Edhe pas këtyre zgjedhjeve, më shumë se gjysma e parlamentit do të jenë shpirtra të vdekur
26 Korrik 2024
Nga Bedri Islami
Një javë më parë, në gazetën DITA, botuam analizën “A do të ketë tjetër marrëveshje “ historike”, duke paralajmëruar se në kulisat e parlamentit shqiptar po përgatitej një draft i përbashkët mes pozitës dhe opozitës, që në fakt nuk ishte asgjë tjetër, veçse përforcimi i pazarit politik të vitit 2008, përmes të cilit u bë hyjnizimi i liderit politik brenda forcës së tij politike dhe ndarja e vendit në duart e dy njerëzve, përmes të cilëve do të vendosej për shumë çka.
Tani, Edi Rama nga kati i tretë i selisë masive të kryeministrisë, nga e cila qeveris, dhe SaliBerisha nga kati i tetë apo i nëntë ,ku ndodhet në arrest shtëpiak, pa praninë e tyre, përsëritën vitin 2008.
Tani nuk ka më asnjë dyshim. Marrëveshja është bërë, po kalon në shkallët e ngushta të komisioneve, për të shkuar në shkallaren e fundit, miratimit në parlament, ku, thuajse të gjithë do e brohorasin dhe fare pak vetë do të kenë guximin të jenë kundër saj, duke marrë parasysh edhe pasojat që mund të kenë në një të ardhme jo të largët.
Sipas riciklimit të marrëveshjes, thuajse i gjithë parlamenti i ardhshëm do të jetë në dy duar: nga njëra anë do të jetë Edi Rama, si shefi i qeverisë dhe i forcës politike që drejton prej 12 viteve, dhe, nga ana tjetër, në ato të Familjes Berisha, që do të bëjnë llogaritë e tyre politike dhe financiare, për të qenë në kuvend besnikët e tyre, por edhe financuesit e tyre.
Mbi 70 për qind të deputetëve të ardhshëm do i përcaktojnë kryetarët, duke ruajtur atribute që nuk i ka askush në botën e civilizuar, përqendruar pushtetin në dy duar që , sa i japin, aq edhe i marrin njëri tjetrit, e që në fund, do të krijojnë të gjitha premisat e politikës së amullt, pa ndjenjë ndaj kombit, të qeverisjes së mirë, mendimit progresiv dhe ideve vizionare.
Parlamenti, me pak ndryshime, do të jetë një kosh i njerëzve memecë, që qeshin kur qesh shefi, zemërohen kur zemërohet ai, ngritin zërin si e ngrit ai.
Dëmi që i ka shkaktuar parlamentit shqiptar, por edhe shoqërisë shqiptare vendosja e gjithë politikës në dy duar, që, aq sa marrin e japin me njëri tjetrin, aq edhe janë hasëm të sho-shoqit, është e njohur për të gjithë. Politika është e nënshtruar, besnikëria quhet vlerë, ndërsa disidenti brenda forcës së tij politike zbohet dhe anatemohet. Kjo e ka shuar mendimin ndryshe brenda politikës, ka zbehur të vërtetën dhe ka dëbuar shumë nga njerëzit e mençur, që kishin edhe karakter të fortë. Tashmë, njësimi i njeriut me karakter dhe deputet nuk mund të bëhet më, veçse në raste të pakta, një përjashtim që e vërteton rregullin.
Në parlament do të jenë përsëri të besuarit e shefit të partisë. Pra, të besuarit e Edi Ramësdhe besnikët deri në fund të Sali Berishës. Ata që e tejkalojnë shenjën e besnikërisë, do të jenë edhe më të devotshmit, krahas atyre që do të jenë në gjendje të lëshojnë zarfe nën dorë për të pasur një vend të sigurte në listën e ardhshme për deputetë. Kjo ka ndodhur edhe më parë, kur , të panjohur, befas janë gjendur në listën prirës të forcës politike , e, kur pazaret janë prishur, sepse për pazare u futën aty, krijuan forca të veçanta politike, që , jam i bindur, do të jenë jetë shkurtra.
