DHURATA CUPI

Edhe Deputetja Dhurata Çupi kerkon largimin e Bashës.

9 MARS 2022

Shtohet zërat që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD-së. Sot apeli për largimin e Bashës erdhi nga deputetja demokrate Dhurata Çupi, e cila e bën përgjegjës për krizën e thellë në PD dhe se kërkon prej tij të dorëhiqet.

“Partia Demokratike është në krizën më të thellë në 30 vite. Patjetër që shkaktari kryesor është lidershipi. Krizat zgjidhen me votë dhe votëbesim. Duhet të japë dorëheqjen Z. Basha, që t’i hapë rrugë bashkimit dhe konkurimit të drejtë përpara demokratëve. PD sot ka nevojë për lider që të na çojë drejt fitores. Dëshpërim i madh që PD humbet mbështetjen e Shkodranëve e Dibranëve, si dy bastionet e PD”, tha Çupi për Vizion Plus.

Ndërsa sot deputetja Grida Duma bëri të ditur se do të dorëhiqet nga posti i nënkryetares së PD-së. “Fakti që Lulzim Basha nuk largohet edhe pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi dorëheqjen na kërkon të gjithëve vendimarrje për shpëtimin e demokratëve të sakrifikuar një dekadë. Megjithëse personalisht nuk kam asnjë përgjegjësi në vendimarrje dhe ia kam shkruar e lënë të dokumentuara vendimet e dëmshme sot deklaroj që jap dorëheqjen si Nën/Kryetare e Partisë Demokratike, duke qenë ky vetëm një prej vendimeve të domsdoshme për demokratët. Partia Demokratike nuk mund të jetë humbëse se duhet që dështaku të fitojë e përfitojë!”, u shpreh Duma në një nga rrjetet sociale.

Gazeta Shqip