Edi Rama i kundërpërgjigjet Albin Kurtit, paralajmëron realizimin e Shengenit Ballkanik edhe pa miratimin e kryeministrit Kosovar. 22 SHKURT 2020
Edi Rama i kundërpërgjigjet Albin Kurtit, paralajmëron realizimin e Shengenit Ballkanik edhe pa miratimin e kryeministrit Kosovar.
22 SHKURT 2020
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar edhe njëherë dje se është i vendosur për t’i shkuar deri në fund Shengenit Ballkanik. Pak kohë më parë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri Rama hodhën idenë e bashkëpunimit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa këtë iniciativë e bekuan me termin Mini-Shengen Ballkanik. Kjo ide e hedhur prej tyre, sot e kësaj dite ka ngjallur shumë debate, ndërkohë që liderët e Kosovës dhe Bosnjës janë rreshtuar kategorikisht kundër këtij bashkëpunimi. Por pavarësisht kritikave, shefi i qeverisë shqiptare ka shfrytëzuar dje praninë e përfaqësuesve të Kosovës e Bosnjë Hercegovinës në diskutimet për përshpejtimin e konkurrencës dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor për të cekur sërish temën e “Minishengenit” dhe dërguar mesazhe për liderët e tyre. Duke folur në këtë aktivitet, zoti Rama tregoi se është stoik dhe këmbëngulës, teksa theksoi se nuk ecet para me sytë nga e shkuara. Sipas tij, Bashkimi Europian do të jetë më i qetë në anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, nëse vendet e rajonit ndërveprojnë mes tyre. “Do të krijojmë një hapësirë ku mosmarrëveshjet nuk janë si deklarata para luftërave apo situata përkeqësuese, por pjesë e hapësirës ku nuk jemi të detyruar të biem dakord për çdo gjë, por për të gjetur një mënyrë për të mos rënë dakord. Pasi në fund të ditës cilësia e jetës nuk bazohet sa shumë biem dakord, por se si përmes mosmarrëveshjeve mësojmë më shumë për njëri-tjetrin dhe vazhdojmë duke mos pasur asnjë pengesë. Qasja që Bashkimi Europian do të ketë ndaj nesh do të jetë e lidhur me kapacitetet tona për të ndërvepruar me të tjerët. Sa më shumë bashkëveprojmë aq më shumë BE do të respektojë përpjekjet tona dhe do të jetë më e qetë për të na futur brenda”, deklaroi ai.
“Nuk jemi të detyruar të biem dakord për çdo gjë”
Kryeministri Edi Rama theksoi më tej gjatë fjalë së tij se vendet e Ballkanit duhet të jenë të bashkuar, pavarësisht se siç tha ai askush nuk është i detyruar të jetë dakord për një gjë të caktuar. “Kjo do që ne do të krijojmë një hapësirë ku mosmarrëveshjet nuk janë deklarata përpara luftërave, konflikteve, gjakderdhjeve, apo situatave përkeqësuese, por janë në fakt, pjesë e hapësirës ku ne nuk jemi të detyruar që të biem dakord për çdo gjë, thjesht jemi të detyruar të gjejmë një mënyrë për të mos rënë dakord. Sepse, në fund të ditës, cilësia e jetës në shoqërinë tonë, ose në familjen tonë, nuk bazohet në faktin sa shumë biem dakord me njëri-tjetrin, deri në ç’masë, por se si përmes mosmarrëveshjeve ne mësojmë më shumë për njëri-tjetrin dhe fillojmë të kuptojmë më shumë njëri-tjetrin dhe vazhdojmë duke mos pasur asnjë pendesë për të qenit sëbashku”, u shpreh ai. Ndërkohë, për ta plotësuar idenë e tij, kryeministri Edi Rama shembullin konkret e kishte në krahun e tij të majtë, Majlinda Bregun, e cila ka qenë ish-ministre e qeverisë Berisha dhe drejton Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal. Sipas tij, edhe mes kundërshtarëve mund të ketë bashkëpunim. “Faleminderit shumë zonja armike që ke ardhur këtu si mike! Të gjithë armiqtë e mëparshëm mund të kujtojnë të shkuarën, por duhet të shohin tek e ardhmja”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Gazeta Sot