Vepra “Rrugët e Jetës”(Dy Rruget)  e Kol Idromenos(1896)  ka  në përmbajtje të saj marrëdhënien e njerëzve me moralin shoqëror dhe besimin fetar. Në këtë kompozim figural nuk shohim ndonjë frymë mistike, sepse perceptimi artistik është bazuar mbi veprimtarinë komplekse të njeriut në aktivitetin e zakonshëm ditor. Nga mënyra e konceptimit dhe përmbajtjes së saj, vepra të krijon ndjesinë si një zgjatim logjik i artit popullor,pavarësisht tematikës thellësisht fetare: Njerëz që kryejnë  veprimtari të ndryshme, ndajnë rrugët e jetës, ferrin dhe parajsën. Në këto grupime shprehen aspekte gjykimi për mëkatet dhe mirësinë që kanë kryer personazhet gjatë veprimtarisë tyre familjare shoqërore.


Janë interesante skema të tilla, si: argëtim me aheng, me gjah, duke kalëruar, duke kryer grabitje apo duke bërë lojëra të ndryshme etj. Janë plot 210 figurat që trajtohen dhe përshkruhen me vërtetësi kaligrafike, pasi shumica mbajnë veshje tradicionale popullore të Shkodrës dhe zonës përreth.

“Rrugët e jetës” është një vepër me tematikë mitologjike, me përmasa të mëdha ku përshkruhen me vërtetësi etnografike skema të ndryshme nga veprimtaria ditore e njerëzve të shtresave shoqërore të ndryshme. Sipas shkrimeve dhe mësimeve të Biblës, veprimtaria njerëzore është e gjykueshme prandaj ajo duhet të udhëhiqet nga dashuria dhe mirësia. Njeriu merr rrugën e përcaktuar nga fati në bazë të veprimeve qe ka kryer në jetë. Pikërisht këto ide pasqyrohen në ketë vepër me rëndësi fetare dhe folklorike. Përmes tregimit dhe alegorisë piktori analizon veprimtarinë e përditshme të grupeve shoqërore ku rëndësi merr prezantimi i veshjeve te tyre tradicionale. Kjo përcakton nivelet klasore të shoqërisë dhe veset e tyre.

Për mënyrën e jetës që bëjnë njerëzit  për mëkatet dhe te mirat, janë caktuar dy rrugë, Parajsa dhe Ferri; këtë përpiqet të tregojë kjo vepër. Ndërkohë që është përcaktuar masa e njerëzve që kanë marrë destinacionet e tyre, në sajë veprimtarisë njerëzore dhe shoqërore, duke kaluar në rrugët që kanë merituar, Parajsa, për të gjithë ata, me sjellje dhe moral të lartë njerëzor,familjar dhe shoqëror; ndërsa ferri, i gatshëm të presë të gjithë ata që kanë vese të këqija,të dëmshme dhe me mungesë morali njerëzor. Në ferr pasqyrohen  ngjarje të jetës tokësore, të mbushura plot me vese të këqija. Ndërsa në parajsë ka vend vetëm për njerëzit me virtyte morale,që kryejnë veprimtari normale njerëzore. Kjo vepër është interesante se ka arritur të përshkruajë me hollësi dhe të diferencojë grupime të përcaktuara me veprime dhe gjeste që dënohen nga morali shoqëror, besimi dhe feja. Në vepër gjejmë përshkrime ngjarjesh, momente te veçanta nga veprimtaria shoqërore.

Por me rëndësi është përshkrimi real dhe i hollësishëm i veshjeve tradicionale të qytetarëve katolikë të Shkodrës. Nisur nga një tematikë dhe subjekt fetar, artisti i referohet artit popullor si një perceptim real i vlerave. Në këtë vepër, ndër të tjera, dallon dhe një skemë gazmore shumë interesante “Aheng Shkodran”. Vepra është e mbushur me skema folklorike dhe grupime të kompozuar me një fantazi të madhe. Vepra të tilla marrin përfytyrime të veçanta folklorike poetike. Në mënyrë të veçantë mund të dallojmë përshkrimet e tipave shumë te pasur dhe me karaktere të ndryshëm. Vepra ka marre vlera te mëdha etnografike sepse personazhet, janë veshur me kostume tradicionale. Përveç figurave të muzikantëve ku gjejmë edhe vetë portretin e artistit, të tjerët janë duke kënduar e gëzuar, në mënyrë origjinale. Mes kësaj atmosfere gëzimi, spikasin dhe figurat e shëmtuara të dy djajve, që janë pikturuar me një fantazi të veçantë e të çuditshme.

Nga mënyra se si veprojnë djajtë, duket sikur kanë ndikuar,për ti tërhequr në rrugë të “keqe”.  Kjo skemë ka përshkrime figurash me lëvizje interesante, të pikturuara me hollësi dhe korrektesë etnografike, veshjet e qytetarisë së Shkodrës. Njerëzit në kokë mbajnë, fes të kuq me xhufke qe i varet mbrapa, (element me influence turke). Këmisha të bardha, jelekë të kuq me ornamentike të pasur, qëndisur me gajtan me ngjyrë të zezë, brez ku dominon ngjyra e kuqe. Të gjithë kanë benevrekë të errët. Kjo është përgjithësisht atmosfera që buron nga kostumografia që është padyshim veshje e shtresës së thjeshtë qytetare. Një moment tjetër në këtë tablo janë dy kalorësit e pasur, të veshur me kostum tradicional. Ata udhëtojnë të qetë mbi kuaj. Mbrapa u shkon një fshatar, që me sa duket është një nga shërbëtorët e tyre. Ai dallon se ka një veshje tjetër, që përdoren në fshatrat e zonës, apo nga njerëz të shtresës të ulët shoqërore.

Ndërsa kalorësit kanë veshje qytetare me fes të kuq, me jelek, brezorja me ornamente,ku duken pisqollat. Benevrekë të errët, me këmbore të bardhë dhe këpucë të zeza. Kjo ka plotësuar në këtë mënyrë kostumin tradicional që përdoret nga qytetarë të pasur dhe fisnike të Shkodrës. Ndërsa fshatari në kokë ka qeleshe të bardhë, këmishë të bardhë, jelek të errët me mëngë të shkurtra, me tirqet e bardha prej shajaku, me ornamente në formë azhuri te zi, qe ndjek formën anash deri poshtë, afër opingave. Në krahë ka hedhur një pushkë. Është e dukshme që K.Idromeno, ka një opsesion pozitiv dhe lidhje të pandarë vlerësimi dhe bashkëpunimi me folklorin dhe etnografinë. Madje, ky artist ka influencuar edhe te piktorë të tjerë, që të ndërtonin një lidhje emocionale dhe të veçantë ndaj motiveve folklorike dhe elementeve etnografike.

Botuar tek: Shqiptarja.Com, pa autor, me dt.24.08.2013.