“Dy rrugët e Jetës”, e Idromenos është një model etikisht i qartë per kohen e krijimit.
Nga Besi BEKTESHI.- Kryevepra në pikturë e autorit më të shquar shqiptar të rilindjes tonë Kombëtare dhe Kulturore në rradhë të parë, është më e pavlerësuara realisht për kontributin e saj moral dhe etik, të paraqitur në një vepër madhore që është 198 cm me 174 cm sipërfaqe. Një kryevepër sikundër thashë etike, dhe pse shumë kush sidomos në diktaturë, e defininonin religjionare ose më mirë “anti religjionare” me botëkuptimin retro – bolshevik dhe rural të kohës. Është pra “Dy rrugët e jetës” ose “Parajsa dhe Ferri” së bashku me disa porosi të tjera të klerit katolik, që janë bërë rreth vitit 1891, dhe punët janë përfunduar nga viti 1894, por “Dy rrugët” kanë filluar në vitin 1892 dhe kanë përfunduar aty nga vjeshta e vitit 1894, duke u ripunuar disa herë nga autori. Konsulli francez Degrande, flet jo shumë gjatë për këtë kryevepër dhe Idromeno, ose djali nga Parga si origjinë të vjetër arbëreshe, dhe nga Hidro si ishull, kishte marrëdhënie të mira ato kohë edhe si piktor dhe si fotograf, me pjesën diplomatike të konsullatave të shumta në Shkodër.
Nga Parga si origjinë, ai i bie të jetë nga Çamëria, një orthodoks shqiptar, dhe një arberësh si origjinë, i takon nga ishulli Hidro, por si një shkodran i mirë është në lindjen e tij, origjinën e nënës Roza Saraçi, dhe aktiviteti i tij si piktor, fotograf, arkitekt, urbanist, skenograf, muzikant dhe kompozitor, akoma jo kaq mirë i letrarizuar dhe respektuar në historiografinë shqiptare. Ka qenë dhe shfaqësi i pari i filmit në trevat shqiptare, një kolos i tillë shkodran. Po, dhe vazhdon sipas meje i parespektuar si patriot dhe njeri përparimtar, por dhe modern. Ai pa dyshim, është një Leonardo da Vinçi shqiptar në përmasa dhe aktivitet për dallimin e madh që kishte me realitetin. Por nuk është ky qëllimi i shkrimit. Unë kam fatin të kem ekspozuar për herë të parë në mënyrë dinjitoze, mbas viteve 1990-të, kryeveprën etike dhe morale “Dy rrugët e Jetës”. Duke qenë përgjegjësi i Pinakotekës apo pavionit “Rilindja Kulturore Qytetare Shkodrane”, kam marrë iniciativën e një demonstrimi dinjitoz i një vepre të tillë, e cila për nga përmasat dhe ngjarjet në të dhe në lidhje me të, është madhështore. Kjo kryevepër dikur u demostrua në mënyrë jo kaq shumë të zgjuar nga regjimi komunist, në ish muzeun famëkeq “Ateist” dhe normalisht, kush kishte sadopak njohuri për artin, e merrte vesh se po bëhej një “autogol”.
Por kryevepra është një moment guximi rilindas dhe qytetar, i të madhit Idromeno dhe ka shumë skena aty që e vërtetojnë këtë. Deri tani, këtë kryevepër e kanë parë me kureshtje të madhe, dhjetra studiues arti, qytetarë, politikanë, ambasadorë, të huaj të shumtë, dhe impresionet e tyre janë të jashtëzakonshme. Por kush është ky guxim në një analizë të shpejtë në skenat e shumta që ka kryevepra? Në fillim duhet parë pak konteksti i kohës. Ishte momenti më i keq i perandorisë Osmane, e Shkodra megjithëse qytet i madh dhe më i kulturuari, ishte tashmë jo mirë i administruar, ishte retro qytetare në përgjithësi, rilindja kombëtare dhe Lidhja e Prizrenit po bënin punën e tyre, sepse ishte dhe dega e fuqishme e Shkodrës, ishin po ashtu në kulm lëvizjet pro europianiste që po zhvilloheshin shumë dhe përfundimisht mendja e një piktori dhe artisti, shkonte akoma më përpara dhe shprehej haptas në pikërisht art dhe normalisht pikturë. E në fakt, kjo pikturë e madhe, shprehet po kështu, duke u arratisur në imagjinatë dhe duke treguar ashpër realitetin e atëhershëm. Kryevepra ka gjashtë skena masive dhe njëzet skena më me pak njerëz, por që në fakt janë skena të vërteta teatrore, në pikërisht teatrin e jetës kryesisht në Shkodër.
