Edhe Muzeu i Kosoves ne restaurim
Muzeu Kombëtar i Kosovës ka nisur praktikisht përgatitjet për procesin më të madh ndërhyrës: restaurimin e tërësishëm që do të peshojë 3 milionë euro. Për këtë institucioni më i lartë muzeor në vend ka njoftuar se për një vit do t’i ketë hapësirat të mbyllura për publikun.
“Me qëllim të fillimit të procesit të renovimit të ndërtesës qendrore të Muzeut Kombëtar të Kosovës pezullohen vizitat në sallat ekspozuese dhe hapësirat e tjera të brendshme dhe të jashtme për një periudhë njëvjeçare. Ju njoftojmë me kohë për mënyrën e komunikimit të Muzeut me publikun”, shkruhet në njoftimin e MKK-së, por mbyllja duket se do të zgjasë edhe më pasi, sipas kontratës, parashihen punime për 18 muaj.
Me fiks 2 milionë e 946 mijë e 757 euro MKRS-ja ka vendosur që grupi i operatorëve ekonomikë “Froni 1 Sh.P.K” dhe “Çeta-General Invest Group” ta marrin përsipër implementimin e projektit më kompleks të punuar deri më tash për këtë monument që ruan thesarin e trashëgimisë kulturore të luajtshme të vendit. Në procedurën e prokurimit, që ishte hapur në maj të këtij viti, për MKK-në dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës, sipas shkresave të lëndës, kishin konkurruar dy konsorciume.
Afro 100 mijë euro ka kushtuar vetëm projekti për të ndërhyrë në institucionin më të lartë muzeor në vend. Për herë të parë do të intervenohet në depon e Muzeut. Problemet aty janë të shtresuara ndër vite. Kushtet aspak brenda parametrave e nganjëherë edhe lagështia ka qenë e tepërt. Për disa muaj në një pjesë ka qëndruar edhe uji. MKRS-ja ishte vonuar për të blerë një motor për ta nxjerrë atë. Por tash, me tre milionë synohet shumë.
Aktualisht MKK ja ka nisur me fazën përgatitore. Është duke bërë zhvendosjen e eksponateve nga depot – bodrumi – në hapësira të tjera.
“Ka qenë një fazë që është dashur të merreshin masa për sigurinë e fondit dhe ndërtesës. Ato procese janë mbyllur. Tash ne stafi teknik e profesional kemi filluar zhvendosjen e fondit nga depoja në hapësirat e caktuara. Zhvendosja ka filluar me pjesën e historisë. Jemi marrë me koleksionet e drurit dhe po vazhdon trajtimi i tekstilit”, ka thënë zëvendësuesja e drejtorit të MKK-së, Vjollca Aliu. Sipas saj, koleksioni do të trajnohet në bazë të prioriteteve e prioritet ka qenë tekstili.
“Punimet do të fillojnë nga poshtë për të vazhduar lart. Ne po mundohemi që sa më shpejt të krijojmë mundësinë që të nisë puna. Zhvendosja bëhet pas një kohe shumë të gjatë dhe duhet të jemi sa më të kujdesshëm”, ka thënë Aliu, e cila paraprakisht ka udhëhequr Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Ajo ka treguar se në kuadër të këtij cikli secili eksponat duhet të inventarizohet me numër të ri duke ruajtur numrin e vjetër.
“Po ashtu secili eksponat fotografohet. Fokusi në fillim sa u përket ndërhyrjeve restauruese është te depoja dhe drenazhimi”, ka thënë ajo.
Në kuadër të ndërhyrjeve, që pritet të zgjasin 18 muaj nga fillimi i punimeve, do të preket edhe ekspozita e përhershme. Nëpërmjet projektit të realizuar nga konsorciumi “ALB Architect; ACTI” parashihen ndërhyrje në shumicën e pjesëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
KOHA ka kontaktuar me kompaninë punëkryerëse “Froni 1 Sh.P.K”, pjesë e konsorciumit fitues të tenderit. Menaxhmenti i kësaj kompanie ka thënë se janë të gatshëm për t’i nisur punimet.
“Në momentin që krijohet mundësia për të filluar, ne nisim me punimet”, kanë thënë nga kjo kompani.
