Edi Rama mbledh qeverinë në Shkodër, takimit i bashkohen edhe 4 kryebashkiakë të opozitës! Ja kush iu është përgjigjur pozitivisht ftesës
9 Mars 2024
Disa prej kryebashkiakëve të opozitës iu janë bashkuar mbledhjes së qeverisë e cila zhvillohet ditën e sotme (9 mars) në Shkodër.
Në takim mësohet se kanë shkuar, kryebashiaku i Fushë-Arrëzit, Hilë Curri, ai i Pukës, Rrok Doda, kreu i bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi dhe i Kavajës, Fisnik Qosja.
Katër kryebashkiakët e opozitës kanë dalë nga listat e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Hilë Curri, Rrok Doda, Albert Mëlyshi dhe Fisnik Qosja i japë përgjigjur pozitivisht ftesës dhe kanë vendosur që të marrin pjesë në takimin e qeverisë në Shkodër, ku janë mbledhur kabineti qeveritar, si edhe drejtuesit politikë e krerët socialistë të bashkive.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku në një postim në Facebook njoftoi se në takim do të merrnin pjesë të 61 kryetarët e bashkive.
“Nisim takimin sot me anëtarët e qeverisë dhe 61 kryetarët e bashkive për sfidat dhe angazhimet e pushtetit vendor për Shqipërinë 2030”, shkroi ministri Mazniku.
Mbledhja e qeverisë
Kabineti qeveritar, zëvendësministra, drejtues institucionesh, por edhe të deleguarit e qarqeve janë mbledhur në Shkodër, ndërsa pritet që ata të diskutojnë me kryeministrin Rama përmbushjen e detyrave të caktuara nga analiza e shkuar, që u mbajt në Shëngjin në janar.
Në këtë analizë, që ndahet në disa panele, diskutohet edhe për angazhimin direkt në terren të strukturave socialiste për rigjallërimin e bazës së partisë deri në zgjedhjet e përgjithshme dhe kongresit të jashtëzakonshëm zgjedhor.
Prej disa javësh socialistët kanë zbritur në bazë, në takime me strukturat dhe kanë nisur procesin e zgjerimit në parti dhe fushatën reale të anëtarësimeve të reja.
I përzgjedhur si vendi për mbajtjen e kësaj mbledhje është stadiumi “Loro Borici”. Në orën 10.00 takimin do e hapë kryeministri Edi Rama me fjalën e tij që parashikohet se do të zgjasë 30 minuta. Më pas fjalën do e marrë ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku.
9 tryeza pune do të bëjnë bashkë ministra, zv/ministra dhe kryebashkiakë me fokus diskutimesh të sektorëve kryesore. Takimi mbyllet me fjalën e kryeministrit Rama që nis në orën 17.30 dhe me kohëzgjatje 60 minuta.
Gazeta Panorama