E pabesueshme por e vërtetë: – Një hajdut është dekoruar nga Shqipëria me “Medalien e Mirënjohjes” (!)
7 Mars 2024
Nga Ilir Mborja
Botuar në DITA
Në raftet e bibliotekës sime modeste, librat e albanologëve janë më të preferuarit. Prandaj, kur para ca kohësh më ranë në dorë disa libra të botuara në Bukuresht nga Komuniteti i Shqiptarëve të Rumanisë, i vendosa gjithë merak krah atyre librave të albanologëve tanë të shquar si Çabej, Ceka, Domi e Demiraj.
Përveç interesit për albanologjinë, titujt e këtyre librave për të cilët po shkruaj sot, dukeshin shumë tundues: Momente din istoria Albaniei, Culegere de studii si articole / Momente nga historia e Shqipërisë. Përmbledhje studimesh dhe artikujsh vëll. I dhe II (Shtëpia botuese Privirea, Bukuresht 2013,) dhe Povestiri de pe Drin. Etnografie si folclor in studii si articole / Tregime nga Drini. Etnografi dhe folklor në studime dhe artikuj (Shtëpia Botuese Privirea, 2014), të autorit rumun Marius Dobrescu.
Siç ju thashë që në fillim, gjithmonë më kanë ngjallur kërshërinë botimet e huaja mbi historinë e shqiptarëve apo mbi tema të tjera të albanologjisë. Herë herë, më të rrallë, kam provuar të shkruaj dhe ja kam dalë të botoj ndonjë sprovë modeste timen që ka të bëjë me gjuhësinë apo folklorin…
Por, duke u kthyer te tema që dua të shtjelloj, siç më ndodh shpesh, edhe këto libra, pas një vështrimi vertikal, mbetën për shumë kohë të palexuara në bibliotekën e shtëpisë sime, gjithnjë me mendimin se, librat që hyjnë në shtëpi kanë kohën e tyre të shfletimit. Një arsye më shumë të gjykoja kësisoj, ishte edhe sepse unë nuk e kuptoj rumanishten. Por, debati që rihapi këto ditë peticioni drejtuar kryesisht Autoritetit të Mediave Audiovizive, i firmosur nga një grup akademikësh dhe intelektualësh për mbrojtjen e albanologjisë dhe korifenjve të saj nga njëra anë, si edhe i ca “pellazgologëve” që hedhin baltë mbi ta e pretendojnë se shqipja është mëma e të gjitha gjuhëve, më shtyu t’i nxjerr nga rafti e t’i shfletoj me vëmendje këto libra.
Rumanisht nuk di, por, gjithsesi, duke qenë gjuhë latine, italishtja mund të më ndihmonte të kuptoja diçka. Prandaj fillova t’i shfletoj, për të kuptuar ndonjë gjë nga temat që trajtonin këto libra dhe mendimi i parë që më erdhi ndër mend ishte: Përse këto libra të mos përkthehen në gjuhën shqipe? Mendimet e historianëve të huaj janë gjithmonë të mirëseardhura, sepse lexuesi shqiptar i kudondodhur është gjithmonë e më i interesuar sesi e trajtojnë të huajt historinë e Shqipërisë. Sidomos në këtë situatë, ku, në debat nuk janë kursyer aspak akuza nga më të rënda mes palëve. Akademikët (për mua me të drejtë) i mbiquajnë ithtarët e pellazgjishtes “sharlatanë”, këta të fundit i quajnë ata “tradhtarë…, të shitur te serbi” etj…
Kush më shumë se një albanolog i huaj që paskësh “bërë kaq shumë për shqipen e shqiptarët” do të më ndihmonte t’u mbyllja gojën pellazgologëve tanë? Kush më shumë se rumuni Marius Dobrescu do të ishte asnjanës mes palëve në këtë polemikë? Por, mendimi i parë që më shkoi ndërmend ishte falënderimi për këtë autor të huaj që shkruan për historinë tonë në vendin e tij. Më parë, mirënjohje për të gjithë ata autorë të huaj që kanë objektiv të punës së tyre Shqipërinë, historinë, kulturën dhe qytetërimin shqiptar, pastaj të tjerat…
Ngutshëm shkova në fund të librave në kërkim të bibliografisë, për të parë se në çfarë burimesh historiografike është bazuar autori i këtyre vëllimeve. Nëse literatura e përdorur është e huaj apo shqiptare?
