15 Korrik 2023
Pa leje dhe e shpejtë ka qenë goditja e Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skenderajt. Një ditë pune ka mjaftuar që monumenti i mbrojtur nga shteti të mbesë pa një pjesë. Në terren e sipas dy institucioneve kompetente, konfirmohet se Komuna e Skenderajt ka ndërhyrë jashtëligjshëm. Kryetari i komunës ka tjetër version tek thotë se ajo pjesë “ka mundur vetvetiu të rrënohet”, përderisa ekskavatorët e mjete të rënda janë parkuar një ditë pasi dëmi është shkaktuar. Kundër veprimit të autoriteteve komunale ka dalë edhe komuniteti kulturor
Kur i kanë mbetur dhjetë ditë që ta shënojë pesëvjetorin si monument, Shtëpisë së Kulturës në Runik të Skenderajt i janë futur ekskavatorët. Objektit të viteve ’50 të shekullit të kaluar – i cili pos vlerave arkitekturore, është një shenjë e kujtesës kolektive në këto anë – i është rrënuar një pjesë anësore. Krejt kjo ngjan në emër të një projekti më madhor komunal.

Dy institucione e kanë konfirmuar se ndërhyrjet janë të paautorizuara e të jashtëligjshme. Komuna e Skenderajt e mohon të jetë prekur monumenti përkundër gjendjes në terren. Ka edhe një version se si mund të jetë shembur një pjesë. Për rastin, të menjëhershme kanë qenë reagimet e komunitetit kulturor.

Shtëpia e Kulturës në Runik, 64 kilometra prej kryeqytetit, më 25 korrik të vitit 2018 u fut në Listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme. Sebep u bë ringjallja me art që i bëri atë kohë artisti me famë botërore, Petrit Halilaj, i lindur në këtë fshat, e të cilin e ka promovuar në galeritë më me nam në botë, deri në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie.

Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, mbrojtja i bën të paprekshme për aq kohë sa janë në Listë. Qoftë edhe për ndërhyrje krejt minore – edhe në objekte përreth – janë organet qendrore të trashëgimisë që lëshojnë leje e pëlqime.

Por për Komunën e Skenderajt kjo nuk vlen. Së paku jo në rastin e monumentit në Runik.

Image
Muret e pjesës së majtë të objektit – edhe ashtu të lodhur e të harruar ani pse monument – tashmë janë shembur. S’i ngjan një monumenti të mbrojtur nga shteti, sikurse edhe shumë të tilla monumente nëpër Kosovë që mbrohen me letra

Konfirmimi i shumëfishtë për ndërhyje të jashtëligjshme

Ekskavatorë, kamionë e mjete të tjera të rënda pune, të premten kur ekipi i KOHË-s ka qenë në Runik, kanë qenë të parkuar. Por dëmi tashmë ishte bërë. Muret e pjesës së majtë të objektit – edhe ashtu të lodhur e të harruar ani pse monument – tashmë janë shembur. S’i ngjan një monumenti të mbrojtur nga shteti, sikurse edhe shumë të tilla monumente nëpër Kosovë që mbrohen me letra.

Megjithatë, e prerë ka qenë Ministria e Kulturës në reagim. E ka konfirmuar se bëhet fjalë për ndërhyrje të jashtëligjshme njësoj siç ka bërë edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Mitrovicës. Zyrtarë të saj kanë qenë në terren.

Edhe në raportin “Informatë mbi ndërhyrjet në monument – Shtëpia e Kulturës, Runik” adresuar Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe zyrtareve të MKRS-së, e të cilin e ka siguruar KOHA, QRTK-ja të premten pasdite i ka njoftuar për gjendjen në terren, ndërhyrjet dhe pasojat.

Ministria e Kulturës ka reaguar duke ia bërë me dije Komunës së Skenderajt se Shtëpia e Kulturës është aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje, si dëshmi e historisë kulturore dhe rëndësisë së saj për banorët e Runikut dhe fshatrat rreth tij”.

“Ndërhyrjet degraduese nga ana e Komunës së Skenderajt janë bërë pa pëlqimin e institucioneve të MKRS-së dhe në kundërshtim me Ligjin për trashëgiminë kulturore. Institucionet përgjegjëse të Ministrisë menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes për të bërë vlerësimin fillestar të gjendjes, ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë hapat ligjorë për ndalim të punimeve të paligjshme nga ana e autoriteteve komunale”, shkruhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës.