Muzeu me ekspozitë të përhershme, apo siç quhej asokohe ekspozitë bazë, është bërë në shkurtin e vitit 2013. Shuma e investuar kishte kaluar 300 mijë euro. Ajo ekspozitë qe kritikuar goxha nga shumë profesionistë. Por, drejtori i asokohshëm i MKK-së, Skënder Boshtrakaj, kishte thënë se edhe “Muzeu i Kosovës është Kosovë”.
“Muzeu i Kosovës i ka specifikat e veta. Muzeu i Kosovës është në Kosovë, ka stafin e Kosovës, eksponatet e Kosovës dhe Muzeu i Kosovës është Kosovë”, kishte thënë Boshtrakaj. Ekspozita më vete ka shumë probleme. Pos që është punuar nxitimthi, nuk është respektuar në përqindje të madhe as koncepti i punuar nga grupi punues, ku bënin pjesë: Edi Shukriu, Gazmend Riza, Florina Jerliu, Bujar Demjaha, Agim Rudi, Arben Hajdari, Zanita Halimi, Milot Berisha, Elvis Shala, Skënder Boshtrakaj e Vjollca Aliu.
Kurse sa u përket ndërhyrjeve restauruese institucioni ka një histori të gjatë. Në periudhën prej vitit 2012 deri më 2015 në objekt janë shpenzuar afro 200 mijë. Që nga rinovimet e vitit 1983, në objektin e Muzeut Kombëtar të Kosovës nuk ishte ndërhyrë deri në vitin 2012, kur është shtruar dyshemeja dhe janë rregulluar tualetet. Kjo punë kishte zgjatur me muaj. Edhe atëherë kishte pësuar agjenda vjetore e këtij institucioni. “Euroing” nga Suhareka qe kompania e cila për 180 mijë euro kishte shtruar me granit të porositur nga Italia dyshemenë në të tri katet e muzeut. E njëjta kompani fitoi edhe tenderin prej 10 mijë eurosh për rregullimin e tualeteve.
Në vitin 2015 një konsorcium “NBT-ING” dhe “As-ing” nga Suhareka kishte marrë përsipër atë që u quajt rinovim i tërësishëm për 230 mijë euro. Depot nuk qenë prekur. Në dhjetor të atij viti ishte lidhur edhe aneks-kontrata në vlerë prej 22 mijë e 587 eurosh. Por, nuk kishte përfunduar me kaq. Tre zyrtarë ministrorë dhe punëkryerësi, siç kishte raportuar gazeta, të mbledhur në një zyrë të MKRS-së, kishin vendosur që t’i jepnin punë shtesë në vlerë mbi 33 mijë eurosh konsorciumit të njëjtë. Të gjitha “procedurat” qenë zhvilluar midis tyre, qe nënshkruar marrëveshja pa u përfillur Ligji për prokurimin publik, pa kaluar kontrata nëpërmjet Komisionit rregullativ të prokurimit publik dhe pa hapur thirrje publike për pranimin e ofertave. Skënder Boshtrakaj, asokohe drejtor i Muzeut të Kosovës, Gani Gashi, mbikëqyrës i punimeve, Vjollca Aliu, asokohe menaxhere e projektit, dhe Tahir Sopa, përfaqësues i kompanisë, janë ata që kishin vënë nënshkrimin në marrëveshjen e nënshkruar në tetor të 2016-s, në mbledhjen e mbajtur në zyrën e Vjollca Aliut, ku i pranishëm kishte qenë edhe Burim Reçica, asokohe drejtor i Zyrës së Prokurimit në MKRS. Marrëveshja titullohej “Raport i ndryshimit të pozicioneve në projektin ‘Rinovimi i godinës së Muzeut të Kosovës’” dhe, sipas saj, për shkak të nevojave të domosdoshme dhe mosparashikimit të disa punimeve në projekt, paramasë e parallogari, me kërkesën e drejtorit të muzeut ishte “marrë vendim që të punoheshin disa pozicione të paparapara në projekt, si dhe të bëheshin disa ndryshime brenda paramasës dhe parallogarisë së projektit me qëllim të funksionalizimit të projektit”. MKRS-ja e kishte kundërshtuar këtë pagesë nëpërmjet një shkrese drejtuar Thesarit të Shtetit. Por, Ministria e Financave kishte bërë pagesën. Krejt investimet e bëra pas luftës së fundit, veç në ndërtesë dhe ekspozitën e përhershme, pa përfshirë projektet vjetore, kapin shifrën e mbi 770 mijë eurove.
Gazeta Koha, Prishtinë.