Edi Rama ka thelluar retorikën, sjelljen dhe aktet e kohës së diktaturës? – Një tjetër gazetar për “riedukim”.
1 Korrik 2022
Një ngjarje në dukje pa ndonjë impakt dhe interes të madh publik ndodhi sot, por që është kuptimplotë dhe tregon simbolikën e mënyrës se si është qeverisur vendi gjatë 9-viteve të fundit.
Gjatë një konference rutinë për shtyp, që Edi Rama e mbajti me ministren e Jashtme në krah, u shënua një incident mes një gazetari të ri të A2CNN, Klevin Muka dhe kreut të qeverisë.
Shkaku i incidentit ishte pyetja e reporterit Muka për ministren e Jashtme, nëse ajo e ka zbatuar Kodit Etik të qeverisë i cili sanksionon se një anëtar i qeverisë nuk mund të takojë një biznesmen pa praninë e së paku dy anëtarëve të administratës publike.
Gazetari i A2CNN e pyeti Xhaçkën nëse ajo shoqërohet nga punonjës të administratës kur takon bashkëshortin e saj, Artan Gaçi. Kuptohet, pyetja e Klevin Mukës është ironike. Por, ajo është bazuar mbi një rregull të shkruar, të vendosur nga Rama në qeveri.
Ironia është mbi Xhaçkën e cila është nën akuzë nga opozita se ka përfituar nëpërmjet bashkëshortit biznesmen pasuri publike, por është edhe mbi këtë rregull absurd të qeverisë që një ministër s’mund të takojë një biznesmen “tet a tet” a thua se biznesmenët janë lebrozë.
Paradoksi qëndron edhe se, sipas Kodit Etik të qeverisë, një anëtar i kabinetit mund të takojë një kriminel apo ish-kriminel me dosje “dekriminalizimi”, por s’mund të takojë një njeri të biznesit pa praninë e të tretëve.
Në momentin e pyetjes – siç do ishte normale të ndodhte – Xhaçka buzëqeshi. Dhe në momentin që do të niste përgjigjen, ndërhyri kryeministri si një “protektor” i zemëruar.
Pa një, pa dy, ai e shpalli pyetjen si në shkelje të etikës dhe deklaroi se gazetari do të përjashtohej për 3 muaj nga pjesëmarrja në konferencat e shtypit në kryeministri.
Nëse kjo shpallje “non-grata” do të ndodhte për herë të parë, ky akt i Ramës mund të merrej si një ekstravagancë e tij. Por, ky sanksionim është i përsëritur dhe ka përfshirë më parë reporteren e Syri TV, Ambrozia Meta.
Përjashtimi i përsëritur i gazetarëve nga konferencat e shtypit, vetëm sepse pyetjet nuk i pëlqejnë kryeministrit, është një akt që ndodh vetëm në diktatura.
Nuk imagjinohet dot cdo të kishte ndodhur, nëse dicka të tillë do ta bënte Sali Berisha. Ai do të etiketohej – me të drejtë – si diktator, autoritar, armik i shprehjes së lirë, i mendimit ndryshe, etj.
Në fakt, në një vëzhgim të hollë, Edi Rama e ka theksuar sjelljen dhe retorikën moniste.
“Dërgim për riedukim” i gazetarëve, “bashkëqeverisje me popullin” nëpërmjet këshillimit kombëtar, “opozitë e vdekur” etj, të gjitha këto pra, janë terminologji jo e paqëllimshme që Rama e përdor në një kohë të vështirë për të. Ai synon të japë idenë e një njeriu të fortë dhe të fshehë cdo shenjë dobësie politike që mund të perceptohet si fillimi i fundit të tij.
Rritja marramendëse e cmimeve, kriza ekonoike tek dera, opozita në tentativë ringritjeje dhe një mjedis plot helm në parti, e detyron Edi Ramën të sforcohet dhe t’i dorëzohet akteve të harruara që nga koha e diktaturës.
Të përjashtosh një gazetar për 3 muaj vetëm pse nuk të pëlqejnë pyetjet e tij nuk është thjesht një sjellje prej autokrati, është sjellje prej diktatori. Tipari përbashkues i të gjithë diktatorëve në botë e në histori, është jo thjesht refuzimi, por luftimi i cdo lloj opozitë dhe mendimi ndryshe. Ata mendojnë se kjo është pikë e fortë e tyre. Por, njësoj sic komunizmi rezultoi një ideologji e dështuar, ashtu edhe ithtarët e tij nuk e kanë patur pushtetin e përjetshëm.
Me shpalljet non-grata të medias, Edi Rama vetëm sa e shton irritimin e njerëzve të lirë të këtij vendi, vetëm sa e thellon etjen për fjalë të lirë. Diktatorët rrojnë nga gënjeshtra, por sic thotë populli, gënjeshtra e ka jetën e shkurtër.
Gazeta Shqiptare