Në këtë frymë ka qenë edhe përgjigjja që ia ka dhënë KOHË-s, e më pas e ka postuar edhe në rrjete sociale. Ka shkruar se në kuadër të programit vjetor ka paraparë buxhet për rinovimin e Shtëpisë së Kulturës “në mënyrë që ky monument të rijetësohet dhe të vihet në shfrytëzim për komunitetin e Runikut dhe më gjerë”.

“Prandaj, i apelojmë Komunës së Skenderajt që të ndërpresë veprimet e paligjshme, dhe njëkohësisht rikujtojmë që mbrojtja e vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shtetërore, qendrore e lokale”, ka shkruar Ministria në reagim.

Komuna e Skenderajt ka qenë në dijeni se duhet leje për ndërhyrje në monument. Këtë e dëshmon edhe me hapat që ka ndjekur, por ka nisur punë ende pa marrë leje nga institucionet kompetente për trashëgimi kulturore.

Mujë Igrishta është zevëndësdrejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimitë Kulturore të Mitrovicës, e cila është përgjegjëse edhe për trashëgiminë kulturore në Skenderaj. Të premten ka qenë në Runik.

“Të premten e javës së kaluar e kemi pranuar projektin e Komunës së Skenderajt për Shtëpinë e Kulturës në Runik. Në bazë të asaj që na obligon ligji, kemi kërkuar që të plotësohet edhe me kërkesën e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës. Pasi është plotësuar, dje (të enjten v.j.) e kemi përcjellë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ndërsa po mbrëmë (e enjte v.j.) jemi informuar se atje kanë nisur punimet. Sot (e premte) kemi qenë në terren dhe e kemi konstatuar se kanë nisur punimet”, ka thënë Igrishta për KOHËN nëpërmjet një bisede telefonike. Ka thënë se Komuna e Skenderajt ka qenë e informuar për hapat që duhet të ndjekë në rastin e Shtëpisë së Kulturës.

“Kemi pasur takime edhe paraprakisht dhe u kemi treguar të gjitha procedurat që duhet të ndiqen nga Komuna. Por, me sa kemi parë në terren, gjë për të cilën po e hartojmë edhe një raport, atje janë bërë ndërhyrje të paautorizuara nga institucioni kompetent. Kemi njoftuar institucionet, përfshirë edhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore”, ka thënë Igrishta. Disa orë pas kësaj përgjigjeje, Igrishta e ka nisur raportin. Në terren ka qenë tok me “stafin profesional të QRTK-së së Mitrovicës dhe në koordinim me përfaqësuesit komunalë ku të pranishëm ishin: Alban Berisha, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Valon Haliti, drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit Komunal”. Në Raport është shkruar konstatimi.

“Në monument dhe në objektet afariste në afërsi të tij janë zhvilluar aktivitete të pastrimit dhe rrënimit të pjesëve të monumentit”, shkruat në të parën fjali të këtij konstatimi nga vizita në terren. Siç e ka parë edhe KOHA në terren, edhe në Raport shkruhet se nga “rruga kryesore shesh-ndërtimi është rrethuar me shirita dhe në hyrje në pjesën e epërme të parcelës është vendosur tabela informuese. Anët e tjera nuk janë të rrethuara. Në oborrin, para fasadës ballore, janë të parkuar kamionët transportues dhe bagerat”. Prej informatave që hartuesi i raportit ka marrë prej zyrtarëve komunalë, ai thotë të jetë informuar se “për ndërhyrjet në monument, organet komunale nuk kanë lëshuar asnjë lloj lejeje”.

“Nga zyrtarët komunalë u ndamë me sugjerimin që organet komunale të pezullojnë aktivitetet ndërhyrëse në monument deri sa të njoftohen zyrtarisht nga instancat më të larta të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës për procedurat dhe veprimet”, shkruhet aty.

Image
Shtëpia e Kulturës në Runik, 64 kilometra prej kryeqytetit, më 25 korrik të vitit 2018 u fut në Listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme. Sebep u bë ringjallja me art që i bëri atë kohë artisti me famë botërore, Petrit Halilaj

Dënimet për ndërhyrje të paautorizuara në monumente të mbrojtura, janë të qarta. Demolimi pa lejen e institucioneve kompetente të trashëgimisë kulturore sanksionohet dhe me Kodin Penal.

