
Edi Rama: – Të hyjmë në BE para se Europa të na dredhin përsëri bishtin
3 Mars 2025
Kryeministri Edi Rama nga Athina tha se Bashkimi Evropian e do Shqipërinë ta ketë brenda vetes, ndaj duhet të shfrytëzohet ky moment, pasi nuk do të zgjasë përgjithmonë.
Kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria duhet të futet në Bashkimin Evropian përpara se sic tha ai “të na e dredhin përsëri bishtin”.
Shqipëria, tha Rama: Do ta ngrejë flamurin në BE dhe do të jetë e barabartë mes të gjitha vendeve të tjera.
“Sic ne duam të hyjmë në BE edhe BE do të na bëjë ne pjesë të vetën, kemi një afat kohor që kemi dakordësuar me ta. Brenda 2027 të mbyllim procesin e negociatave. Është afati më i shpejtë që i është dhënë ndonjë vendi në historinë e negociatave. Kjo sepse ata duan që të kenë Shqipërinë brenda vetes. Ky është një moment që nuk është gjithmonë. Ne duhet ta shfrytëzojmë tani. Ne këtu kemi qenë edhe kur i bënim mirë dhe ata na dridhnin bishtin.
Kështu që para se gjërat të ndryshojnë dhe ata të na dredhin bishtin përsëri ne na duhet që të hyjmë brenda. Kur dera të mbyllet dhe historia të fillojë nga e para ne duhet të jemi anëtarë me të drejta të barabarta dhe të ulemi sic uleni ju sot në të njëjtën tryezë me fqinjin grek.
Të ulemi krah për krah me Greqinë si dy vende të barabarta jo vetëm me zakon por edhe me ligj. Si ne si Greqia të jemi bashkë tek yjet e verdha të BE. Ky është momenti, është momenti historik. Është ngritja e dytë e flamurit. U ngrit në 1912 për tu ndarë nga një perandori që ra, por në këto vite të sovranitetit të brendshëm ne nuk patëm sovranitet të jashtëm, në kuptimin që u pamë dhe u trajtuam si inferiore edhe për shkakun tonë. Sot duke ngritur flamurin shqiptar atje, këtij sovraniteti i japim dimensionin e lirisë së garantuar”, tha kryeministri Rama.
Nga Gazeta Dita