E kaluara katolike e Mitrovicës (+Foto)
Të parët e shqiptarëve që tani luten nëpër xhami, dikur përkuleshin në kisha katolike. Kështu thonë gojëdhënat e të dhënat historike, të cilat tregojnë se gjurmë kishash janë gjetur në çdo fshat të Mitrovicës.
‘Muret e Kishës’, ‘Kroni i Kishës’, ‘Birat e Kishës’, janë vetëm disa nga emrat e vendeve, të cilat sjellin një pasqyrë të ekzistencës së kishave në gjithë rajonin e Mitrovicës.
“Nga rezultatet e terrenit, në çdo fshat (është fjala për fshatrat e Shalës së Bajgorës, Mitrovicë), ku shkon është pothuajse e pamundur mos të takosh toponime dhe mikrotoponime që lidhen me besimin e kultit katolik në një të kaluar historike”, thotë doktori Pajazit Hajzeri.
Siç edhe thuhet, shqiptarët ishin romanizuar në kohën e Perandorisë Romake, dhe si dëshmi e këtij qytetërimi të skalitur në gurë të fortë, qëndrojnë në këmbë disa kisha në Mitrovicë. Nga to, më të njohurat dhe më të vjetrat janë Kisha e Vinarcit, Kisha e Shën Pjetrit që ndodhet në Trepçë e po ashtu edhe Kisha e Koprivës.
Për këto kisha ka shumë fakte historike, e madje edhe shumë gojëdhëna. Disa i tregojnë si më të vjetra se 700 vjet e disa më pak. Por, cila është historia dhe gjendja e tanishme e këtyre objekteve të kultit?
Kisha e Vinarcit
Në rrëpirën e një kodre vështirë të ngjitshme, por që sheh nga tri fshatrat që shtrihen buzë Ibrit, gjendet kisha katolike e ndërtuar me gurë. Muret e saj, të trashë aq sa trupi i njeriut, i kanë rezistuar kohës për më shumë se 700 vjet. Kjo ndërtesë, dikur faltore, mendohet të jetë ndërtuar rreth vitit 1300.
Ndonëse tani ka mbetur në një fshat me tërësi myslimane, ajo mbrohet me fanatizëm nga banorët. Familja Ademi, e cila jeton ngjitur me oborrin e kishës, tregon se e kanë mbrojtur edhe pas luftës së fundit, kur serbët tentonin ta përvetësonin.
Por, ç’është më e dhimbshme, kisha e Vinarcit nuk mbeti pa u gjymtuar edhe nga vetë shqiptarët. Siç rrëfejnë banorët, kësaj kishe i është hequr kryqi mbi kulm në kohën e Titos, pas një mosmarrëveshje të vetë shqiptarëve të asaj kohe. Madje, kjo kishë kishte edhe një kryq mbi derë, për fatin e të cilit nuk thuhet gjë.
Nën pushtimin serb, kisha e Vinarcit ka rrezikuar të tjetërsohet, duke u munduar të paraqitet si kishë ortodokse serbe, ndonëse serbët datojnë të kenë ardhur në këto treva shumë vite pas ndërtimit të kësaj godine.
Por, tjetërsimit kjo kishë i ka shpëtuar falë orientimit të saj. Hyrja qëështë nga perëndimi, ka bërë që kjo kishë të mos mundet të quhet ortodokse, duke ditur se kishat ortodokse kanë hyrjet nga lindja.
Tani kjo gërmadhë, dikur faltore, ka mbetur nën mëshirën e fatit, pasi përveç disa telave që rrethojnë hapësirën ku shtrihet trupi i gurtë i kësaj kishe, dorë njeriu nuk vërehet.
Çka bie në sy, akoma edhe në vitin 2017, Vinarci nuk ka xhami. Mungesa e xhamisë dhe ruajtja e objekteve fetare katolike, jep pasqyrën e një fanatizmi qëështë trashëguar ndër breza në këtë fshat.
Kisha e Shën Pjetrit në Trepçë
Nga kisha e Vinarcit duhet të bësh 15 kilometra për të mbërritur tek një kishë tjetër, sa e ngjashme nga historiku, aq e ndryshme nga ndërtimi.
Kur të marrësh rrugën gjarpërore nga Mitrovica për në Shalë të Bajgorës, pas rreth 7 kilometrash, ndodhet qyteza e Trepçës, që dikur banohej nga shqiptarë katolikë. Kjo qendër më pas, u shndërrua në vendbanim për qindra minatorë.
Sapo të afrohesh tek ndërtesa, tashmë gjysmake e kishës së Shën Pjetrit, vëren ngjashmëritë që ka me kishën e Vinarcit. Hyrja nga perëndimi e kupola lartë, e bën atë një pasqyrë të besimtarëve katolikë që jetonin asaj kohe në këtë pjesë.