Edi Rama, njeriu antimedia apo antishpifje?! –
Edi Rama, njeriu antimedia apo antishpifje?! –
Në tri vitet e fundit, për herë të dytë kryeministri propozon ashpërsimin e një ligji të ri, për të frenuar atë që e konsideron shpifje nga “kazani politik dhe mediatik”. Reagimet e ndërkombëtarëve zbusin qëndrimet e kreut të qeverisë. A mund të cenojë ligji opozitën dhe lirinë e medias? Flasin pedagogia Belina Budini dhe analisti Mustafa Nano.
Nga Sebi Alla.
Raporti i kryeministrit me median gjithnjë ka qenë një marrëdhënie “dashuri & urrejtje”. E provoi vetë të ishte gazetar, analist, goditës e shpotitës i një pushteti, por edhe i goditur fizikisht nga pushteti, për aq kohë sa sulmohej fjala e lirë, në vigjilje të viteve 90’.
Tashmë në rolin e kryeqeveritarit, Rama po hedh për herë të dytë brenda tri viteve në tregun publik idenë e paketës “antishpifje”, që parashikon dënimin e të zgjedhurve, politikanëve dhe gazetarëve që shpifin ndaj qeverisë, zyrtarëve të lartë dhe deputetëve të tij.
Faza e parë ka nisur me urdhrin e AKEP për regjistrimin e të gjithë mediave online. Në këtë pikë pak reagime ka patur, pasi formalizimi mediatik, qoftë edhe i mediave online, konsiderohet nevojë në “histerizmin” masiv të hapjes së portaleve pa kriter. Nëse do ishte qëllimi për “rregullin mediatik”, kjo do kish kaluar më në heshtje, por projekti i qeverisë në atë që e quan “paketa antishpifje”, parashikon specifikisht dënimin me gjobë të çdo shpifjeje, nga politika ose media. “Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë. Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq”, deklaroi kryeministri.
Opozita dhe një pjesë e mediave në vend reaguan, por kryeministri po venit me vendosmëri çdo zë klithës se po “preket liria e fjalës”, por këtë “guxim” nuk e ka me organizmat ndërkombëtarë, që duket se është i detyruar t’i dëgjojë. “Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, -u shpreh përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir. Nuk kaloi shumë orë nga kjo deklaratë dhe Rama u shpreh i gatshëm për ta diskutuar këtë ide. “Bisedë e frytshme me Harlem Desir mbi përpjekjet për rend ligjor në median online.
Gati për të dëgjuar sugjerimet e kujtdo që do një media të çliruar nga shpifjet. OSCE_RFoM partner i çmuar në këtë betejë emancipuese”, shkroi Rama mesditën e së premtes. Po pse kjo nismë e Ramës që në tre vjet tenton dy herë për të imponuar ligjin antishpifje? Në vitin 2015 kryeministri Edi Rama parashtroi thuajse të njëjtën nismë, por në atë kohë e shtoi dozën e dënimit, që përveç gjobës parashikonte edhe burgun. “Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”- thuhej mes tjerash në propozimin e qeverisë shqiptare. Reagimet e brendshme, e veçanërisht nga ndërkombëtarët, që argumentuan se kjo prekte lirinë e shprehjes e veçanërisht cenonte punën e medias dhe ajo e para do ishte e prekur nga kjo nismë detyruan kreun e qeverisë të zmbrapsej, edhe për një tjetër fakt; -aleatja e saj bashkëqeverisëse LSI ishte kundër.
Koha ka ndryshuar, por situata në të cilën ndodhet qeveria është thuajse e njëjtë. Ndërsa shpërthyen akuzat për masivitetin e drogës e mbi të gjitha të dyshimit mbi lidhjen e “ministrit më të suksesshëm” Saimir Tahiri me grupin Habilaj në vitin 2015, Rama u kundërpërgjigj duke i konsideruar shpifje dhe lajme të rreme çka thuheshin për qeverinë e ministrat e tij dhe kërcënoi se do miratonte ligjin “antishpifje”. Në fund u tërhoq, madje pas kritikave nga OSBE kërkoi “ndjesë që propozimi ka hapur shteg për një keqkuptim të madh”. Situata po përsëritet tre vjet më pas. Në foltoret e partive opozitare dhe më pas edhe në media, “lajmi i ditës” lidhet me përgjime, akuza dhe dyshime për implikimin e drejtuesve të lartë të qeverisë dhe Partisë Socialiste në trafikun e narkotikëve dhe për lidhje me eksponentë të botës së krimit. Në tre javë prokuroria ka marrë dosje të shumta me politikanë që hyjnë e dalin me dosje në duar që kallëzojnë penalisht kundërshtarët. Të gjithë të akuzuar dhe të gjithë akuzues… Në kakofoninë e krijuar, analisti Mustafa Nano shprehet pro nismës për rregull në tregun mediatik. “Duhet vënë rregull në gazetarinë online. Sepse kështu si është, është e gabuar, është e padobishme, është edhe e rrezikshme”, shprehet Nano për gazetën Mapo. Për analistin Nano për të diskredituar qeverinë Rama nuk ka nevojë të kërkosh ndihmën e shpifjeve, pasi sipas tij kjo qeveri prodhon vazhdimisht skandale dhe nëse dikush i vë vetes si qëllim të merret me këto skandale, nuk do të ketë nevojë e kohë për shpifje. Prof. as. dr. Belina Budini, drejtuese e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET, e konsideron jo vetëm antidemokratike nismën qeveritare, por edhe një formë cinike. “Kërcënimi përmes dënimeve për shpifje do të prodhojë jo thjesht vetëpërmbajtje apo autocensurë nga ana e gazetarëve, por më pak hapësira, dritare, apo porta prej nga mund të dalin ca të vërteta dhe perspektiva të ndryshme”-gjykon Budini. Për pedagogen e komunikimit kryeministri Rama njihet për një formë dashuri dhe urrejtje me median, pasi edhe vetë ai në politikë u katapultua si një “produkt” i medias.
Gazeta: Mapo