13 Shkurt 2025

Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar hapur dje SPAK dhe GJKKO duke dhënë sinjale se Reforma në Drejtësi mund të shkatërrohet. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, mbajtur ditën e djeshme, Rama u shpreh se drejtësia e re kanë shkelur të drejtat e njeriut me procese hetimore të ngjashme me metodat e ish Sigurimit të Shtetit. Duke iu referuar arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe hetimeve për kryetaren e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka, kreu i qeverisë Edi Rama tha se nuk do të heshtë më përballë shkeljeve dhe brutalitetit të SPAK dhe GJKKO ndaj qytetarëve.

Kërcënimet e Ramës ndaj SPAK dhe GJKKO

“Këtu duhet të marrim një përgjegjësi, që sot në debatin publik ka vetëm dy palë, njëra që duartroket dhe brohoret sa herë që shfaqet “gijotina” sipas asaj pale të gjithë janë për burg, për litar dhe për tu vrarë dhe tjetra është pala që sulmon në mënyrë bandistekse organet e reja të drejtësisë dhe që shënjestrën me libër shtëpie prokurorët dhe gjykatësit që bëjnë punën e tyre duke filluar nga kreu i SPAK, që ka mbështetjen tonë. Por mungon një pozicion konstruktiv, mungon një palë konstruktive që duhet të jetë edhe garante pavarësisë së gjyqësorit, por duhet të jetë edhe garantë e lirive, të drejtave, standardet demokratike.

Për mua është e pa konceptueshme që kryetarja e komisionit të ligjeve të Shqipërisë, pa hyrë në meritën e çështjes pa diskutuar fare a ka apo nuk ka të drejtë akuza që e përfshin në atë roman thuajse 400 faqe e merr vesh nga televizori, duke dëgjuar gazetarët speciale, të cilët disponojnë sekrete hetimore, që disponojnë ushqim që u vjen nga stacioni i trenit për t’u hedhur në pazarin e madh të gjësë së gjallë dhe për tu bluar në rrugët e rrugaçërisë. Kjo është e papranueshme. As dje, as sot dhe as nesër derisa unë të jem në krye të kësaj force politike, kjo forcë politike nuk do marrë përsipër të japë pafajësi për këdo që hetohet nga drejtësi.

E papranueshme dhe nuk do të hesht nga sot përballë shkeljeve flagrante të standardeve dhe brutalitetit të kujtdoqoftë që ushtrimin e forcës së konsoliduar të pavarësisë se vetëm idiot apo një maskara mund të thonë që pas kësaj, duart tona janë larg fare drejtësisë, nuk jemi këtu hunj gardhi që vetëm të përcjellim lajme e të japim mbështetje, të mos themi asgjë kur biem në gjurmë me ose pa dashje të episodeve si ky. Ne kemi marrë zyrtarisht certifikatën që duart tona janë larg fare. Ne nuk jemi këtu hunj gardhi që thjesht të përcjellim lajme dhe të mos themi asgjë kur biem në gjurmë me ose padashje të episodeve si ky.

Minimalisht kryetarja e komisionit të ligjeve duhej thirrur dhe duhej pyetur. Në cilën republikë jemi këtu. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë që janë një arsye për reflektim sepse gjithçka është ndërtuar me mund dhe falë përkushtimit dhe falë vullnetit dhe punës së prokurorëve dhe gjykatësve nuk mund të shembet, por duhet të mbrohet dhe forcohet duke vënë në pah të gjitha vrimat dhe të gjitha cedimet e murit të ri të drejtësisë”, tha Rama.

Kërkesa e Ramës

Nga mbledhja e grupit të PS Edi Rama kërkoi që seancat e marrjeve në pyetje nga Prokuroritë të regjistrohen. “Si ka mundësi Ulsi dhe ju njerëzit e drejtësisë, që kjo shumicë e qeverisë ka miratuar fonde, dy fonde janë në buxhet që janë komplet jashtë trajektores normal, fondi i mbrojtjes dhe i drejtësisë. Paga që nuk krahasohen me pagat e askujt këtu, fonde që nuk janë parë kurrë në historinë e këtij shteti dhe këta nuk kanë akoma mjetet për të regjistruar intervistat me peronat që marrin në pyetje, dhe në fund i japin një copë letër.

Ku jemi këtu ne. Në çdo film sa herë që dikush shkon atje te dhoma e hetuesve, e para njëherë i tregohen të drejta e dyta i shtypet regjistrimi. I mbajnë me orë të tëra dhe i japin një copë letër. Sikur të kishim ILD, në letër e kemi por në realitet? Të shohin si respektohen të drejtat. Kur futesh atje je në republikë tjetër? Vetëm se është prokuror është mbi ty? Je një mish që mund të shqyhesh sipas oreksit të njërit e tjetrit?”, tha Rama.

Rama do “kokën” e Erjon Banit, ILD vihet në lëvizje

Rama ka sulmuar direkt gjykatësin Erjon Bani, që firmosi arrestimin e Erjon Veliajt të dielën në mbrëmje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ai lexoi një mesazh nga një person të cilit nuk ia përmendi emrin, duke thënë se gjykatësi që firmosi arrestimin e Veliajt ishte zgjedhur enkas nga prokurorët dhe se ka firmosur gjithnjë vendime “me target njerëzit tuaj”.

Duke iu referuar gjykatësit Erjon Bani, por pa ia përmendur emrin, Rama e fajësoi atë për nxjerrjen e dosjes Toyota Yaris, mesazhet e së cilës kanë dalë tashmë dhe po lexohen në publik nga shefi i opozitës. Sipas të njëjtit mesazh, ky gjykatës ka qenë shok në zyrë me një nga deputetët e PD-së gjatë kohës kur ministër i drejtësisë ka qenë Eduart Halimi.

“Ky dhe një tjetër i njohur familjarisht si ekstremist i djathtë kanë trajtuar më së shumti kërkesat për eksponentë të PS-së. Bëhet fjalë për dy kamikazë të PD-së në GJKKO që nuk e kanë asnjë problem ta shprehin kënaqësinë e të marrit në dorë të këtij apo atij duke thënë se “do t’i shkrijmë,” tha ndër të tjera Rama. Kryeministri ka përmendur gjatë fjalës së tij në dëgjesën e Grupit Parlamentar edhe rolin e munguar të kreut të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj me kërkesë të SPAK-ut.

“Ndërsa në rastin e GJKKO-së ky është një rast që duhet parë, sa është ora 09:48 nuk e di nëse është zgjuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë por mbase zgjohet dhe më dëgjon. Është shumë e rëndë kjo”, vijoi ai. Pas presionit të Ramës, mësohet se Inspektori i Lartë i Drejtësisë  është vendosur në lëvizje për gjyqtarin e GJKKO, Erion Bani, për të hetuar nëse ka shkelje, vendime në kundërshtim të hapur me ligjin dhe në konflikt interesi.