Kush është guximi i vërtetë? E para, natyra është ajo e Shkodrës afër kalasë “Rozafat”. Janë po ato gurë dhe poshtë po ato pemë dhe lëndina, po ajo natyrë. Ferri deri afër djegies së madhe, është një rrugë e “bukur” dhe për këtë shumica e njerëzve drejtohen për aty, dhe jo në portën e purgatorit e cila është e vogël, në krahasim me portën e ferrit që është gjigante dhe tipizuese si diçka turke. Një natyrë e tillë ishte thjesht për kohën një provokacion i qartë. Për këtë i është bërë vërejtje ato kohë nga autoritete që e kanë parë përpara demostrimit, sepse po ju prishte shumë punë me njerëzit e lartë të administratës otomane. Fakti Shkodër, fakti portë turke dhe disa flamuj ashtu kot si të kuq në ferr, bukuri natyrore e rrugës së ferrit etj., etj. Një nga guximet e mëdha të një rilindasi të vërtetë, Idromeno te “Dy Rrugët” ka “rrugën e shkurtë” që lidh purgatorin me ferrin, ose më mirë rrugën për në parajsë me rrugën për në ferr. Këtu ka pasur shumë e shumë vërejtje të mëdha, edhe nga njerëzit që do të vlerësonin etikisht, moralisht dhe religjionarisht veprën. Sidomos nga ana religjionare! Po, është një fshatar pikërisht aty, që ka bërë gjysmën e rrugës për në parajsë, që mashtrohet prej një dreqi-djalli, dhe pret-ecën shkurt, nga parajsa për në ferr, pa kaluar mbrapsht purgatorin! Ishte e jashtëzakonshme për kohën. Kishte një rrugë të shkurtë, që mund të lidhte parajsën me ferrin dhe që e ruanin djajtë! Një guxim i madh Idromenian!
Guximi tjetër i madh dhe me vërejtje të mëdha për kohën, është dhe momenti i engjëjve të tablosë. E dimë se engjëjt nuk kanë gjini, por Idromeno në disa raste, i bën disi femra dhe të veshura të tilla, duke mbajtur shënim dhe normalisht në atë kohë ju krijuan dhe probleme. Në një rast një prelat i rëndësishëm në Shkodër i thotë, “ti mor djalë me ato shpatulla jashtë këtij engjëlli, çfarë kërkon të tregosh” dhe Idromeno sipas një konsulli prezent aty i është përgjigjur se “asgjë përveç bukurisë engjëllore” dhe në fakt të gjithë kanë qeshur disi me zor.
Kritika e realitetit të atëhershëm është si guxim, dhe te skena e gjaksorëve dhe vrasësve, por më e qartësuar guximi është te kritika ndaj vetes dhe njerzve të artit dhe muzikës apo ahengxhinjve. I ka vendosur me fytyra të njohura qytetare përveç të vetes në qendër, po, janë shumë miq të tij, të cilët në skenë po habisin dhe djajtë. Biles, njëri prej tyre i bën thirrje reale dhe të drejtpërdrejtë dhe një miku të tij, që po shkon për në parajsë. Ka qenë e padurueshme për kohën një thirrje e tillë kaq “heretike”, e cila nuk është ndryshuar as në vitin 1894, edhe pse i kanë thënë se “me këtë gjë, vepra nuk mund të paraqitet”. Idromeno, një konsull dhe një konsulleshë i ka çuar rrugës për në ferr, megjithëse nuk i bën të kalojnë portën e ferrit, por nga fytyrat e mirë detajuara, të gjithë kanë kuptuar se kush ishin në fakt. Ishte një përgjigje e Idromenos, për një lloj qëndrimi aspak realist të tyre, ndaj gjendjes së rëndë të lejuar dhe nga disa përfaqësi, por dhe veprimtari të tyre ndaj vendit dhe sidomos trojeve shqiptare. Skena të tjera të guximit etik dhe pa dyshim moral, janë skena e “dembelëve”, “pijanecëve”, “kapadainjve”, “Dy kalorësve” dhe “Mbretit që i lan këmbët një të varfëri”. Por dhe me kafshët, Idromeno është treguar realist dhe moralisht një person guximtar. Padyshim që kuajt dhe dhëntë si grigjë, por dhe qenin, Idromeno i vendos në rrugën e parajsës. Kurse zagarët dhe bagëtinë e klasifikuar të tillë në rrugën e ferrit.
Pse është një vepër etike pikërisht “Dy rrugët”? Në fakt, nuk kanë dashur ta trajtojnë si të tillë, dhe guximi i madh është “përjashtuar etikisht” dikur, dhe përdorur me qëllim të keq nën diktaturë. Por etika në fakt, është si klasifikim nga greqishtja e vjetër si “Ethos” ose karakter, sjellje, kostum, mënyrë veprimi dhe sjellje në lëmin e filozofisë. Në këtë gjë, Idromeno ishte i pari dhe më i madhi ndër rilindasit tonë që ishin artistë ( shumë të pakët) dhe sidomos në pikturë që mungonin fare. Në këtë mes, unë vazhdoj të them se kryevepra “Dy rrugët e Jetës”, është një model etikisht i qartë dhe tepër i mirë saktësuar së paku sot, në një kohë as paragjykimesh dhe sidomos jo presioni direkt. Moralisht kjo vepër tregon veset dhe vetitë morale të mira, të ndara në dy rrugë. Ishte moment i jashtëzakonshëm dhe padyshim rilindas në atë kohë, dhe ku më mirë se në qytetin më të madh urban dhe kulturor që kishin trevat shqiptare dhe për shumë kohë, dhe që ishte pikërisht Shkodra. Kultura normalisht perëndimore si art, dhe realiteti oriental si jetë, e bënë një nga sistemet e jashtëzakonshme të interpretimit të kohës këtë gjeni të artit shkodran si Idromeno. Kol Idromeno, ishte pikërisht maja e lartësisë të madhe kulturore të Shkodrës, nga vitet 1880-të dhe deri në vitin 1939 kur vdiq.