E financuar nga emigrantët e zonës, rikonstruktohet kisha 125 vjeçare në Tropojë
Përfundimi i rikonstruksionit të kishës 125 vjeçare solli festë në Curraj të Epërm.
Objekti i kultit me vlera të rralla historike e kulturore që ndodhet në zemër të fshatit është ndërtuar në vitin 1897
Rikonstruksionin e mundësuan emigrantët që nuk i kanë harruar rrënjët e tyre.
“Kjo është një punë e sponsorizuar nga paratë dhe djersa e ballit e djemve dhe emigrantëve shqiptarë jashtë Shqipërisë,”tha një prej të pranishmëve
Ata po ashtu kanë bërë të mundur hapjen e rrugëve nëpër male për të lehtësuar jetën e banorëve të zonës por edhe për t`ju dhënë mundësi turistëve të njihen me bukuritë e Alpeve.
“Investojnë për të kthyer në identitet bukuritë e tyre: kishën, por më vonë do të ndiqet me bujtinat,” thanë ato.
E pranishme në festën e hapjes së kishës ishte edhe Ministrja e Turizmit të Kosovës Rozeta Hajdari e cila bashkë me Kryetarin e Bashkisë Tropojë nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit.
“Vlerat që ka Tropoja, rrallë i kanë të tjerët. Me mbështetjen e dy qeverive dhe në bashkëpunim me shoqatën, do bëhet e mundur që të zhvillohen me interesin e komunitetit të Malësisë së Tropojës,” tha ai.
“Unë bashkë më Ministren e Kulturës Mirela Kumbaro kemi shumë plane që të lidhim malet tona përmes dixhitalizimit. Kemi nënshkruar marrëveshjen për dixhitalizim të turizmit malor, por më shumë do të zbulojmë dhe në historinë tonë.
Prandaj sot kisha, që është një bekim për ne, na tregon shumë dhe për identitetin dhe historinë tonë,”tha ajo.
I ndodhur në një luginë magjepëse, që ndan Nikajn dhe Mërturin në rrethin e Tropojës, fshati Curraj i Epërm është cilësuar si perlë e turizmit malor.
Nga Ora News