
E nisi si marinar i thjeshtë, një ‘tirons’ merr komandën e luftanijes amerikane! Njihuni me Albanin që do drejtojë USS Pearl Harbor
28 Mars 2025
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka njoftuar se Alban Dervishi, një shqiptaro-amerikan, do të marrë komandën e një luftanije amerikane.
Sipas njoftimit të Ambasadës në rrjetin social Facebook, Dervishi do marrë komandën e luftanijes, USS Pearl Harbor në qershor të këtij viti.
“Një ‘Tirons’ që merr komandën e një luftanijeje amerikane! Njihuni me Komandant Alban Dervishin, shqiptaro-amerikani i cili do të marrë komandën e USS Pearl Harbor në qershor të 2025-ës. I lindur në Tiranë dhe me origjinë nga një familje ushtarake, Albani dhe prindërit e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara 25 vjet më parë për të ndjekur ëndrrën amerikane”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës.
“Përshëndetje, jam Alban Dervishi, lindur e rritur në Tiranë. “Çun Petronini” në shkollë të mesme. Isha vetëm 16 vjeç, kisha mbaruar vitin e dytë në gjimnaz dhe vajtëm në Neë York.
Ndihem shumë krenar që këtë qershor të marr komandën e USS Pearl Harbor. Kam një jetë të tërë që e prisja këtë moment dhe është një nder sepse gjatë gjithë karrierës sonë ne dedikojmë shumë kohë për të arritur këtë majë dhe më jepet një shans fantastik dhe me zor pres të kryej detyrën.
Ndaç babanë, ndaç gjyshin i kam pasur ushtarakë kështu që ushtria më tërhoqi pak, edhe Amerika, pikërisht ajo Amerikë me ushtrinë më të madhe në botë. M’u dha kjo mundësi dhe thashë pse jo t’i hyj ushtrisë amerikane.
Me thënë të drejtën e kam filluar si marinar i thjeshtë. Gjithçka shkoi me shkallë, një mundësi më shumë, e një mundësi më shumë lëvizën gjërat. Gjatë karrierrës time kam qenë në 7 anije të ndryshme dhe kam lundruar çdo det të botës, duke pëfshirë edhe operacionet më kritike si të luftës së Afganistanit, Irakut dhe operacione të tjera.
Egziston një farë theksi atje dhe gjithmonë tërheq atë pyetjen nga dikush: nga e keni prejardhjen? E them me shumë krenari që jam shqiptar”,- shprehet Komandant Alban Dervishi.