E kaluara e gjallë në Shqipërinë e panjohur. –
Fragmente nga një reportazh i Paule Fercoq de Leslay, shkruar në vitin 1935. –
Gjatë udhëtimit tim në kullën e Oroshit takoj bajraktarin e Oroshit në fshatrat e Mirditës, një djalosh i pashëm, 32- vjeçar. Ai më tregon se kurrë nuk kishte dalë nga kulla që prej pesë vitesh, sepse mund të vritej nga gjakësi. Ai më tha se do të ishte i lumtur po të udhëtonte e të shoqërohej nga unë gjatë dy ditëve. E pranova, pasi prania ime ishte një mburojë për të. Kurrë një shqiptar nuk qëllon mbi hasmin, kur ai është i shoqëruar nga një mik apo një grua, nga frika se mos qëllon mbi të apo nga respekti. Dhe kështu unë e çova atë në shtëpinë e një prej njerëzve të tij.
Në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm më ndiqte vështrimi i malësorit, që pas pesë vjetëve po linte kullën e ngujimit, errësirën, muret e nxira dhe të errëta, një copëz qiell të gjymtuar për gjithnjë dhe që tashmë udhëtonte në liri, dehej me natyrë, gëzonte bregoret e ujëvarat dhe natën, pranë zjarrit, unë, një grua e huaj i ngjaja padyshim me një shtojzovalle apo zanë, si ato të kreshnikëve, që s’dihej kush zot e kish hedhur atë në këto anë për ta lumturuar atë qoftë edhe përkohësisht.
Shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të pellazgëve të vjetër, raca e tyre para së gjithash është e fisme. Një tip shtatlartë, krenar, dinjitoz, dhe më i bukuri që mund të shohësh pas gjeorgjianëve, me të cilët ngjasojnë. Për antropologët, ata duhet të jenë specia më e bukur njerëzore në Europë. Veçanërisht nëpër male të bije menjëherë në sy bukuria fisnike e burrave.
…Shqiptarët e Hasit, Bytyçit e Gashit e kanë zakon të marrin nuse nga bajraqet e katolikëve në Nikaj, të cilët ua shesin për 20 napolona flori. Në malet e Krasniqes, miku që më priti e kish vrarë me një plumb gruan e tij si dhe dashnorin e saj…
…Kur zbrita në Lurë, është një ditë dasme, një spektakël i vërtetë. Rite të lashta që vetëm këtu në zemër të Ballkanit mund t’i gjesh: motra e Ago Ymerit që kthehej në qyqe, histori virgjëreshash të maleve, vdekje spektakolare me thirrjet e “gjamës”, rroba të përgjakura të vrarësh që prisnin me vite ditën që më së fundi të laheshin. Nga të gjitha anët mbërrinin të fejuar mbi kuaj, mbuluar me duvak të kuq. Ajri tundej nën krismat e pushkëve. Në çdo shtëpi që kaloja më luteshin e më ftonin që të qëlloja dhe unë. Ç’udhëtim i lumtur, ku armën time e përdora për të përshëndetur vetëm miqtë e mi. Nuset qëndronin disa ditë të palëvizura, me duart e fshehura nën një cohë të bardhë të qëndisur dhe me sytë përdhe për ta parë miqtë dhe krushqit. Ato ishin martire të pagoja.
Konsiderata për shqiptarët
Maksimilian Lambec: “Historia e vërtetë botërore do të shkruhet vetëm atëherë kur në hartimin e saj do të marrin pjesë edhe shqiptarët”.
Delagrave, studiues francez i shekullit XIX: Sipas një legjende malazeze apo shqiptare, djalli po kalonte nëpër botë. E kishin caktuar që të ndante malet mbi dhé. Duke kaluar nga këto anë, thesi qe mbante plot gurë u ça dhe rreth e rrotull vendi u mbush me shkëmbinj…
Marco Nese, shkencëtar dhe shkrimtar italian, në një vepër të vet të dhjetorit 2004, pas flet me admirim për shqiptarët, të cilët pas kapitullimit të Italisë, më 8 shtator 1943, kur Gjermania e shpalli ushtrinë italiane dezertore dhe vendosi ta dënojë me vdekje, 20.000 ushtarë italianë shpëtuan jetën duke u fshehur nëpër familjet shqiptare. Sakrifica e shqiptarëve për italianët ka qenë sublim, thotë ai, dhe ne duhet t’i jemi mitënjohëse Shqipërisë.
