Edi Rama do të largojë emra “VIP” nga PS, kryeministri po përgatitet të shkojë në zgjedhjet e 11 majit me…
13 Janar 2025
Kryeministri Edi Rama, nën presionin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) duket se po përgatitet për ndryshime drastike në ekipin e tij politik. Burime të brendshme pranë selisë rozë konfirmojnë se Rama synon të largojë disa nga figurat e njohura të PS-së, për të hapur rrugën për kandidatura të reja e të panjohura, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Rama po pret që të mos marrë veprime të parakohshme, pasi planet e tij mund të prishen kollaj nga hetimet e SPAK, që nga momenti në moment mund të arrestojë vartësit e tij me dosje. Ndonëse ende nuk ka një listë zyrtare, spekulimet janë të shumta mbi emrat që mund të preken nga ky spastrim politik.
Mes figurave që diskutohen si më të rrezikuara janë: Deputetë dhe ministra me peshë, të cilët kanë qenë për kohë të gjatë pjesë e strukturave drejtuese të PS-së. Personazhe që kanë humbur mbështetjen e elektoratit për shkak të akuzave për korrupsion ose performancë të dobët. Figura që nuk janë konsideruar si besnikë ndaj linjës politike të Ramës.
Karta surprizë e Ramës
Rama synon të sjellë në skenë emra të rinj e të panjohur, duke e cilësuar këtë si një shans për të ringjallur frymën e re në PS. Këto kandidatura pritet të jenë individë të suksesshëm në fusha profesionale të ndryshme, por që deri tani nuk kanë patur rol aktiv në politikë. Planet e Ramës kanë shkaktuar diskutime të shumta brenda strukturave të PS-së. Ndërsa disa e mbështesin qasjen si një domosdoshmëri për modernizimin dhe fuqizimin e partisë, të tjerë e shohin si një tentativë të Ramës për të forcuar kontrollin personal.
Sinjale te Ramës se do t’i largojë një nga një veteranët në PS nisën me Erion Veliajn, si edhe me Pandeli Majkon, të cilët janë nxjerrë jashtë loje me stil nga kryeministri. Po ashtu emra të tjerë të rëndësishëm në PS pritet të dalin jashtë loje nga skema me listat që do të përdorë Rama për zgjedhjet. Edi Rama ka thënë prerë se në listën e mbyllur do jenë vetëm të rinjtë, duke përjashtuar edhe veten e tij. Ai i ka paralajmëruar të vetët se do duhet të punojnë si ditën e parë të përfshirjes në politikë.
“Deputetëve tanë u them se cilido që dëshiron një mandat tjetër, e ka në dorë ta marrë duke punuar më shumë se ne tre vitet e marra së bashku”, tha Rama. Ai tha se të gjithë drejtuesit politikë dhe deputetët me mbi 2 mandate, do të jenë te lista e hapur. Kjo do të bëjë që një pjesë e madhe e tyre të spastrohet nga PS.
Jo vetëm kaq, SPAK mund të fundosë Belinda Ballukun, Taulant Ballën, Mirela Kumbaron, Pirro Vengun apo edhe Ogerta Manastirliun, të cilët kanë dosje të hapura në SPAK dhe akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive. Dosjet pafund që kanë mbushur raftet e SPAK po detyrojnë Edi Ramën të rishikojë ekipin e tij, duke analizuar mundësinë e ndryshimeve të mëdha në kabinet.
Ndryshimi
Këtë skenar e ka paralajmëruar dhe analisti Kreshnik Spahiu, i cili ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme pas imazhit të rrënuar të qeverisë Rama do të zgjedh personazhe të rinj e të panjohur si figura politike ku të gjithë ministrat të mos jenë deputet, të cilët nuk kanë profil të lartë dhe nuk kanë imunitet politik e si të tillë të hiqen e të vihen në çdo moment. “Rama do të vazhdojë të thellojë ngritjen e një qeverisje të re të PS, me ekspertë, me njerëz tërësisht të panjohur. Madje, një nga projektet pas kulisave që organizohet, pritet që të jetë një qeveri që përveç kryeministrit, të gjithë ministrat të mos jenë deputet, të mos jenë figura politike.
Do ngrihet një qeveri që do të ketë persona të cilët nuk kanë profil të lartë, nuk kanë imunitet politik dhe të hiqen e të vihen në çdo moment. T’i largohet skemës qeverisë-shtet e cila është shumë e dëmshme për Shqipërinë. Shqipëria nuk shkëputet dot nga forca që ka partia”, ka thënë ai. Edhe analisti Arion Sulo është shprehur ditën e djeshme se ka një përpjekje të Ramës për të eliminuar figurat e vjetra.
“Ajo që bën Rama me 30% e emrave të rinj apo nga jashtë, ka të bëjë me mbylljen e karrierës së figurave të partisë. T’i futësh këto figura të vjetra në listat e hapura do të thotë eliminim të tyre, për ta mbajtur partinë pa kundërshtarë dhe zëra kundra.
Berisha jo pa të drejtë mund të anojë nga ata qëndrestarët që iu bashkuan në betejën e tij (gazetari Arbër Hitaj paralajmëron me humor edhe deputetin Sula që iu bashkua vonë kryetarit). Pra do jetë i paragjykuar për hartimin e listës, si kreu i partisë që ka atributin. Rama eliminon elitën e partisë, s’do zëra kundër!”, thekson analisti.