E vërteta për çlirimin e Tiranës: Zbardhet dokumenti i arkivës britanike: Mehmet Shehu dështoi, 300 gjermanë zmbrapsën 3 mijë partizanë
E vërteta për çlirimin e Tiranës: Zbardhet dokumenti i arkivës britanike: Mehmet Shehu dështoi, 300 gjermanë zmbrapsën 3 mijë partizanë
17 Nentor 2021
Nga Erald Kapri
Lufta ne Tirane11-Panorama-E-verteta-Mehmet-Shehu-partizanetERALD KAPRI/ Majori britanik Oliver ishte ndër të vetmit oficerë të huaj që arritën të futeshin në Tiranë në betejën për marrjen e kryeqytetit në nëntor 1944. Ndonëse ai nuk u lejua nga komunistët të vepronte, fshehurazi ai mblodhi të dhëna me oficerët e tij në lidhje me këtë betejë. Beteja për marrjen e Tiranës dhe çlirimin e saj mbahet si një nga fitoret më me emër të Luftës Nacional-Çlirimtare, por në fakt oficerët britanikë që ishin në Shqipëri tregojnë të kundërtën.
Pas çlirimit të Shqipërisë, majori britanik Oliver përgatiti një raport mbi betejën për të marrë kryeqytetin. Ai tregon se Tirana ruhej nga një garnizon me 300 ushtarë gjermanë gjithsej, që kishin vetëm dy tanke dhe disa autoblinda. Sipas tyre, komandanti i Divizionit të Parë, Mehmet Shehu, i gënjeu duke u thënë se në Tiranë kishte 3 mijë gjermanë. “Arrita në konkluzionin se garnizoni gjerman përbëhej nga rreth 300 veta, ndërsa Mehmet Shehu më thoshte se janë 3 mijë, dhe e vetmja rezervë që gjermanët kishin në Tiranë ishte një skuadron i lëvizshëm me vetëm dy tanke dhe disa makina të blinduara me transportues. Këtë perimetër gjermanët e ruanin me aftësi të mëdha, me sukses ecnin përtej perimetrit dhe pastronin çdo zonë ku partizanët shfaqeshin”, raportoi majori Oliver.
Nga ana tjetër, sipas raportit të majorit Oliver, partizanët kishin 3 mijë forca dhe nga fundi i tetorit, deri në datën 11 nëntor, dështuan në sulmet e tyre kundrejt 300 gjermanëve. Oliver tregon se komunistët e mbikëqyrnin, nuk i dhanë liri veprimi dhe për më tej arrestonin çdo civil që tentonte të shkonte në shtabin e tij. Të dhënat që japin britanikët tregojnë një të vërtetë tjetër për çlirimin e Tiranës, duke nisur që nga operacionet ushtarake, të cilat pothuaj dështuan, ndonëse ishin në supermadhësi numerike, por, nga ana tjetër, tregojnë edhe faktet se regjimi komunist kishte nisur ende pa mbaruar lufta.
Britanikët flasin për arrestime të civilëve, ndaj dhe për këtë gjë ata u mbajtën të izoluar në Tufinë të Tiranës së bashku me oficerët amerikanë, në mënyrë që të mos shikonin arrestimet dhe reprezaljet ndaj civilëve që konsideroheshin jo komunistë. Nga ana tjetër, ky raport jep një bilanc tjetër të luftës, ku shpjegohet qartë se rreth 1800 gjermanë u vrarë rrugës nga Elbasani për në Tiranë, por kjo falë një bombardimi të fortë që avionët britanikë bënë mbi trupat hitleriane. Për herë të parë jepet një detaj, që forcat partizane në Qafën e Kërrabës kanë therur gjermanë, ndërkohë që Mehmet Shehu, në librin e tij për çlirimin e Tiranës, këto veprime i quan luftime trup më trup. Këtë raport majori britanik e dorëzoi në Ministrinë e Luftës në Britani për të informuar zhvillimet e fundit në Shqipëri.
Clirimi Tiranes arkiva Britanike
Dokumenti I PLOTË
Raport nga majori J.P.F Oliver Ngjarjet e ndodhura në betejën për Tiranën: Unë isha pranë divizionit të parë të Luftës Nacional-Çlirimtare si oficer ndërlidhës i aleatëve në shtator 1944. Në atë kohë ky divizion komandohej nga Mehmet Shehu dhe ishte i vendosur në Shën Gjergj. Prej tetorit unë u vendosa në Bizë dhe e vizitoja 3-4 herë në javë Shehun. Tek ai ishte ngulitur bindja se qëllimi i oficerëve tanë ishte vetëm furnizimi me materiale për partizanët. Gjatë një muaji që vizitova disa herë këtë divizion, shpresoja të kisha një ide të qartë për aksionet që ata kishin ndër mend të bënin.