Pra, në vitin e ardhshëm njerëzit do të votojnë në shumicën e tyre për ato që do shefi i partisë, jo për atë që të jep besim më shumë, të përfaqëson më mirë, apo të mbështet më tej.
Në Shkodër, zgjedhjet lokale të vitit 2023 sollën një precedent që nuk mendohej. Përfaqësuesi i së majtës, një figurë e njohur familjarisht në dobinë e saj ndaj qytetit, gëzoi besim më të madh se sa vetë forca politike që përfaqësoi. Ai, dhe zonja Spiropali sollën shembullin që krijoi precedent të rëndësishëm politik, përmes secilit, ndërlidhja e mendimit dhe mbështetjes partiake me mbështetjen qytetare, është rruga më e duhur për të qenë i pranueshëm fillimisht, i besuar më tej, dhe i votuar në fund.
Tani, për cilët do të votojnë njerëzit. Për atë që do shefi i partisë, apo për ato që duan vetë votuesit.
Tani do të kemi edhe skena groteske. Deputetë apo ishe deputetë, që duan të jenë përsëri në parlament, do të shfaqen agresivë , sepse vetëm ashtu mund të jenë të besuar; do të jenë shumë të ballafaqueshëm, pasi kjo është shenjë e vetëmohimit. Në fund të fundit atyre nuk do i interesojë ai që quhet besim njerëzor, por vetëm besim i shefit.
Shumica qeverisëse prej kohe, sa herë që fiton, nuk e gjykon liderin e saj. Është një temë tabu, që është sanksionuar në heshtje.
Në opozitë, e gjithë kështjella e mashtrimit, për lëvizje të brendshme, apo unitet në diversitet, u kthye në një Pazar të Sali Berishës me Edi Ramën.
Problemi themelor i tij është rebelimi që mund të ndodhte në mesin e grupit të tij parlamentar.
“Rioshët” politik, të përfaqësuar nga dy figura që Berisha mendon t’i marrë me të mirë, duke ruajtur shpinën e tij, Bardhi dhe Salianji, i kanë të mprehura “ thikat” e përjashtimit të Berishës, por edhe të zënies së kalasë së tij nga brenda.
Ata kanë përjashtuar zëshëm që opozita të jetë. trashëgimi, kanë marrë mbi vete atribute që nuk i takojnë, dhe, më në fund, duke menduar se do të jenë në gjendje të luajnë më fort se sa “ i burgosuri në katin e nëntë”, pranuar gjunjëzimin e Berishës për 70 për qind të listës së mbyllur, duke menduar se janë ende të fuqishëm që shumica e atyre që do të jenë në vendet e sigurta, të jenë nga “ rioshët” e tyre.
Por ajo që u propagandua me forcë, si hapja e partisë, mendimi ndryshe, përcaktimi i anëtarësisë si vendimtar në përzgjedhjen e kandidatëve, të gjitha kanë rënë përfundimisht.
Në fund të fundit, edhe pas gjithë këtyre lëvizjeve dhe luftë të brendshme, me armiq të brendshëm he të përjashtuar, një gjë mbetet e sigurt: Partia Demokratike nuk ka forcë të reformohet, ajo mbetet e deformuar : pazari politik është thelbi i politikës së saj, ndërkohë qëndrimi i Njëshit vazhdon të jetë përcaktues.
Çfarë do të ndodhë tani?
Asgjë e jashtëzakonshme.
Do të vazhdojë e njëjta rutinë politike, ku më shumë se gjysma e parlamentit do të jenë “ shpirtra të vdekur”, dhe në të cilin do të ketë më shumë përleshje të vërteta brenda të njëjtit lloj, ndërsa në skenë do të luhen ata që kemi parë në të gjithë këto vite.
Gazeta Dita