Edi Rama po i përgatitë “kurthin” Albin Kurtit?
Edi Rama po i përgatitë “kurthin” Albin Kurtit?
NGA ALBULENË MUJI
MË 24 SHKURT 2020
Tendenca për ringjalljen e idesë për ndarjen e Kosovës
Edhe pse Kosova tashmë ka 21 vite që është liruar nga okupimi serb, ende Serbia punon që të vazhdojë copëtimin e saj. Përkundër që vendi ynë më 17 shkurt festoi 12 vjetorin e Pavarësisë, ka individë të cilët punojnë në ndarjen e saj.
Gjatë viteve të fundit u publikua një ide e re për shkëmbimin e territorit të Kosovës, por një gjë e tillë nuk u realizua. Në këtë ide u tha që pjesa veriore e Kosovës ti kalojë Serbisë, ndërsa Kosova Lindore, siç njihet si Lugina e Preshevës t`i rikthehet shtetit të saj amë. Por, një gjë e tillë nuk u arrit, pasi që kishte kundërthënie të shumta rreth kësaj teme.
Ndërkaq, kjo çështje u riaktualizua nga kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ditë më parë në intervistën për gazetën gjermane, Süddeutsche Zeitung, deklaroi se ”Projekti dështoi, por ideja nuk ka vdekur. Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjidhje të tilla për shkëmbimin e tokës do të hapnin kutinë e Pandorës”.
Për këtë çështje, ekspertët i japin të drejtë kryeministrit Kurti, pasi që kjo ide ende sillet nëpër “sirtarët e kuzhinave” dhe se temë është shqetësuese e cila paraqet kërcënim të rrezikshëm.
Elezaj: Udhëheqësit antishqiptarë asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga projekti i Serbisë së madhe
Rexhep Elezaj
Lidhur me këtë çështje, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se kryeministri Kurti ka të drejtë, dhe se fal Kancelarës, Angela Merkel si dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, ka dështuar me turp dhe përfundimisht.
“Kryeministri, Albin Kurti, ka pasur plotësisht të drejtë kur ka thënë se “projekti për shkëmbim të territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur..”, sepse, është e vërtetë se projekti famëkeq i Aleksandar Vuçiçit, Edi Ramës, Baton Haxhiut dhe H. Thaçit për korrigjim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht dhënien e Veriut të Kosovës Serbisë dhe bashkëngjitjen e Preshevës me disa fshatra Kosovës, projekt ky i kurdisur në Nish para 2 viteve, falë qëndrimit konsekuent dhe miqësor të Gjermanisë dhe Kanzelarës, znj. Angela Merkel si dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, ka dështuar me turp dhe përfundimisht”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Për më tepër, ai ka theksuar se duhet pasur kujdes pasi që ideja e një projektit të tillë nuk ka vdekur pasi që udhëheqësit antishqiptarë, shovinist dhe hegjemonist të Serbisë, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga projekti i Serbisë së madhe.
“Ndërsa, se duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ideja e një projekti të tillë nuk ka vdekur, po ashtu z. Albin Kurti, ka pasur të drejt, ngase udhëheqësit antishqiptarë, shovinist dhe hegjemonist të Serbisë, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga projekti i Serbisë së madhe, të cilët do bëjnë çmos me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme politike, diplomatike, madje edhe ushtarake, që në momentin e volitshëm politik në Ballkan, ta ripushtojnë Kosovën, siç kanë deklaruar në vazhdimësi shumë çetnikë në Beograd; “se edhe 1000 vjet do presim, dhe në momentin që amerikanët do të largohen nga Ballkani, ne do ta rikthejmë Kosovën në sovranitetin e Serbisë..”..!?Pra, duke i ditur këto synime hegjemoniste të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, kryeministri Albin Kurti, edhe ka deklaruar se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk ka vdekur. Por, edhe për shkakun e qëndrimit antikombëtar të disa tradhtarëve të kombit, të cilët me vite kanë lobuar fshehtë në qarqe të errëta, “se pas këmbimit të territoreve me Serbinë, do ta bëjmë bashkimin tonë kombëtar..”, dhe se gjoja shqiptarë, njëherë e përgjithmonë do përkufizohen me Serbinë, duke harruar faktin, se territoret e sotme të mbetura nën Serbi deri në Novi Pazar, Nish dhe Molla e Kuqe, janë toka etnike shqiptare!”, ka deklaruar Elezaj për “Bota sot”.
Po ashtu, ai ka shpjeguar se çfarë do të ndodhte në qoftë se do të hapej “Kutia e Pandorës”.
“Ndërsa, kur është fjala për hapjen e “Kutisë së pandorës”, është e qartë se në rastin e këmbimit eventual të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, me automatizëm do vinte tek luftërat e reja në Ballkan, ngase Maqedonia do copëtohej midis Bullgarisë, Shqipërisë e Kosovës, Sanxhaku boshnjak do i bashkohej Kosovës dhe Bosnjës, si dhe “Republika Srpska” do i bashkohej Serbisë sipas efektit “domino”, gjë që në rrethana të tilla askush nuk do mund t’i parashikonte pasojat si dhe përfundimin e ngjarjeve të tilla. Me siguri se do ndodhnin shumë tragjedi, spastrime etnike dhe ekzoduse të reja në Ballkan, andaj duke i ditur të gjitha këto rreziqe të mëdha, jo vetëm për Ballkanin, por për krejt Evropën, ndërhyrja dhe kundërshtimi i Gjermanisë dhe Francës për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, ishte i domosdoshëm për t’i penguar luftërat e reja si dhe ndryshimin e kufijve në Evropë. Mbase, çdo destabilizim i situatës në Ballkan dhe më gjerë në Evropë, do i shkon gjithherë për shtati vetëm Serbisë dhe Rusisë hegjemoniste të cilat kurrë nuk do heqin dorë nga synimet e tilla djallëzore për të dalë në detin Adriatik..!?”, ka potencuar Elezaj për “Bota sot”.
Gazeta Bota Sot