“E premte 13”, kombinimi që frikëson miliona njerëz në botë do shfaqet në Maj 2022

2 janar 2022 19:00

Për supersticiozët numri 13 sjell ters, po ashtu edhe dita e premte, por kur bëhen bashkë këto dyja, shumë njerëz arrijnë deri aty sa mundohen të shmangin lëvizjet dhe të shtyjnë gjithçka për një ditë tjetër. Dhe nuk janë pak! Sipas vlerësimeve, më shumë se 60 milionë persona në të gjithë botën ndikohen shumë nga kjo ditë dhe preferojnë të qëndrojnë në shtëpi.

Ekzistojnë disa teori mbi origjinën e fobisë së kombinimit të kësaj date dhe dite. Numri 13 është numër ters sepse “thyen” numrin e plotë 12.

Dymbëdhjeta shihet si reflektim i 12 muajve të vitit, 12 numrave të orës, 12 perëndive të Olimpit, 12 fiseve të Izraelit, 12 apostujve të Jezusit, 12 ndjekësve të Muhamedit në besimin islam shiit, 12 shenjave të zodiakut e të tjera.

Sa i përket së premtes, ajo konsiderohet një ditë ters të paktën që prej shekullit XIV. Në SHBA 10% e popullsisë së sotme është e frikësuar nga numri 13, dhe aq më tepër kur data 13 përkon me ditën e premte. Njerëzit shmangin martesën në këtë datë, udhëtimet janë më pakta, madje dhe ditët e punës.

Matematicienët dhe shkencëtarët, ndërkohë, vënë theksin te numri 12, shpesh i konsideruar si numri i përsosmërisë në botën e lashtë. Sumerët e lashtë zhvilluan sistemin numëror të bazuar në përdorimin e 12-s, që ende përdoret për të matur dhe kohën e sotme: Kalendarët me 12 muaj, gjysma e ditës me 12 orë etj.

Në Bibël, Juda Iskarioti, ishte i ftuari i 13 që arriti në Darkën e Fundit dhe është personi që tradhëtoi Jezusin.

Megjithatë, frika e pashpjegueshme që rrethon numrin 13 është një konstrukt kryesisht perëndimor. Sepse kultura të tjera, duke përfshirë egjiptianët e lashtë, e konsiderojnë si numër me fat, por shmangin numra të tjerë si për shembull sot në Azi, numri 4 shmanget.

Sipas Qendrës së Menaxhimit të Stresit në Karolinën e Veriut, më shumë se 80% e ndërtesave të larta në SHBA nuk e kanë katin e 13, dhe po ashtu hotelet, spitalet dhe aeroportet shmangin përdorimin e dhomës me numër 13.

Ja disa kuriozitete:

Ndërsa heqja e radhës së 13-të nga linjat ajrore ndodh prej shumë vitesh tashmë, së fundmi edhe shumë qiellgërvishtës e kalojnë këtë kat, duke shkuar nga 12-ta, menjëherë tek 14-ta. Gjithashtu, tek ashensorët numri 13-të konsiderohet përgjithësisht i zhdukur.

-2-

72% e njerëzve të anketuar së fundmi nga “The Mirror”, pranojnë se në datën 13 kanë përjetuar përvoja të këqija, në lidhje me çështje pune apo çështje të tjera personale.

-3-

E “premtja e mallkuar” i kushton rëndë ekonomisë botërore, veçanërisht linjave ajrore që në këto ditë përballen me fluturime pothuajse të boshatisura. Sipas një studimi të realizuar nga një instutut amerikan, kjo datë shkakton qindra milionë dollarë dëme në ekonomi.

-4-

Sipas “Huffington Post”, ish-presidenti i SHBA-ve, Franklin D. Roosevelt ka qenë një prej atyre që besonin më shumë tek tersi i të premtes së mallkuar. Ai refuzonte çdo pritje ku ishin 13 të ftuar dhe gjithashtu nuk udhëtonte kurrë në datën 13.

-5-

Në një nga dokumentet më të vjetra ligjore në botë, Kodi i Hamurabit,  mungon ligji 13 nga lista e ligjeve. Sipas disa studiuesve, lënia jashtë e këtij ligji nuk ishte gjë tjetër veç se një gabim i bërë nga një prej përkthyesve të hershëm të dokumentit i cili nuk përfshiu një linjë të tekstit.

-6-

Për ata që besojnë tek ky supersticion, ka një lajm të keq. Nuk mund të ndodhë kurrë që një vit të mos ketë të paktën një të premte me datën 13. Shpesh ndodh të jenë dy ditë të tilla, ndërsa në raste të rralla, mund të jenë deri në tre. 2022 që sapo ka hyrë ka vetëm 13 Majin që bie e premte.

Gazeta Dita