Çuditërisht nuk pashë asnjë shënim bibliografik(!!!). As citate, as aparat apo referenca shkencore! Sigurisht që u shtanga për faktin se një libër historie nuk mund të jetë pa asnjë burim informacioni. Ç’është ky “studiues gjithëditurak”, ky Herodot i kohëve moderne, që na shkruan kapituj të tërë për ilirët, Agronin, Teutën, për zbulimet arkeologjike, për mesjetën, për pashallëqet shqiptare, për Rilindjen Kombëtare shqiptare, për periudhën e Pavarësinë dhe për gjithë evenimentet e shekullit XX, deri tek përmbysja e komunizmit në Shqipëri?!
Shfletova vëllimin e dytë me shpresën se aty autori do të kishte përmbledhur gjithë referencat mbi historinë shqiptare. Por hiç asgjë… As edhe një burim të vetëm!
Si ka mundësi që në një vend të Bashkimit Evropian të botohen libra shkencorë historie gjithëpërfshirës pa një bibliografi shkencore?! Aq më tepër që autori në titullin e librit ka shtuar nëntitullin “Përmbledhje studimesh dhe artikujsh”. Si është e mundur të shkruash studime pa bibliografi?!
Kërkova informacion rreth autorit. Marius Dobrescu na paska përfunduar studimet në Fakultetin e Filologjisë në Tiranë diku në vitet 1970, vite të kufizimeve absurde të informacionit shkencor edhe në fushën e filologjisë, vite kur shteti komunist shqiptar lëshonte diploma për studentët e huaj që vinin nga vendet komuniste (Kina, Vietnami, Kuba, Koreja e Veriut etj.). Kam përshtypjen se atëherë, më shumë sesa individëve, diplomat iu jepeshin në fakt partive simotra komuniste.
Duke qenë se shqisat e mia janë mprehur mjaftueshëm në fushën e plagjiatit dhe të informacioneve diletante e të papërgjegjshme, që ka zgjuar së fundmi reagimin e botës akademike shqiptare, me ndihmën e një mikut tim që ka kryer studimet në Rumani dhe të përkthimeve me google të disa kapitujve të librave në rumanisht, rezultoi ajo që e mora me mend paraprakisht. Pashë një plagjiat masiv. Të dyja këto libra ishin marrë nga studiuesit dhe akademikët shqiptarë. Me fjalë të tjera, në qoftë se do t’i përkthenim ato tekste në shqip, ashtu siç dyshova fillimisht, do të dilnin autorët e vërtetë shqiptarë të këtyre teksteve. E pabesueshme, por e vërtetë!
Mu si në anekdotën që tregojnë për një student në muzikë, që, meqenëse nuk kishte frymëzim, një mik i rekomandoi të merrte një pjesë nga Bethoveni e ta kompozonte së prapthi… Dhe, kur e bëri këtë, studenti vuri re se kjo që doli ishte pjesa muzikore e profesorit të tij… Pikë për pikë, kështu më ndodhi edhe mua me veprën e Marius Dobrescu-t.
Ajo që është edhe më e çuditshme është fakti se këto studime janë botuar fillimisht në revistën e komunitetit shqiptar të Rumanisë, sepse, në fjalën hyrëse të këtyre librave autori thotë se janë botuar së pari në revistën “Prietenul albanezului/Miku i shqiptarit” dhe më pas studimet historike i ka përmbledhur në dy vëllime, të cilat i ka ribotuar disa herë me radhë, po kështu edhe studimet etnologjike apo ato mbi folklorin shqiptar. Me sa duket, autori, i mikluar nga fjalët “studiues, albanolog”, ka zgjedhur të gënjejë veten e tij në radhë të parë, të gënjejë lexuesin rumun dhe financuesit e tij, që në këtë rast është shteti rumun. Është vërtet fyese për të gjithë autorët shqiptarë, por dhe një pafytyrësi… Presupozoj se plagjiati i tij është shpërblyer sa herë është ribotuar; është paguar dhe pesë herë të tjera për vjedhjen e tij.
