Edi Rama akuzon SHBA dhe Britaninë se janë pastruesit më të mëdhenj të parave të pista
10 Maji 2023
Nga Rigels SELIMAN
Kryeministri Edi Rama duket se ka humbur qetësinë pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë, ku theksonte se korrupsioni në vend është i shtrirë në të gjitha nivelet qeverisëse, ndërsa ngrihet alarimin edhe për krimin dhe lulëzim e pastrimit të parave.
Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, kryeministri Rama ka mohuar që Tirana të jetë një “lavatriçe” e pastrimit të parave të pista, kryesisht në fushën e ndërtimit. Rama u sfidua nga gazetarët lidhur me paratë që hyjnë në këtë sektor, por nuk dalin nga sistemi bankar.
Kryeministri e justifikoi këtë me investimet që bëjnë emigrantët me blerjen e apartamenteve, ndërsa akuzoi hapur SHBA dhe Britaninë se janë pastruesit më të mëdhenj të parave të pista. “Shqipëria ka një rezervë nafte shumë të madhe në emigracion. Sigurisht që një pjesë të blerjeve janë kontribut i atyre që janë jashtë. Jo të gjitha, por çdo ditë dhe çdo muaj drejtoria e pastrimit të parave bëjnë kontrolle nominale dhe të tepruara për blerës, kontrata noteriale. Po të ishte kjo 7X7=42, do e kishte kapur ndonjë institucion ndërkombëtar. Ndërkohë për raportet e DASH kam rezerva dhe i kemi shprehur me shkrim. Në New York po, në Londër po njëherë. Këto muhabete… Raporti i DASH, sepse kam bërë debate për raportet e DASH. Ato kanë një metodologji, që kanë një qasje, po ti lexosh me syrin tënd të dalin me probleme”, deklaroi ai.
Ndërkohë edhe më herët kreu i qeverisë ka sulmuar Departamentin Amerikan të Shtetit, duke thënë se nuk ka asnjë arritje në atë raport por është copy-paste nga ai i vitit të shkuar. “Paska plasur peshku për një raport vjetor të DASH se Amerika na paska thënë më në fund ato që opozitarët paskan thënë që në fillim!Kush e lexon çdo vit këtë raport e di që është aq shumë copy-paste i vitit më parë sa nuk figurojnë as arritjet që DASH i ka thënë vetë gjatë vitit” , shkroi Rama disa muaj më parë në Twitter.
Çfarë ka thënë DASH?
Kujtojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet e fundit në lidhje me pastrimin e parave thekson se Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim për luftën kundër pastrimit të parave. Sipas raportit thuhet se Shqipëria ngelet e ndjeshme për sa i përket pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare.
Ndër të tjera theksohet se krimet kryesore të gjenerimit të të ardhurave në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën. “Krime të mëdha që krijojnë të ardhura në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje në rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut”, thekson raporti.
Sipas DASH organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje me rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut. Ndërkaq theksohet se Shqipëria regjistroi disa përparime me përdorimin e ligjit të saj të konfiskimit antimafia, duke përfshirë konfiskimin e 40 përqind të pasurive që i përkisnin mbretit famëkeq të drogës Klement Balili, i quajtur “Escobar i Ballkanit”. “Reformat e vazhdueshme gjyqësore, duke përfshirë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të çrrënjosur korrupsionin nga sektori i drejtësisë dhe krijimin e njësive të shumta policore të specializuara që synojnë krimet financiare dhe ekonomike, kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për adresimin e pastrimit të parave.
Sidoqoftë, këto përpjekje vështirësohen nga sfidat e kapacitetit në institucionet e drejtësisë të krijuara së fundmi dhe korrupsioni i përhapur që minon shtetin e ligjit”, theksohet ndër të tjera në raportin e DASH për pastrimin e parave. Gjithashtu bëhet me dije se ligjet e fundit të ndryshuara nga qeveria shqiptare do të sjellin dhe përmirësimin e aftësisë së Shqipërisë për të luftuar pastrimin e parave dhe krimet financiare, megjithëse zbatimi ka qenë i paqëndrueshëm.
Gazeta Sot