
Dyshime se kanë stisur sulmin me tritol ku pati nje te vdekur, SPAK kontroll shtëpisë së dy motrave Nikolli në Elbasan
28 Mars 2025
Oficerë të BKH-së, kanë kryer një kontroll “blic” në një apartament në Elbasan, i cili kohë më parë ishte marrë me qera nga motrat, Alda dhe Xhovana Nikolli.
Apartamenti mësohet të jetë kontrolluar në prani të pronarit, ndërsa nuk dihet me saktësie se çfarë është gjendur në banesë. Vetëm motrat mësohet se aktualisht jetojnë në Lezhë dhe jashtë shtetit.
Kontrolli është kryer me shpresën e kapjes së provave, që mund të implikojnë motrat Nikolli në këtë ngjarje, pasi SPAK ka të dhëna se ngjarja është e montuar.
Pikërisht në këtë apartament në 13 korrik 2024 shpërtheu një sasi tritoli, duke plagosur rëndë dhe më pas gjeti vdekjen i riu, Enea Thomarai, i cili ishte banor në apartamentin përballë ku u vendos tritoli.
Kjo ngjarje tronditi opinionin publik për shkak se i riu që humbi jetën në këtë atentat me tritol, nuk kishte të bënte fare me konfliktin që kishte lindur në rrjetin “Tik-Tok” mes dy motrave Nikolli dhe një vrasësi me pagesë Nuredin Dumani alias “Luli”.
Motrat Nikolli, denoncuan në SPAK Nuredin Dumanin për kërcënime të vazhdueshme për jetën që vinin prej tij nga ambientet e burgut Nr. 313 në Tiranë, duke dorëzuar dhe prova konkrete si komunikime dhe filmime, që tregonin se nga qelia Dumani kishte akses të plotë në rrjetet sociale, interneti, TV etj.
Por prokuroria e posaçme SPAK, nuk mori masa për të ndërhyrë dhe hetuar, duke injoruar denoncimin e dy motrave Nikolli.
Dhe pak ditë pas kësaj, nga një person me biçikletë motrave Nikolli në Elbasan i vendoset një sasi tritoli në apartamentin e marrë me qera prej tyre, duke shkaktuar jo vetëm dëme të konsiderueshme por dhe marrjen e një jete të pafajshme siç ishte Enea Thomollari.
Vetëm pasi në Elbasan, shpërtheu tritoli dhe ngjarja u bë mediatike, SPAK ndërhyri në mënyrë të menjëhershme në Drejtorinë e Policisë dhe prokurorinë e Elbasanit, duke i kujtuar këtyre dy institucioneve lokale, se tashmë këtë ngjarje dhe konfliktin e lindur mes dy motrave Nikolli dhe Nuredin Dumanit, do e hetonin prokurorët e SPAK.
Dosja u tërhoq me shumë urgjencë nga Elbasani në SPAK, duke u bashkuar në një çështje të vetme me atë që quhet dosja Nr. 75 ose siç njihet ndryshe gjerësisht “Plumbi i artë”, ku nën hetim dhe gjykim janë disa nga e njohur të botës së krimit në Shqipëri, përfshirë dhe Nuredin Dumanin.
Por sot pas 8 muaj hetime për këtë ngjarje, SPAK ende nuk ka dalë me një konkluzion përfundimtar, se kush është identiteti i personit që shfaqet me biçikletë dhe që dyshohet shumë se ka vënë tritolin në apartamentin ku banonin motrat Nikolli.
Hetimet vijojnë nga ana e SPAK, megjithëse pamjet filmike në dosjen e administruar nga prokuroria, janë të qarta.
Nga Elton Qyno