E zbulon ‘The Guardian’/ Europa e shqetësuar, Rama po u jep pasaporta të pasurve të Europës të akuzuar për krime

16.11.19

Nga: Gazeta Shqiptare

Në Londër, në një hotel me pesë yje është mbajtur një aktivitet, organizuar me synimin e promovimit të shitjes së atyre që quhen pasaporta të arta.

Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë tre kryeministra, ndër ta edhe ai shqiptar Edi Rama. Rama ishte në këtë aktivitet krahas kryeministrit të Shën Luçias në Karaibe, atij malazez, një ministri maltez dhe disa ambasadorëve nga Antigua, Barbuda dhe Qipro. Edi Rama ka premtuar në këtë konferencë se kush merr nënshtetësi shqiptare nga të huajt e pasur, nuk do të paguajë taksa për 10 vjet, shkruan “Guardian”.

Artikullin origjinal e lexoni: KETU.

Kjo do të thotë se të pasurit europianë nuk do të paguajnë taksa për 10 vjet pushime në vendin tonë.

Pra, një i huaj me para nuk do paguajë në vendin tonë asnjë taksë për 10 vjet  në këmbim të blerjes së pasaportave për 100 mijë dollarë dhe investimeve.

Ky event që ka si synim që të thithen investime nga biznesmenët e pasur ka hasur në shumë kritika të ashpra.

Gazeta e njohur britanike “The Guardian” ka cituar zv. presidenten e Komisionit Europian, Vera Jurova, deklaron se shitja e pasaportave paraqet rrezik. Jurova shprehet se gjithë ky sistem transaksionesh duhet rinegociuar meqenëse për momentin komisioni nuk ka kompetenca për të ndërhyrë

Me këtë veprim që po kryen, Rama po minon besimin e shteteve europiane, në këmbim të fitimit ose të futjes të sa më shumë parave në ekonomi. Rama me këtë hap garanton futjen e parave në ekonominë shqiptare, por pa pyetur shumë për prejardhjen e tyre ose njerëzit që investojnë.

Mirëpo, aktiviteti ka një sërë problemesh.  Një tjetër problem është se shqetësimet e BE-së janë reale. Kompania që ka organizuar aktivitetin, Henley & Partners me biletë hyrjeje 1 500 stërlina është raportuar se ka patur jo pak probleme me aktivitetet e saj që konsistojnë në ndërmjetësimin mes qeverive dhe pasanikëve të interesuar. Një prej shteteve që mori pjesë në event, Qipro i dha nënshtetësi përmes shitjes një biznesmeni në kërkim nga Malajzia, por ka premtuar se do ta revokojë atë. Për 4000 pasaporta të shitura që nga viti 2013 thuhet se Qipro ka mbledhur 6 miliardë euro.

Edhe Malta që e aplikon këtë skemë përmes koncesionit të dhënë kompanisë në fjalë akuzohet se ka shitur nënshtetësinë pesë njerëzve në kërkim dhe të akuzuar për vepra të rënda penale në fushën ekonomike, siç është pastrimi i parave. Nuk është e qartë se kush e ka kontaktuar kryeministrin Rama në këtë ambient.