Dy vëllezërit Sina i presin rrugën prokurorit të SPAK-ut. – Po hetonte atentatin e dështuar në Elbasan
27 Shkurt 2023
Atentati i dështuar ndaj një prej të fortëve të Elbasanit, Elton Kila (Oti i Kilës), ka sjellë një kërcënim të paprecedentë të një prej prokurorëve të SPAK-ut, Behar Dibra. Raportohet se prokurori i Prokurorisë së Posaçme ndodhej në Elbasan për hetimin e ngjarjes, bashkë me një oficer të BKH-së dhe me shoferin e tyre.
Në momentin kur ata kanë qenë duke u larguar nga Elbasani, një makinë tjetër i i ka prerë rrugën automjetit të tyre tip Honda. Raportohet se në këtë automjet ndodheshin vëllezërit Orges dhe Emirjan Sina, 24 dhe 27 vjeç. Në momentin kur vëllezërit i kanë prerë rrugën makinës ku ndodhej Dibra, ky i fundit dhe pasagjeri tjetër kanë nisur ta fotografojnë dhe t’i bëjnë video.
Më pas dy vëllezërit i janë afruar makinës së Dibrës, duke i kërkuar llogari përse ishin duke i filmuar. Në këtë moment, një prej vëllezërve ka nxjerrë një dokument, që tregonte se ishte pjesë e Policisë së Shtetit. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Dibra duke nxjerrë dokumentin e SPAK-ut.
Pavarësisht kësaj, tensioni ka vazhduar deri në tentativë për tu përplasur fizikisht. Nga verifikimi ka rezultuar se dokumenti i Policisë ka qenë fals. Policia e Shtetit është duke i kërkuar Orges dhe Emirjan Sinën, të cilët kanë thyer edhe një postbllok të ngritur në Durrës për arrestimin e tyre.
Gazeta Shqip