2 Dhjetor 2022

Dy aktiviste shqiptare i kanë dërguar letër Presidentes e Komisionit Europian Ursula von Der Leyen duke i kërkuar reagim Europës përballë një ‘regjimi anti-demokratik dhe një qeveria të korruptuar që shtyp qytetarët e vet’.

Dy qytetaret shqiptare që jetojnë në BE, shprehen në letrën e tyre se në Shqipërinë e vërtetë, qytetarët jetojnë përditë dramën e një shpopullimi biblik, të drejtësisë së munguar dhe korrupsionit të pashembullt qeveritar

Sipas tyre, çdo qenie njerëzore që meriton të trajtohet me dinjitet, qytetarët shqiptarë nuk mund t’i gëzohen arrogancës dhe bullizmit me të cilën “Edi juaj i dashur” trajton popullin e vet, ndonjëherë duke ju përdorur dhe ju si mburojë.

LETRA E PLOTË
E dashur Ursula,

Qytetarët shqiptare ju dërgojnë këtë letër…
Shkurt, duan t’ju thonë që “Edi juaj i dashur” ju ka vizatuar një Shqipëri që nuk ekziston.

Në Shqipërinë e vërtetë, qytetarët jetojnë përditë dramën e një shpopullimi biblik, të drejtësisë së munguar dhe korrupsionit të pashembullt qeveritar.
Në Shqipërinë e vërtetë, qytetarët nuk mund të quajnë sukses inceneratorët imagjinarë, parcelat e drogës, aferën korruptive të portit të Durrësit apo frikësimin e medias.

Ata nuk mund të quajnë sukses as shkatërrimin e opozitës, ekzistencën e investitorëve strategjikë fantazma, kompanive off shore apo mafies së betonit.

E dashur Ursula, ndoshta ju nuk e dini, por në 2022, falë «Edit tuaj të dashur» çdo shqiptar i thjeshtë ka mbi kokë një spiun (të ashtuquajturit patronazhistë) që e survejon dhe kërcënon… sa herë të jetë e nevojshme.
Dhe si çdo qenie njerëzore që meriton të trajtohet me dinjitet, qytetarët shqiptarë nuk mund t’i gëzohen arrogancës dhe bullizmit me të cilën «Edi juaj i dashur» trajton popullin e vet, ndonjëherë duke ju përdorur dhe ju si mburojë.

E dashur Ursula, shqiptarët e thjeshtë po ju kërkojnë publikisht që Europa të mos sillet si një “bukuroshe e fjetur” përballë një regjimi anti-demokratik dhe një qeverie të korruptuar që shtyp qytetarët e vet.
Përndryshe, zgjimi do të jetë i dhimbshëm…për të gjithë!

Balkanweb