Ishte mëse e qartë për mua se vizitat e mia priteshin me vetulla të vrenjtura dhe shumë shpejt po më fshihnin aksionet që Shehu kërkonte të realizonte. Në këtë atmosferë mosbesimi (kjo për shkak se ne kishim oficerë edhe në opozitën shqiptare), unë tentova të neutralizoja dy shimet e tyre, por pa sukses. Shehu ishte gjithnjë në pozitë mbrojtjeje në çdo bisedë që bënim dhe sa më i paqartë ishte për një përgjigje që i kërkonim, aq më i pakëndshëm bëhej toni i përgjigjes së tij. Unë tentova të bëja të qartë se qëllimi i misionit tonë nuk ishte kënaqja e veseve të tij, por të vazhdojmë përpjekjet në luftë dhe në këtë linjë arritëm njëfarë mirëkuptimi.
Në datën 22 tetor erdhën të tjerë oficerë britanike për të asistuar në përgatitjen e mëtejshme të misionit tim. Gjatë kësaj kohe pati një lëvizje drejt perëndimit të Divizionit të Parë bashkë me shtabin e Shehut dhe e kisha të pamundur ta arrija atë pa ndërhyrje nga të tjerë. Në datën 29 tetor, në mbrëmje, arrita të bëja një zbulim duke shkuar në periferi të Tiranës pa dijeninë e partizanëve. Zbulova se trupat e Divizionit të Parë ishin tashmë në lindje të qytetit dhe gjermanët po tërhiqeshin pa ndonjë kundërveprim.
Në mëngjes mora një “guidë” për ta vendosur shtabin tim në Tufinë, rreth pesë milje larg Tiranës, pata mundësi të hiqja rreth vetes partizanët dhe hyra në një shtëpi në pjesën lindore të qytetit. Zbulova se gjermanët kishin evakuuar këtë pjesë të qytetit, duke përfshirë ushtarakët, pjesëtarët e spitalit të tyre, madje dhe barakat e inxhinierëve gjermanë.
Ata kishin formuar një perimetër për mbrojtjen e qendrës së qytetit dhe pjesën e Tiranës së re. Plani i tyre i tërheqjes ishte tepër i lexueshëm. Pas tri ditësh në qytet, arrita në konkluzionin se garnizoni gjerman përbëhej nga rreth 300 veta, ndërsa Mehmet Shehu më thoshte se janë 3 mijë. E vetmja rezervë që gjermanët kishin në Tiranës ishte një skuadron i lëvizshëm me vetëm dy tanke dhe disa makina të blinduara me transportues. Këtë perimetër gjermanët e ruanin me aftësi të mëdha, me sukses ecnin përtej perimetrit dhe pastronin çdo zonë ku partizanët shfaqeshin. Pasi mora pjesë në një apo dy përplasje, u binda së bashku me numrin dy të misionit, lejtnant Hon R. D Winn, se partizanët nuk po bënin asnjë përpjekje reale, as për të sulmuar dhe as për t’u rënë në qafë gjermanëve.
(Një fakt: pozicioni që partizanët arritën më 30 tetor mbeti statik deri më 11 nëntor, edhe pse partizanët ishin më shumë në numër, 10 me 1 në raport me gjermanët). Disa herë ne pamë një grup prej pesë gjermanësh me një mitraloz që zmbrapsnin një grup prej qindra partizanësh të pajisur me dhjetëra mitraloza të lehtë. Pavarësisht se partizanët kishin superioritet në fuqi zjarri, ata kishin mungesa në murtaja dhe granata. Por unë e dija se këto materiale, si murtaja dhe granata, partizanët i kishin në Bizë, të cilat i kishin marrë ndihma me parashutë nga ne. Më pas, një grup partizanësh erdhën të më merrnin në ditën time të tretë që isha në Tiranë, dhe shkova në shtabin e Brigadës së Parë, ku gjeta Hysni Kapon, komisar dhe shef i shtabit të kësaj komande, që më priste.
Nuk më dha asnjë referencë në lidhje për hyrjen në qytet dhe priste komente nga ana ime. E pyetja se kush e ka fajin që mungojnë materialet, si murtaja dhe granata, në luftimet që po bëhen? Mos e kishim fajin ne apo ata që nuk po shpërndaheshin? Ai nuk u shfaq i surprizuar për mungesën e këtyre materialeve. Më pas erdhi Mehmet Shehu së bashku me komisarin Kristo Themelko dhe diskutuam të njëjtën çështje. Ai më pyeti së çfarë do të vijnë nga ndihmat ajrore për Ballkanin. I thashë se një operacion i tillë do të kishte vlerë pas një sulmi të koordinuar të këmbësorisë dhe e pyeta se kur ka ndër mend ta bëjë.