Në Raport bëhet i ditur edhe një tjetër fakt, se për procedurat Komuna e Skenderajt ishte njoftuar edhe në majin e sivjetmë kur kishte dorëzuar projektin që përfshin edhe monumentin.

“Për shqyrtimin e lëndës në fjalë, QRTK-Mitrovicë, ka dorëzuar kërkesën me dy projekte (njërin projekt i punuar nga Komuna e Skenderajt dhe tjetri projekt financuar nga QRTK-Mitrovicë). Shqyrtimi i projekteve në fjalë, është caktuar ditën e martë më 18. 7. 2023”, shkruhet në Raport.

Por katër ditë para shqyrtimit të projekteve, Komuna e Skenderajt ka ndezur mjetet e punës që kanë rrënuar një pjesë të monumentit. E ka bërë këtë tek ka nisur projektin madhor “Rregullimi i sub-qendrës së Runikut”.

Por tjetër version ka kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura. Thotë se monumenti nuk është prekur.

Nura: Ka mundur vetvetiu të rrënohet

“Nuk është e vërtetë. Unë hiç më larg se dje kam qenë dhe e kam vizituar. Mund të ketë, se ai objekt ka qenë i dëmtuar nga lufta dhe ka mundur vetvetiu të rrënohet. Është i dëmtuar, është e vërtetë. Por, që ne nuk e kemi rrënuar dhe nuk e kemi në plan”, ka thënë Fadil Nura të premten për KOHËN. Ka shtuar se po presin përgjigje nga Ministria e Kulturës dhe se objekti do të restaurohet.

“Përndryshe në kuadër të projektit tonë ai objekt do të jetë i restauruar edhe nga mjetet tona vetanake. Por që Ministri, në takimin që kam pasur më ka premtuar që do të ndajë mjete për këtë objekt. E di që është i planifikuar në buxhet dhe po presim të nënshkruajmë memorandumin e bashkëpunimit për bashkëfinancimin e atij objekti”, ka thënë Nura.

Edhe në një tjetër rast e ka përsëritur se “nuk ka asnjë rrënim të atij objekti”.

“Pozicionet që nuk e cenojnë atë objekt, sigurisht kemi filluar me punë, janë pozicione të largëta që janë kritere se në sa metra mund të punohet në afërsi të atij objekti dhe ne do të vazhdojmë, por po e presim Ministrinë. Nëse Ministria nuk është e gatshme ta harmonizojë projektin tonë që e kemi diskutuar me qytetarë atëherë ne do të vazhdojmë ta implementojmë duke respektuar në tërësi objektin ekzistues dhe restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik”, ka thënë Nura, duke shtuar se para nisjes së projektit, në diskutime, “deri në 95 për qind e 100 për qind” kanë qenë që ai objekt, Shtëpia e Kulturës, të hiqet tërësisht. Ka kujtuar se ka qenë komuna ajo që ka kërkuar pesë vjet më parë që objekti të futet në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme tek e ka theksuar se “nuk është nën mbrojtje të përhershme”.

“Unë kam insistuar që ai objekt të mbetet dhe ashtu e kemi lënë… objekti është i paraparë të restaurohet dhe rregullohet. Pastaj sipas projektit, janë të përfshira lokale afariste, pjesë për kulturë dhe rini, hapësira rekreative. Flas për një projekt që është hartuar në komunikim të plotë me qytetarët me ekspertë të fushës sigurisht edhe instruksionet tona si Komunë”, ka thënë Nura.

Edhe në të tjera raste, ka mohuar me ngulm rrënimin. “Çdo zë që pretendon që kemi bërë diçka në drejtim të rrënimit të saj, është absolutisht i paqëndrueshëm”, ka thënë Nura.

Por zërat për ndërhyrje të paautorizuar në monument, nuk janë të paktë dhe vijnë edhe jashtë institucioneve.

