Dyshimet për variantin e ri, mbushen spitalet Covid! Nuk ulet numri i infektimeve të reja.

1 shkurt  2021

BESARTA BASHA/ Nuk zbret numri i rasteve të reja me Covid19. Pavarësisht tamponëve ditorë, prej një jave, çdo ditë zbulohen rreth 900 të infektuar. Fatalitetet e regjistruara dje janë me numra dyshifrorë, ndërsa situata në spitale po përkeqësohet nga dita në ditë.

Dje pati një kërcitje shifrash. Nga 287 pacientë numri i hospitalizimeve shkoi në 343. Agresiviteti i shtuar bashkë me transmetueshmërinë forcojnë dyshimet për depërtimin e variantit të ri të Covid-19 edhe në vendin tonë, njëjtë si fqinjët. Deri më tani zyrtarët janë mjaftuar me deklarata evazive që flasin për një lloj të ri koronavirusi, origjina e të cilit nuk përcaktohet dot. Sidoqoftë, do të duhet kohë në identifikimin dhe konfirmimin e tyre, pasi mostrat dërgohen jashtë vendit për shkak se laboratorët tanë nuk e kryejnë dot. Deri atëherë autoritetet lusin qytetarët të mos ulin vigjilencën dhe masat mbrojtëse.

BILANCI DITOR

876 qytetarë u konfirmuan dje me Covid-19, 1/3 e të cilëve në kryeqytet dhe pjesa tjetër e shpërndarë thuajse në çdo qytet të vendit ku ka shpërthyer virusi e po transmetohet me ritme të shpejta. “Janë kryer 3144 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 876 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 290 raste në Tiranë, 61 raste në Lushnjë, 50 raste në Vlorë, 47 raste në Fier, 43 raste në Durrës, 33 raste në Elbasan, 26 raste në Sarande, 21 raste në Kukës, 19 raste në Shkodër, Lezhë, Kavajë, 17 raste në Berat dhe Delvinë, 15 raste në Krujë, Korçë, Kamzë, 13 raste në Gjirokastër dhe Kurbin, 10 raste në Mallakastër, Gramsh, Mat, 7 raste në Librazhd, 6 raste në Tepelenë, Dibër, Himarë, Shijak, Kuçovë, 5 raste në Tropojë, Përrenjas, Peqin, Patos, 4 raste në Devoll, Rrogozhinë, Pogradec, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Divjakë, Fushë-Arrëz, Cërrik, 3 raste në Mirditë, Has, Memaliaj, Poliçan, 2 raste në Malësi e Madhe, Roskovec, Skrapar, Libohovë, Konispol, 1 rast në Vorë, Maliq”. Nga ana tjetër, numri i atyre që ia hedhin virusit vijon të mbetet në ritme të qëndrueshme, rreth 500 qytetarë çdo ditë, që përkon me ciklin e hamendësuar 2-javor të shërimit.

HOSPITALIZIMET

Pas thuajse një muaji pune më kapacitet të përgjysmuar, situata në spitalet Covid ka marrë kthesë. Përpos fataliteteve që lanë shtratin e spitalit, dhjetëra të tjerë janë shtruar ditën e djeshme. Pas një periudhe të gjatë, në katër spitalet Covid ka mbi 300 pacientë, numër ky që vetëm tanimë po i përgjigjet rritjes së shpejtë të infektimeve të periudhës pas festave. “Aktualisht në 4 spitalet COVID po trajtohen 343 pacientë, 19 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë së datës 31 janar, e cila vetëm një ditë më parë numëronte 287 pacientë në spitale. Të shumta në numër janë edhe viktimat për shkak të Covid-19, qe dje nuk kurseu as të rinj. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 11 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19 në spitalet COVID. 3 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Kurbini, 1 qytetar nga Bulqiza, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Lushnja, të moshave 36-80 vjeç”.

Gazeta Panorama