Ai m’u përgjigj: “Ju bombarduat objektivat që ne ju kërkuam dhe sa për sulmin e këmbësorisë, nuk është puna juaj”. I thashë se përgjigjja e tij nuk është bindëse dhe se duke parë që forcat armike në Tiranë janë kaq të vogla në numër, është e vështirë ta bind shtabin tim në Bari të realizojë një sulm ajror, që është shumë i kushtueshëm dhe nuk besoja se do të ishte me vlerë pa pasur një garanci që partizanët do ta përdornin mirë këtë avantazh. Iu kërkova të vizitoja sektorët në frontin perëndimor dhe verior dhe që të mund të sinjalizoja Barin, bazuar në të dhënat që do mblidhja, por në të njëjtën kohë duke u lënë kohë atyre të merrnin një vendim për sulmin.
Por mëngjesin tjetër Mehmet Shehu urdhëroi që unë të ikja nga Tufina (aty pashë që edhe misioni amerikan ishte i mbyllur dhe nuk lejohej të lëvizte nga rojet partizane). Debatuam për dy orë dhe ua bëra të qartë se nuk isha dakord me këtë ide që të rrija i izoluar. U thashë se largimi im nga fronti nuk i shërben asnjë qëllimi dhe nëse ata do të insistonin, atëherë këtu bëhej fjalë për diçka që ata donin të na fshihnin. U shpreha më tej se kjo nuk është pjesë e mendimit të Shtabit të Luftës Nacional-Çlirimtare dhe nëse ky mendim ka ndryshuar, atëherë unë nuk kisha asnjë vlerë aty dhe do kërkoja që të largohesha nga Shqipëria. Atë mëngjes pashë edhe komandantin Dali Ndreu. Ai ndërkohë kishte pasur komunikim me telefon me Mehmet Shehun.
U ra dakord që të rrija në Tiranë, por me kushtin që duhej të isha i shoqëruar gjithë kohës nga oficerë partizanë. Ai tha se ndihej në ankth nga fakti se unë nuk duhej të kontaktohesha nga elementë reaksionarë në qytetet dhe se mund të ndikohesha nga impresione false për situatën. U ktheva në qytet dhe vizitova pjesën veriore, e cila thjesht më konfirmoi faktin se pala kundërshtare gjermane ishte tërësisht e dobët dhe se një avancim i suksesshëm mund të realizohej lehtësisht. Mëngjesin tjetër Mehmet Shehu kërkoi që të mos isha në qytet, më shoqëroi për në Tufinë dhe në mëngjes biseda jonë u ashpërsua nga të dyja palët. I qëndrova qëllimit tim dhe ata nuk ia dolën të mbyllnin misionin, por dukej se shqetësimi i tyre ishte se çfarë sjellje do të kishin me ne për aksionet që do ndërmerrnin në të ardhmen. Zbulova që oficeri partizan që më shoqëronte kishte urdhër të më ndalonte të flisja me civilët e zonave të çliruara të Tiranës.
Mësova se vizitorët që ishin nisur drejt shtabit tim arrestoheshin pa ardhur ende dhe ndesha vështirësi për të lëvizur dhe operuar në terren. E vetmja mundësi dukej se ishte të tërhiqesha. Unë vazhdoja të insistoja te Shehu dhe Dali Ndreu se pozicioni statik i partizanëve favorizonte vetëm armikun dhe pa një plan për të sulmuar s’mund të kishte sulme ajrore nga pala jonë, se unë isha kundër situatës aktuale dhe do t’ua shprehja edhe atyre, por edhe shtabit tim në Bari të Italisë. Në lidhje me qëndrimet që na vinin nga të burgosurit e luftës, të cilët kishin vullnet të bashkëpunonin dhe të dorëzoheshin te ne dhe jo te forca jo të rregullta ushtarake, u kërkova që të bisedoj me komandantin e garnizonit gjerman, kapiten Ledener. Kjo u diskutua fillimisht së bashku me idenë e një plani për sulm, por menjëherë më pas, pasi mora një përgjigje negative, bëhej i pamundur sulmi ajror dhe marrja e perëndimit të qytetit nga partizanët. Më 9 nëntor, Dali Ndreu shpalli edhe në prani të amerikanëve dhe jugosllavëve qëllimin e tij për një plan sulmi.
Divizioni i Parë ishte përforcuar me dy brigada të tjera partizane, sulmi nisi pasditen e 11 nëntorit dhe përfundimisht qyteti u pastrua mëngjesin e datës 17 nëntor. Trupat që lëviznin nga Elbasani për të rritur rrethimin u mbajtën larg para hyrjes në qytet (urat u hodhën në erë) dhe u përballën me një sulm të fortë ajror nga avionët tanë dhe para se ata të shpërndaheshin, u therën nga partizanët e Divizionit të Parë. Më pak se 200 trupa arritën në Tiranë nga 2 mijë gjermanë. Ata që nuk ia dolën të kishin kontakt me garnizonin gjerman, arritën të izoloheshin. Të gjitha këto trupa u kapën rob ose u shkatërruan, me përjashtim të një grupi gjerman që çau në mes pozicionin e Brigadës 8 në veriperëndim.
Gazeta Panorama