E fshehta historike në Balldren që vlen miliarda euro për Lezhën…
E fshehta historike në Balldren që vlen miliarda euro për Lezhën…
08/09/2019
Një tjetër dallgë mediatike u ngrit për Kishën e Shna Prenes këto ditë, e cila, përsëri u shua në brigjet e indiferencës.
Ka më shumë se 1 vit qyshkur nisi zhurma e madhe mbi zbulimin e afreskut me “Darkën e Fundit” në altarin e Kishës së Shna Prenës në Balldren të Lezhës.
Vetëm para pak ditësh, nga punimet që po kryhen nga punonjës të “pakualifikuar” aty, por të urdhëruar të punojnë me shumë kujdes, është zbuluar përsëri një pjesë tjetër afresku e cila dëshmon se e gjithë fasha e mureve të kësaj Kishe të ketë qënë e mbushur me afreske.
Siç duket, siç na thonë e siç kuptohet, afresket e kësaj Kishe janë mbuluar për t’i shpëtuar një shkatërrimi të mundshëm prej sunduesit osman, pasi ky i fundit mori bizantin.
Qartësisht e dukshme se motivet e afreskut “Darka e Fundit” në Kishën e Balldrenit janë motive të artit bizantin.
Lajmi për zbulimin e një afresku i cili daton që në vitin 1200, që do të thotë 800 vite mëparë, që do të thotë afro 300 vite përpara se Leonardo Da Vinçi të niste “Darkën e Fundit”, zbulimi pra i këtij thesari të madh ka emocionuar këdo, të madh e të vogël, por e vetmja që s’ka provuar asnjë emocion për këtë zbulim është Ministria e Kulturës.
Pse është kaq e rëndësishme kjo për Lezhën?
E vërteta e madhe është se kjo vepër nuk është e një rëndësie madhore për Lezhën, por për gjithë Shqipërinë, sepse në radhë të parë ri-dëshmon edhe njëherë përkatësinë dhe identitetin evropian të shqiptarëve, së dyti, rreshtohet bashkë me veprat e tjera më të mëdha të Kishës Katolike me zanafillë shqiptare, kujtojmë këtu për kureshtjen e lexuesit, se himni më i rëndësishëm i liturgjisë kishtare quhet “Te Deum laudeamus” (“Ty, o Zot, të lavdërojmë”) dhe kompozuesi/krijuesi i tij është një shqiptar.
Prap, pse është kaq e rëndësishme kjo për Lezhën?
Përtej çështjeve identitare që zbërthen zbulimi i këtij afresku, ajo që është më e prekshmja dhe që lidhet me një përfitim të jashtëzakonshëm për qytetin lidhet me miliardat e miliardat e eurove që mund t’i hyjnë të ardhura Bashkisë Lezhë për shkak të atij që quhet Turizmi i Enigmave Historike.
Për ta thënë më qartë, sot nëpër botë ekzistojnë grupe turistike që numërojnë miliona anëtarë, të cilët, të nxitur nga libri “Kodi i Da Vinçit” të Dan Brawn udhëtojnë nëpër të gjitha vendet e botës në zbërthim të enigmës Da Vinçiane.
Por cila është enigma Da Vinçiane?
Këtu na shfaqet “Darka e Fundit” e Da Vinçit dhe sipas Dan Brawn ngjizja e misterit është pikërisht prezenca e një femre misterioze në tavolinë, e cila sipas shkrimeve nuk duhet të ishte aty…
…dhe afresku i “Darkës së Fundit” në Balldren me të vërtetë duket sikur i hedh “benzinë zjarrit” mbi këtë mister, SEPSE, nëse e vrojtoni me vëmendje, për çudinë më të madhe, aty ka përsëri një personazh i cili ngjason shumë me tiparet e një femre, për të cilën pretendohet se është vetë ajo, Maria Magdalena.
Do të duhet vetëm pak marketing në këtë drejtim për të ndezur shkëndijën e kuriozitetit, dhe miliona turistë është e sigurtë që do të vërshonin në Lezhë për të hyrë e parë me sytë e tyre afreskun në altarin e Kishës së Shna Prenes në Balldren.
Nga; Lezha News