Edhe Kosova ndalon mandarinat nga Shqipëria, po bëhen teste laboratorike mbi pesticidet
19 Dhjetor 2024
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka njoftuar se po monitoron situatën lidhur me ngarkesat e mandarinave që vijnë nga Shqipëria, pas ngritjes së alarmin për praninë e pesticideve mbi nivelet e lejuara në këtë frut. Ky shqetësim ka ardhur pas njoftimeve të dërguara nga Sistemi Evropian i Sigurisë Ushqimore, i cili ka tërhequr vëmendjen për këtë problem.
AUV njoftoi se ka shtuar masat e kontrollit dhe do të marrë mostra nga ngarkesat e mandarinave për testime të mëtejshme, për të përcaktuar nëse produkti ka nivele të larta pesticideje.
“AUV ka ngritur masat e nivelit të kontrollit për ngarkesat me llojin e produktit mandarinë, pas njoftimeve të dërguara nga RASFF për praninë e pesticideve mbi nivelet e lejuara,” thuhet në njoftimin e Agjencisë.
AUV thekson se Kosova nuk është e përfshirë në njoftimet e RASFF, por institucionet vendase po veprojnë për të eliminuar dyshimet e ngritura për praninë e pesticideve. “Synimi ynë kryesor është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe konsumatorëve. Deri tani, nuk ka pasur asnjë element dyshues mbi këto produkte,” tha AUV.
Kujtojmë se Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore ngriti alarmin për mandarinat me origjinë nga Shqipëria, pasi rezultuan me mbetje të pesticideve të rrezikshme Chlorpyrifos dhe Phosmet. Këto substanca, të ndaluara për përdorim në Bashkimin Europian, paraqesin rreziqe serioze për shëndetin e njeriut.
Sipas raportimeve të RASFF Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania, kanë refuzuar kamionët me mandarina me origjinë nga Shqipëria pas analizave të kryera.
Ngarkesat e testuara rezultuan me mbetje të pesticideve 3 deri në 12 herë më të larta se kufiri i lejuar nga rregulloret e BE-së, të ndryshuara në shtator 2023.
Çfarë janë chlorpyrifos dhe phosmet?
- Chlorpyrifos është një pesticid i ndaluar në BE që nga viti 2020, pasi shkakton dëmtime të rënda në trurin e fëmijëve, sistemin nervor dhe endokrin, si dhe rrit rrezikun për kancer dhe sëmundje kardiovaskulare.
- Phosmet, gjithashtu i ndaluar, është toksik dhe ndikon në funksionimin normal të trupit të njeriut. Nga Gazeta Dita