E pabesueshme për çfarë u përdor bronzi i përmendores së Enver Hoxhës. –
E pabesueshme për çfarë u përdor bronzi i përmendores së Enver Hoxhës. –
Gazetari gjerman Heinrich Thies ishte nga të parët që tha se me bronzin e diktatorëve Leninit, Stalinit dhe Enver Hoxhës u derdh shtatorja e fizikanit dhe filozofit të shquar gjerman, Georg Christoph Lichtenberg.
Kjo vepër u realizua nga skulptori shqiptar Fuat Dushku dhe u vendos në Göttingen më 1 korrik 1992.
“Me bronzin e Enverit, Stalinit dhe Leninit u ngrit statuja e fizikanit dhe filozofit të shquar gjerman, G.C.Lichtenberg”, – tha edhe gazetarja e Deutsche Welle, Vilma Filaj Ballvora në aktivitetin për nder të 20 shkurtit 1991 dhe rolit të gazetarëve.
Gazetarja dhe pedagogia Jonila Godole, përmes një postimi në “Facebook”, bashkëngjiti linqet e gazetës dhe Muzeut të Göttingen.
“Bëra një kërkim të vogël te mediat gjermane dhe gjeta këto informacione: Statuja 1.5 m e lartë u vendos në qytetin Göttingen në datën 1 korrik 1992, me rastin e 250-vjetorit të lindjes së filozofit.
Statuja i ishte porositur dhe paguar nga botuesi Tete Böttger te skulptori shqiptar Fuat Dushku (1930-2002), i cili e gdhendi atë, duke përdorur bronzin e statujave të Enver Hoxhes, Stalinit dhe Leninit. Tragjikomike! – Një personalitet si Lichtenberg derdhet në bronzin e tri prej figurave më famëkeqe të historisë botërore.
Kush i menaxhonte copat e statujave të rrëzuara? Mund t’i kishim ricikluar vetë dhe ngritur dikur një memorial gjigant në emër të demokracisë, që Enveri me shokë nuk e deshën kurrë të vendosej… ose një memorial kundër tij”, – shkruan Godole, e cila thotë se e ka vizituar shpesh jo vetëm qytetin, por edhe monumentin e filozofit, pa e ditur origjinën e tij.
Botuesi nga Göttingeni, Tete Böttger ra në gjurmë këtij lloj riciklimi monumentesh në vitet “90. Meqë shkrimtari i aforizmave dhe natyralisti Georg Christoph Lichtenberg do të bënte 250 vjeç më 1 korrik 1992 dhe meqë qyteti i tij i lindjes, Göttingen, deri në atë kohë kishte bërë shumë pak për të përkujtuar zbuluesin me famë botërore, Boettger porositi një statujë të Lichtenberg në Shqipëri. Edhe pse në atë kohë thuajse mungonte gjithçka dhe nuk kishte mungesë bronzi.
Skulptori Fuat Dushku.
Botuesi kishte zbuluar se këtu gjendeshin reliktet e “heronjve të vjetër”, që nga Hoxha te Stalini, dhe nga ana tjetër mund të gjeje skulptorë të klasit të parë, që ishin në pritje për t’u dëshmuar artin e tyre. Kështu, Tete Boettger, i cili organizoi një ekspozitë të Horst Janssen në Tiranë, në vitin 1989 u takua me mjeshtrin shqiptar Fuad Dushku dhe ra në një marrëveshje me të.
Për t’i dhënë skulptorit një koncept më të qartë të profesorit të Göttingenit, ai i prezantoi atij portrete të ndryshme, të aforistit gjuhëmprehtë. Boceti i parë i artistit ishte megjithatë zhgënjyes.
“Një përzierje e Enver Hoxhës me Kumbarin”, – kujton botuesi. Duart e tij ishin shumë të forta për një intelektual dhe shikimi i tij ishte tepër heroik.
Pas një pune këmbëngulëse bindëse, më në fund Dushku, i cili më parë kishte gdhendur vetëm heronj, ra dakord madje, t’i bënte edhe një gungë mendjendriturit gjerman. Tashmë në podium nuk qëndronte më një sundimtar, por një xhuxh kurrizdalë me pantallona dhe porositësi mbeti i kënaqur.