Edi Rama është vatër e lajmeve të rreme, nga mashtrimet për marrëveshjen e emigrantëve, naftën në Shpirag, inceneratorët, “non grata” e Albin Kurtit, tek shëndetësia, bujqësia, pensionet dhe deri tek rrugët që i la “rrugëve”
17 Nentor 2023
Nga Gazeta Sot
“Kazanë, derra, zuzarë, Kadrinj, derrhane, hipokritë, parazitë, gënjeshtarë, avokatë gjynahqarë të krimit, dembelë, armiq, të papërgjegjshëm, të palexuar, gazetarëve tu vijë turp, gazetarët torolisin miletin, gazetarët janë shkaku i problemeve të vendit, gazetarët përçojnë akuzat si tel bakri, amplifikatorë thashethemesh, katund mediatik, qen, idiotë, të paditur, injorantë, flasin përçart, kokëbosh, të pirë, prostituta të informacionit, gazetat shqiptare “pengojnë aparatin tretës”, mediat janë skandalozë, përhapin lajme të rreme, shkelin dhe cenojnë dinjitetin e njerëzve nga mëngjesi deri në darkë, të pabesueshme, mjegullojnë të vërtetën, media po degradon çdo ditë, shfryjnë mllef e helm, pa etikë. Gazetarët e pabindur, do t’ju çoj në riedukim”. Këto ofendime dhe shantazhe ndaj fjalës së lirë, kryeministri Rama ka vite me radhë që i përsërit kur nuk i pëlqen e vërteta që media i plas në fytyrë.
Përherë kur demaskohet dhe “zhvishet” nga propaganda që nisi që kur hipi mbi karrigen e pushtetit, kryeministri Rama sulmon gazetarët duke e çuar vëmendjen e qytetarëve tek sherri dhe banaliteti. Arma e vetme e një gazetari dhe e profesionit të tij është fjala. Domethënë, nëse nuk kemi të drejtë të përdorim fjalën atëherë ne nuk jemi më gazetarë. Rama mund të gjente mënyra nga më të ndryshmet për të dhënë një përgjigje gjithë këto vite. Si kryeministër që është, mund të përdorte diplomacinë, mund të përdorte heshtjen, mund të përdorte çdo lloj mënyre për t’u përgjigjur, por ai gjithmonë ka zgjedhur arrogancën. Rama i quan gazetarët shpifës dhe përhapës të lajmeve të rreme, por ajo që do të renditim me fakte më poshtë tregon se kryeministri është “vatër e fake news-it”. Për të dezinformuar publikun, Rama ka një staf të gjerë që merret me kujdesin për imazhin e tij, duke e shndërruar të vërtetën gati në nivelet e diktaturës. Personi që merret me lavazhin e trurit të qytetarëve duke kontrolluar dhe disa media që në fund i bashkojnë interesat personale është Endri Fuga. Thuhet se ai drejton “ushtrinë e gjarpërinjve” prej 1 mijë vetash tek Pallati Kongreseve. Shënjestrat e tyre janë të qarta, të përcaktuara mirë nga kreu i qeverisë dhe “helmi” për publikun është i cilësisë së parë.
Rama vatër e “Fake Newsit”
Do të rendisim disa fakte për mashtrimet e Ramës duke u nisur nga debati në Forumin e Medias për Evropën Juglindore pak ditë më parë pas sulmeve ndaj medieve shqiptare, që sipas tij spekulojnë dhe nuk tregojnë të vërteta. Ai shkoi deri aty sa gazetarët i cilësoi bastardë. Rama tu shpreh se media gënjeu kur tha se do të vijnë vetëm meshkuj për marrëveshjen e emigrantëve, pasi do të ketë dhe femra. Por ky delir i Ramës nuk zgjati shumë, pasi atij i janë përplasur në fytyrë sulmet dhe përçmimet ndaj gazetarëve. Mes shumë reporterëve, ishte një gazetar që doli shumë i guximshëm dhe nuk i la gjë pa i thënë kryeministrit shqiptar. Ai ishte nga Mali i Zi dhe u shpreh se Rama nuk ka asnjë dallim nga presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan; ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski; kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban apo presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç sa i takon sulmeve ndaj medias. Rama tha se ka gazetarë bastardë, por ai ju kthye, duke thënë se një deklaratë e tillë është e papranueshme. Gazetari mori si shembull Malin e Zi, teksa u shpreh se për sa kohë politikanë si ai sulmojnë mediat, tregon se gazetarët janë duke shkëlqyer në punën e tyre.
Mashtrimi i Ramës me emigrantët
Po i nisim mashtrimet e Edi Ramës me marrëveshjen me emigrantët, e cila është më e freskëta. Edhe pse po përdoret politikisht nga kryeministri shqiptar, pasi gjasat janë se ngritja e një kampi refugjatësh në Shëngjin pritet të dështojë gjatë rrugës. Lajmi ishte mjaft i papritur pasi ky vendim i kryeministrit dhe qeverisë, nuk është konsultuar me askënd dhe nuk u është komunikuar as qytetarëve shqiptarë përpara se të shpalosej me bujë në një konferencë shtypi mes dy kryeministrave. Por, akoma më skandaloz është fakti që Rama, i kishte siguruar shqiptarët dy vite më parë, se Shqipëria nuk do të ishte asnjëherë një vend ku do të ndërtohej kamp refugjatësh për vendet e pasura.