“Studiuesi rumun” sipas burimit Wikipedia, nuk rezulton të ketë studime të specializuara pasuniversitare as në histori dhe as në fushat e folklorit apo etnologjisë shqiptare, fusha të cilave i përket libri i dytë me studime mbi etnografinë dhe folklorin shqiptar. Edhe në librin e dytë, kësaj radhe pa befasi, konstatova përsëri vjedhje nga akademikët dhe specialistët shqiptare të këtyre fushave. Por, ajo që më çuditi më shumë kësaj radhe është se vjedhja është bërë fjalë për fjalë, nga fillimi deri në fund, ashtu si dhe në rastin e kapitujve të historisë. Në disa syresh, ai nuk kursen as nëntitujt e studimeve, pa bërë asnjë përpjekje për të “humbur gjurmët” e plagjiatit.
Marius Dobrescu ka qenë kryeredaktor i revistës së shqiptarëve të Rumanisë dhe, me siguri, ka përfituar pagë apo honorare përmes vjedhjeve të punës intelektuale të shqiptarëve. Autorët e vërtetë të artikujve, në të cilat Marius Dobrescu ka vënë emrin e vet, janë anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, historianë, specialistë, gazetarë, personazhe të njohura publike në rrethet shkencore në Shqipëri dhe jashtë saj. Ata që mund të identifikohen lehtësisht janë Prof. dr. Muzafer Kokurti, Prof. dr. Frano Prendi, Prof. dr. Skender Anamali, Prof. Selim Islami, Ilirian Gjika, Tonin Cobani, Prof. dr. Ferit Duka, Stavri N. Naçi, Ilmi S.Qazimi, Erion Habilaj, Angjelina Xhara Papalilo, Afrim Imaj, Alfred Peza, Dr. Gazmend Muka, Prof. Dr. Androniqi Gjergji, Prof. dr. Shaban Sinani dhe Prof. dr. Zana Shuteriqi Prela.
Si ka mundësi që të vidhet kaq lehtësisht puna e akademikëve tanë?! Si mund të përkthesh studimin e tjetërkujt dhe ta firmosësh pa pikën e vrasjes së ndërgjegjes?! Me sa duket, Marius Dobrescu ka qenë i sigurt, vite me radhë, se plagjiatët e tij nuk do të merreshin vesh ndonjëherë, duke krijuar në Rumani përshtypjen e rreme të një albanologu të përkushtuar dhe kompetent, madje i thirrur në këtë cilësi nëpër konferenca shkencore në Rumani, Shqipëri dhe Kosovë.
Mos vallë ky pseudo studiues mendon se gjuha shqipe, kjo gjuhë e rrallë dhe e bukur, në kohën e globalizmit dhe të inteligjencës artificiale mund të mbetet aq e pazbulueshme për vjedhjet e tij?!
Në radhë të parë është një qëndrim sfidues ndaj gjuhës shqipe nga e cila, me sa duket me plagjiate është ushqyer tërë jetën, ndaj shkencëtarëve shqiptarë.
Nga verifikimi im, më rezulton se ky person qenka dekoruar nga ish Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani në vitin 2012 me “Medalien e mirënjohjes”…
A mund të ketë ironi më të madhe që t’i jemi edhe mirënjohës një personi se na ka vjedhur?! Ndërsa konstaton plaçkitjen e intelektualëve shqiptarë, shpërfilljen ndaj tyre, mungesën e respektit për punën e tyre, s’ka sesi të të mos të lindë vetiu pyetja: A meriton një plagjiator i shqiptarëve dekoratën e shtetit shqiptar?
Bashkëlidhur po ju dërgoj librat komplet në pdf, kopertinat dhe një demonstrim konkret: Teksti në shqip gjendet në link-un e mëposhtëm:
https://www.forum-al.com/threads/zbulime-arkeologjike-ne-shqiperi.25586/
Në rumanisht është përkthim nga fjala e parë deri tek e fundit. Mund të ndiqet nga datat, emrat e përveçëm, nëntitujt dhe fjalë ndërkombëtare qe nuk lypin përkthim.
*****
©Copyright Gazeta DITA