Edhe ministri Ervin Mete në SPAK. – Merret në pyetje për 30 minuta
Mësohet se Mete është marrë në pyetje për rreth 30 minuta për periudhën kur mbante postin e zv.ministrit të Ekonomisë dhe Financave, ministri që asokohe drejtohej nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili është në arrati që prej qershorit 2023, ndërsa prej 24 korrikut është shpallur në kërkim ndërkombëtar nën akuzat për deklarim të rremë të pasurisë, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore në 6 raste dhe pastrim parash.
Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi raporton se Mete është pyetur konkretisht për rolin dhe ndikimin që mund të ketë pasur Arben Ahmetaj në përcaktimin e fituesve për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.
Një ditë më parë (5 mars) u paraqit në SPAK, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi i cili u mor në pyetje më shumë se 2 orë për marrëdhënien që ka patur me bosin e inceneratorëve Klodian Zoto. Sipas hetimeve të SPAK, dyshohet se Mirel Mërtiri me Klodian Zoton, falë ndërhyrjes së Arben Ahmetaj, arritën të përfitojnë një tender për matësat e ujit me vlerë 3.3 milionë euro në 11 shkurt të vitit 2013 në Korçë.