Ky zotim i Ramës, vinte pas disa raportimeve në shtypin britanik, se një kamp për refugjatët që zbarkonin në MB, mund të ndërtohej në vendin tonë me një marrëveshje mes dy vendeve. Në vitin 2021, Qeveria dhe kryeministri i mohuan kategorikisht këto lajme.
Mashtrimi i Ramës me reformën në drejtësi
Kryeministri gjithë këto ditë ka përsëritur se ishte PS që bëri reformën rrënjësore në gjyqësor dhe amerikanët vetëm sa e mbështetën. Ai vijon të mburret dhe të trumbetojë se pa të nuk do të kishte reformë në drejtësi. Por e vërteta është ndryshe. Reforma u bë nga 140 deputetë dhe jo nga 65 të Ramës. Të gjithë e mbajnë mend se si PS tentoi ta miratonte Byronë Kombëtare të Hetimit nën varësinë e policisë me në krye Samir Tahirin, kur ambasador ishte Donald Lu, por SHBA e ndaloi. Po ashtu Rama kërkoi që anëtarët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të kalonin më parë nga zyra e tij, por edhe kjo nuk u pranua nga SHBA. Me pak fjalë, pa amerikanët sot do të kishim një drejtësi politike dhe jo një SPAK që arreston ministra, ish-ministra e ngre akuza ndaj ish-kryeministrave.
Mashtrimi i Ramës me naftën në Shpirag
Tashmë u bënë 10 vjet që Rama organizon konferenca, evente, mbledhje dhe simpoziume për të njoftuar pasurinë që do të na vijë nga zbulimet e naftës në Shpirag. Njoftime të ngjashme me këtë lajm i ka bërë në vitin 2014, pastaj në 2016-n, në 2019-n, vjet në korrik dhe i fundit ishte para 3 muajsh. Me shpërthimin e skandaleve dhe arrestimin e gjysmës së qeverisë i duhej sërish ky lajm që të mahnite qytetarët dhe të jepte shpresë në të ardhmen. Kryeministri madje tha se rezultatet e para do t’i shohim në tetor. Por tashmë po afron dhjetori dhe s’po na shohin sytë naftë.
Mashtrimi i Ramës me inceneratorët
Inceneratorët kanë dalë si një nga aferat më të mëdha në 32 vitet e pluralizmit shqiptar, ndërkohë që deri në fund Rama i ka mbrojtur projektet, të cilat SPAK i tregoi me fakte si skema korruptive. Në një prej debateve televizive, para disa kohësh ku denoncoheshin inceneratorët, Edi Rama me arrogancë ka thënë në studio: në qoftë se nuk do ishin këta si Klodian Zoto ju do të ishit pa bukë…
Mashtrimi i Ramës me “non gratën” e Albin Kurtin
Nëse gazetarët me lajmet e tyre janë kazan, Rama rezulton të jetë “kryekazani”, pasi gënjeu hapur të gjithë shqiptarët për informacionin nga burimet e tij më datën 8 qershor të këtij viti se kryeministri i Kosovës Albin Kurti do futet në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të konfliktit në Veri. Gjithashtu mediat e blera nga Rama përveçse raportuan qëndrimin e tij për Kurtin filluan që të pasqyronin dhe zëra të tjerë që mbështesnin këtë tezë. Kur kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga lajmi i Ramës, i cili rezultoi një “fake neës”, SHBA i ka dhënë shpesh gjithë këtë kohë “shuplaka” qëndrimeve të liderit shqiptar pasi amerikanët kanë treguar se Kurti është partneri i tyre më i besuar.
Mashtrimet e Ramës me pensionistët, pronat, BE etj
Qytetarët donin rritje pensionesh, por për të moshuarit jetesa u vështirësua akoma më shumë. Qytetarët donin një shëndetësi normale, por në vend të shëndetësisë falas, Edi Rama u dha klientëve me koncesion jetën dhe shëndetin e tyre. Këtë po e faktojnë skandalet tek “Hemodializa”, “Sterelizimi”, apo “Check Up” që janë nën hetim nga SPAK për shkelje dhe vjedhje galopante në dëm të qytetarëve.
Qytetarët donin të arsimohen më mirë, por me Edi Ramën, numri i nxënësve dhe studentëve ra ndjeshëm, shkollat u mbyllën. Qytetarët donin uljen e taksave, por me Edi Ramën përfunduan si qytetarët që taksohen më shumë në rajon. Qytetarët donin më pak korrupsion, por qeveria e Edi Ramës vazhdon të shpallet kampione europiane e korrupsionit. Qytetarët më fshat donin subvencione dhe disa investime normale për bujqësinë, por nuk morën kurrë asgjë nga qeveria e Edi Ramës. Madje lekët e taksapaguesve shqiptarë u vodhën nga “besnikët” e Edi Ramës . Qytetarët donin të merrnin e të gëzonin pronat sipas premtimit, por Edi Rama e dha bregdetin falas ose me 1 euro tek 4-5 oligarkë. Qytetarët donin të ishin sot anëtarë të Bashkimit Europian, por në fund të qeverisjes së tij, Edi Rama ka nisur një kurs përplasje me BE dhe SHBA, që rrezikon të na izolojë për interesat e tij personale. Qytetarët donin rrugë, por Edi Rama vazhdon i inauguron online. Rrugën e Arbrit e la rrugëve, Korçë-Ersekë dhe Qukës-Qafë Plloçë, mbeten ende të papërfunduara. Tani edhe një herë e bëjmë pyetjen sërish për lexuesit që duan të dëgjojnë të vërtetën, kush përhap “fake news”, mediat, apo Edi Rama?