Image
Rrënimi i një pjese është vetëm goditje e radhës. Bërllok në hapësirat e brendshme, çarje në mure e zgavra në pullaz janë vetëm disa prej imazheve të kahershme të Shtëpisë së Kulturës

Thirrjet për rikthimin e jetës së Shtëpisë së Kulturës

Me një reagim të gjatë i është adresuar pikërisht kryetarit të Skenderajt, në atë që është nënshkruar si “Letër nga qytetarët dhe komuniteti artistik i Runikut”.

“Jemi tejet të pikëlluar pasi mësuam lajmin për ndërhyrjet degraduese dhe joligjore në hapësirat e ish-Shtëpisë së Kulturës në Runik”, shkruhet ndër të tjera. Aty shpaloset edhe një historik i objektit.

“Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Shtëpia e Kulturës në Runik funksiononte si bibliotekë me 7000 libra, me teatër, si dhe kooperativë bujqësore. Gjatë kësaj kohe, ajo kishte mbledhur rreth saj aktivitete kulturore e artistike dhe si të gjithë komunitetin. Ajo ka shërbyer si hapësirë aktive deri në vitet e ‘90, kur situata politike u përkeqësua dhe ndërtesa u mbyll padrejtësisht, ndërsa gjatë luftës ishte zhveshur nga përmbajtja e saj”, shkruhet në reagim. Përmendet koha kur u shpall monument.

“Në vitin 2018, përmes performancës artistike ‘Shkrepëtima’, artistë dhe hulumtues e patën ringjallur jetën dhe memorien kolektive të kësaj hapësire duke i bërë pjesë të saj banorët, mësuesit dhe gjeneratat e ndryshme. Në saje të këtij projekti dhe angazhimit qytetar ky objekt sot i ka shpëtuar privatizimit dhe shkatërrimit të mëtejshëm”, shkruhet në reagim.

Pikërisht “Shkrepëtimën” e Petrit Halilajt e ka përmendur edhe antropologu Arsim Canolli në një reagim publik.

“Ndërhyrja komunale (Skenderaj) në Shtëpinë e Kulturës në fshatin Runik, e cila është e mbrojtur si trashëgimi kulturore, pa leje dhe pa miratim, nuk duhet të lejohet. Për më tepër, ajo shtëpi lidhet edhe me artistin Petrit Halilaj, që vjen nga ajo zonë dhe ka realizuar edhe punën e tij aty. Më kujtohet drama e tij ‘Shkrepëtima’ në vitin 2018, në atë shtëpi. Në një të ardhme, ajo edhe mund të ridestinohet në një shtëpi kulture e muze për veprat e Petrit Halilajt. Por, me leje”, ka shkruar Canolli, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Shtëpia e Kulturës është lënë pas dore që prej pasluftës, përjashtuar ditët kur u pastrua e iu dha një tjetër imazh në ditët e “Shkrepëtimës” në verën e pesë vjetëve më parë.

Rrënimi i një pjese është vetëm goditje e radhës. Bërllok në hapësirat e brendshme, çarje në mure e zgavra në pullaz janë vetëm disa prej imazheve të kahershme.

Por ndryshe e mban në mend Zejnije Selmani, e vetmja punonjëse në bibliotekën e fshatit Runik, vendosur në objektin nja 200 metra prej Shtëpisë së Kulturës.

“Shtëpia e Kulturës ka shërbyer deri në vitet e ‘90, derisa kanë ardhur masat e dhunshme. Ka qenë biblioteka, salla e amfiteatri. Janë shfaqur programe që janë dhënë për ditën e shkollës, kanë ardhur nga Skenderaj, prej shkollave të tjera kanë dhënë programe. Në vitet e ‘90, masat e dhunshme e kanë mshelë, është demoluar edhe biblioteka që ka ekzistuar aty edhe është shkatërruar, salla e çdo gjë”, ka kujtuar ajo. Aty do të merrte pjese në programe e do të shikonte filma.

“Shumë ka qenë e zhvilluar jeta kulturore, edhe në shkollë ka pasur shumë aktivitete. Në përgjithësi jeta ka qenë shumë më e mirë se tani pas lufte”, ka thënë Selmani, e cila edhe tre vjet pret të pensionohet.

“Tjetër ëndërr nuk kam, vetëm ta shoh edhe njëherë siç ka qenë në vitet 1974 e 1975 qendra e Runikut, me bibliotekë e me të gjitha”, ka thënë ajo.

Gazeta Koha, Prishtinë.