
Edi Ramës nuk i mbetet shumë kohë për të shijuar luksin e pushtetit.
17 Mars 2025
… Nuk janë të pakta shenjat që tregojnë se Rama po përjeton ankthin e një lideri që e di që pas pushtetit nuk ka rrugëdalje të qetë.
Kryeministri Edi Rama i befasoi të gjithë kur më 10 mars, dy ditë para se të dilnin listat për zgjedhjet e 11 majit deklaroi se nuk e shihte të arsyeshme të kandidonte për deputet. “Mund të mos jem fare në listë,” tha ai me një siguri që dukej e pathyeshme. Dukej sikur kryeministri po i hapte rrugën një epoke të re, ndoshta një sakrificë për të mirën e partisë. Por kur u shpallën listat e Partisë Socialiste, realiteti ishte krejt ndryshe: Rama jo vetëm që u shfaq në garë, por e futi veten në listën e mbyllur të PS-së për Qarkun e Tiranës, duke siguruar një karrige të padiskutueshme. Po çfarë e detyroi Ramën të bëjë këtë kthesë dramatike? Kush e terrorizoi aq shumë sa e bëri të ndryshojë mendje në mënyrë kaq të rrufeshme? Përgjigja mund të jetë vetëm një: frika. Frika nga SPAK-u, nga malet me dosje korrupsioni që po rëndojnë mbi qeverisjen e tij, nga mundësia që ai të mos jetë më vetëm një spektator i arrestimeve, por protagonist i tyre.
Dosjet e korrupsionit
Me dhjetëra dosje që rrinë si mal në zyrat e SPAK-ut, Edi Rama duket se e ka kuptuar që rreziku i qelisë është më real se kurrë. Nga inceneratorët, tek afera e tenderave, nga koncesionet e errëta në shëndetësi, projektet fantazmë të rindërtimit dhe përgjimet e SKY ECC, të gjitha rrugët e korrupsionit të përmasave marramendëse të qeverisjes së tij duken se çojnë drejtpërdrejt te selia e Kryeministrisë.
Dhe kur fati i miqve të tij të afër, si Ahmetaj, Ilir Beqaj, Saimir Tahiri, Erion Veliaj, apo të tjerë që janë tashmë në hetim, ka qartësuar rrugën e ndjekur nga SPAK, Rama ka patur një moment “ndriçimi”: deputetët nuk arrestohen aq lehtë! Një mandat i ri si deputet mund t’i sigurojë një farë imuniteti, të paktën për disa kohë, dhe Rama duket se po e luan këtë kartë si një lojtar pokeri që kur të vijë momenti që t’i përgjigjet për akuzat e shumta, ai do të përdorë parlamentin si një bunker, duke shpresuar që mazhoranca e tij të vazhdojë të mbajë dyert e qelise të mbyllura për të. Nuk janë të pakta shenjat që tregojnë se Rama po përjeton ankthin e një lideri që e di që pas pushtetit nuk ka rrugëdalje të qetë. E përditshmja e tij nuk është më mbledhja e kabinetit, por manovrat për të ndaluar fatin e tij që po afrohet me shpejtësi.
Largimi i tij eventual nga pushteti mund të sjellë me vete një shok termik për qeverisjen, sepse pas tij janë një armatë oligarkësh, ministrash e zyrtarësh që po dridhen nga e ardhmja. Vetë Edi Rama ka qeshur me idenë se një ditë mund të përfundojë pas hekurave. Për vite me radhë, ai ka ironizuar SPAK-un, opozitën, median dhe qytetarët që kërkonin drejtësi për aferat që u bënë norma qeverisëse. Por ironia e fatit është e pamëshirshme: atij po i vjen radha. Dhe nuk ka meme, batutë, as pikturë që mund ta shpëtojë nga ky fund që e ka shkruar vetë.
Sanader, e ardhmja e frikshme e Edi Ramës
Gazeta “SOT” hoqi një paralele në një artikull disa ditë më parë të Sanader me Edi Ramën. Një lider që sundoi politikën kroate për vite me radhë, Sanader e shihte veten si të paprekshëm, derisa një ditë drejtësia trokiti në derën e tij. Ashtu si Rama, Sanader përdori pushtetin për të ngritur një rrjet të fuqishëm korrupsioni, duke shpërndarë koncesione, duke favorizuar oligarkët dhe duke ndërtuar një sistem që dukej i pathyeshëm. Por koha e tij mori fund me gjyqe spektakolare që ende vazhdojnë, me një drejtësi të ngjashme si SPAK që e çoi nga maja e politikës drejt qelisë së burgut.
Sanader u dënua 3 herë me një total prej afro 18-vite burg dhe është një shembull i gjallë i asaj që ndodh kur një kryeministër e konsideron veten mbi ligjin. Ngjashmëria mes Ramës dhe Sanaderit është e frikshme. Të dy kanë ndërtuar një pushtet absolut, të dy janë mbështetur tek oligarkët, dhe të dy janë përballur me një drejtësi që fillimisht dukej e pafuqishme por që, në fund, goditi pa mëshirë. Nëse historia përsëritet, atëherë Edi Ramës nuk i mbetet shumë kohë për të shijuar luksin e pushtetit. Sepse ashtu si Sanader, ai mund të përfundojë duke pritur me vite vendime të gjykatave në një qeli të ftohtë.
Nga: Elmas Bogdani