Marieta Vasilesku, shkrimtare rumuno-shqiptare: Kam kam parë një ëmbëltor të Sharrit, shqiptar, i cili edhe pse flinte me hanxharën nën jastëk, ishte njeriu më besnik, më i ndershëm dhe më i guximshëm i Bukureshtit.
Rozher: “Shqiptarët trajtojnë mikpritjen si një rit të shenjtë. Ata nuk dinë si ta falenderojnë mikun që e ka nderuar duke kaluar pragun e shtëpisë së tyre”.
Madam Senja, greke, nënë e një poeti francez: “Vallja e njohur “hasapikos”, që kërcehej nga arvanitasit e konkretisht nga kasapët, përbënte një rishfaqje skenash luftëtarësh të vjetër qysh nga epoka e Aleksandrit të Madh.
Michael Attaleiates, kronist bizantin, në vitin1034 ka shkruar: “Arvanitët janë nga popujt më të çuditshëm. Ata nuk i ka bindur Roma, as katolicizmi, nuk e di se sa sukses do të kemi ne. Ata i mbahen ende origjinës së tyre pagane dhe nuk e braktisin vendin”.
Seneshali i Madh, gjeneral i shquar nga Normandia, i shek. XVI: “Sllavët, janë të pamëshirshëm në luftë, vrasin këdo që arrijnë dhe nuk zënë asnjë rob lufte, ndaj edhe ne ua bëjmë njësoj. Sa për shqiptarët, ata kanë sjellje krejtësisht tjetër dhe sillen njerëzisht ndaj robërve të zënë… në ushtrinë e mbretit Luigj XII, ishte formuar një gradë prej 1200 shqiptarësh, të cilët treguan trimëri aq të shkëlqyer, sa që u bënë simbol i armatave franceze për afër një shekull të tërë. Kështu që, mbretërit e tjerë të Francës, për komandant të ushtrisë emëronin gjithënjë ndonjë shqiptar, siç ishte, fjala vjen, gjenerali Duka i Brisakut, etj.
Me “e” apo me “ë”? Kjo është çështja!…
Kur, pasi kishte përfunduar së redaktuari librin “Vjehrra ime Kolja”, redaktori i dërgon autores, gjermano-shqiptares Waltaud Tunger (Bejko) një letër për punën që kishte bërë dhe kohën e botimit të librit. Vala (kështu e njohin shqiptarët) i kthen një përgjigje interesante që ia vlen të botohet dhe që po e paraqitim më poshtë:
“…Fillimisht unë dëshiroj të falënderoj edhe në emrin e Ilmiut për angazhimin tënd të madh për botimin e kujtimeve tona në çfarëdo forme ato qofshin. Shumë bukur shprehesh, kur përmend punën tënde të imtë, munduese (Sisifus) për korrigjimin e gabimeve të shumta të mia dhe në mes tyre veçanërisht për shkronjën “e”, e cila gjithandej del si meli në një tepsi orizi. Mua më pëlqeu shumë krahasimi yt me orizin dhe farën e keqe të melit që na ka munduar në vitet e “shpresave të mëdha”. Gjermanët kanë një fjalë të urtë: “Çfarë nuk ka mësuar Hansi i vogël, Hansi i madh nuk e mëson dot më kurrë!”
Kur unë isha duke mësuar gjuhën shqipe me ndihmën e gjuhës ruse, atëherë më tha njëri: “Paçka, nuk ka gajle po të mos i vësh pikat mbi “ë”, sepse fjala kuptohet. Kështu kam vepruar tërë jetën, deri sa unë shkrova kujtimet e mia në Gjermani dhe ia tregova Jonida Xhyrës, doktore e gjuhës shqipe nga Elbasani dhe doktorante në München të Gjermanisë, ajo më vuri në dukje që pa ato pika prishet kuptimi dhe shëmtohet gjuha shqipe. Unë i dhashë të drejtë asaj, sepse edhe mua nuk më pëlqen në qoftë se mungojnë pikat në shkronjat e gjuhës gjermane që janë ä, ö dhe ü”. Duke u shkruar me “e” gjuha shqipe bëhet shumë e vështirë për të huajt, të cilët dukeshin sikur talleshin po ta flisnin shqipen pa “ë”-n e famshme, karakteristikë dhe tipar dallues i e kësaj gjuhe sa të lashtë aq edhe të bukur.