
E VËRTETA ËSHTË RRUGA MË E MIRË PËRPARA
12 Prill 2025
Nga: DITMIR BUSHATI
… A është viti 2030 një objektiv i arritshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në BE? Kjo pyetje më sjell ndër mend 1 majin e vitit 2004, teksa në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë, organizonim një debat mbi këtë temë së bashku me ambasadorët e vendeve që sapo ishin pranuar në BE. Interesimit nga salla se, “kur do të pranohet Shqipëria në BE” iu përgjigjëm me njëfarë optimizmi: ‘mbase brenda një dekade’, duke zhgënjyer pritshmëritë e pjesëmarrësve në debat që një dekadë u dukej më tepër një horizont sesa një objektiv i prekshëm.
Po kështu, në 12 qershorin e vitit 2006 kur Shqipëria firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që edhe sot e kësaj dite vijon të jetë kontrata kryesore mes Shqipërisë dhe BE-së, pyetjes së një televizioni kombëtar se kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE, iu përgjigja se: “Nëse gjithçka zbatohet sipas parashikimeve të marrëveshjes, brenda një dekade”. Në të vërtetë, rruga jonë drejt BE-së, që prej 1990-ës, i ngjan një rruge të thepisur, e cila nuk e justifikon entuziazmin dhe mbështetjen popullore për këtë proces. Ajo ka lidhje me procesin e shtetkonsolidimit demokratik, ku pasqyrohen dobësitë e traditës sonë demokratike, vështirësia e kultivimit të vlerave më të mira europiane të shtetit të së drejtës, polarizimi i tejskajshëm dhe prishja e njëanshme e rregullave të lojës politike. Ne humbëm një shans në rrugën tonë drejt BE-së, që dukej e vrullshme në fillim të viteve ‘90 dhe disa të tilla në fillimin e viteve 2000. Ne qëndruam për më shumë se tre vjet në tryezë për nënshkrimin e MSA-së, na u deshën pesë vjet për të marrë statusin kandidat dhe trembëdhjetë vjet për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përthithjen e fondeve të BE-së në formën e granteve, ku Shqipëria renditet e parafundit, duke lënë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën. Apo të investimeve europiane në trajtën e kredive dhe granteve, ku jemi në të njëjtin nivel me Maqedoninë e Veriut dhe lëmë pas Malin e Zi e Kosovën. Kemi humbur shumë kohë rrugës. Dhe në të shumtën e rasteve kemi penguar veten në këtë proces. Historia e mësipërme nuk është thjesht mësimi i së kaluarës, por çelësi i përballimit të sfidave të së tashmes dhe parashikimit të së ardhmes. Vështruar në këtë kontekst, përcaktimi i një afati kohor brenda të cilit synojmë anëtarësimin në BE, nëse nuk shoqërohet me një platformë sa më përfshirëse e përbashkuese që nxit një cilësi e shpejtësi tjetër për reformat e shtetkonsolidimit demokratik dhe përthithjen e fondeve të BE-së, është në rastin më të mirë të pretendosh të (pa)mundurën.
*Fragment nga analiza qe është botim i Fondacionit “Friedrich Ebert”