Edhe ministrat e Ramës në sulm për Dukën. – Niko Peleshi presione në Korçë, Mirela Kumbaro në Gjirokastër

Nga OraNews

28 Janar 2022

Veç kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në tentativën e politikës për ndërhyrje në Federatën Shqiptare të Futbollit duket se janë përfshirë edhe ministra të qeverisë Rama

Në Korçë në prag të Asamblesë së Përgjithshme për të zgjedhur kryetarin e ri të Shoqatës Rajonale të futbollit, Ora News ka zbuluar një skandal dhe tentativë për ndërhyrje.

Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, sëbashku me kryetarët e bashkisë Maliq dhe Pogradec, në prani të ministrit Niko Peleshi kanë thirrur në takim anëtaret e Asamblesë, duke i pyetur për votën.

Po ashtu edhe në Gjirokastër ministrja Mirela Kumbaro duket se është në aksion. Mësohet se ajo ka zhvilluar takime me anëtarët e shoqatës së futbollit të qytetit të gurtë për të kërkuar votën kundër emrave që mbështesin Armando Dukën.

Mësohet se për shkak të kundërshtimit është shkarkuar nga puna Petraq Meci i cili është anëtar i shoqatës.

Prej ditësh, kreu i FSHF, Armand Duka është vënë në shenjestër të sulmeve politike nga kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Madje tentative e parë ka nisur në Tiranë kur kryebashkiaku i Tiranës i bëri presion anëtarëve të shoqatës për të votuar kundër Dukës.

Në audioskandal ai shprehet se do të nisë takimet edhe në rrethe dhe që tashmë është bërë realitet.

Pavarësisht kësaj në zgjedhjet në kryeqytet dhe në Fier Veliaj ka humbur zgjedhjet. Në të dy rastet fitues janë shpallur mbështetësit e Dukës.