vettingun, shkresat zyrtare që u morën në shqyrtim, dëshmuan tekstualisht: Ka raportime se Ardi Veliu, në vitet 2002-2003, kur shërbente si shef në Vlorë, ishte implikuar në veprimtari të paligjshme, në trafikim qëniesh njerëzore dhe në falsifikim pasaportash. Këtë karakteristikë të Veliut e bën një institucion ligjzbatues, që është pjesë e vettingut në polici. Ky tip pra, ka kurajon ti bëjë biografinë një gruaje, një nëne, një qytetareje të pafajshme, të paakuzuar apo proceduar deri tani, për ndonjë shkelje ligji.
Kur themi Ardi Veliu nuk ka dhënë ende dorëheqjen, ky është një supozim i dëshpëruar. Nisur nga skandali i madh që kreu në publik me duart e veta dhe duke parë reaksionin e madh që krijoi. Sepse, gjithkush e di, se ai meriton të shkarkohet në fakt, por kjo ska për të ndodhur. Nuk ka si të ndodhë, derisa ai kaloi vettingun, edhe pse kishte në biografi, raportime për trafiqe të rënda. Çdokush tjetër do kishte fluturuar nga detyra me këto të dhëna, siç ikën dhjetra gjyqtarë dhe prokurorë. Po, ai është i besuari i Ramës, dhe si i tillë kaloi vettingun, e do ta kalojë edhe këtë skandal. Ligji dhe morali nuk janë njësoj për të gjithë në këtë vend. Ka një ligj dhe një moral tjetër, ekstra, për njerëzit e kryeministrit.
Gazeta Mapo