Ekskluzive /Intervista e fundit e Moikom Zeqos: – Plotësova veprat, s’kam më kohë! (8 qershor 2020)
Ekskluzive /Intervista e fundit e Moikom Zeqos: – Plotësova veprat, s’kam më kohë! (8 qershor 2020)
Shkrimtari, poeti edhe arkeologu Moikom Zeqo (1949, Durrës-2020, Tiranë) në këtë rrëfim të fundit mediatik ndalet tek botimi i fundit, “Fata Morgana”, kritika që i bën në Plenumin e IV-të dhe politika sot
Valeria Dedaj
20 Qershor 2020
“Rafti me poçe dhe pjata në kuzhinën e nënës, si një Olimp me Zotat në gjumë të thellë të përjetshëm. Ç’orbita ëndërron koka ime e prerë nga trupi? Shpesh jashtë kohës jam, si endacaku që nuk pati kurrë shtëpi, si udhëtari i vetëm në stacion, ku nuk vinë kurrë trenat e vjetër. Jashtë kohës? Mos i përkas një tjetër universi, një tjetër lloji të species?”
Poeti i metaforave të mëdha, poliedriku Moikom Zeqo, një ditë para shtrimit në spital (8 qershor 2020) endej mes entuziazmit të botimit të tij të fundit dhe lodhjes fizike që e kish kapluar vrullshëm…
“Ky botim qe pjesë e periudhës së pandemisë në një kuptim, sepse kisha shumë kohë të lirë. Është pjesë e koleksionit tim, të cikleve, që kam bërë unë me poezi. Edhe besoj se është plotësimi i veprës sime, duke mos e ditur që nuk kam më kohë të tjera. Është një finalizim i veprës sime poetike. E shikoj, që edhe koha fizike që më ka mbetur nuk është më aq e gjerë, edhe aq në dispozicion. Kështu që jam shumë i lumtur, që e botova edhe këtë libër”, do të shprehej Moikom Zeqo, një javë para se të shuhej nga jeta për “ReporTV”.
Në duar mbante me përkëdheli vëllimin “Fata Morgana”, në kopertinën e së cilës pat shënjuar gjurmët e duarve të mbesës së dashur (e cila mban emrin e nënës së tij) Pandora-s, ndoshta ndaj, edhe për këtë sytë shndrinin, me një përlotje përmallimi…
“Happy birthday gjyshi, arriti që ta thoshte. Mirëpo, në dorën e vet kishte marrë akuarel, edhe me këtë bëra kopertinën e librit. Është një gëzim i paparë”, rrëfente poeti.
Në këtë rrëfim të tij të fundit mediatik,njeriu i dijeve të gjithanshme, i letërsisë, arkeologjisë, pikturës, historisë, studimeve, mendimtari i pazakontë, kritiku, tregon copëza nga krijimtaria e tij, jeta personale, por edhe shqetësimet mbi trashëgiminë e ngjarjet politike.
“Unë kam pas fatin e madh që kam lindur në qytetin e Durrësit. Kam lindur në një shtëpi që është 50 metra larg shtëpisë së Aleksandër Moisiut edhe Kullës Bizantine. E habitshme është që një nga vegimet e mëdha të mia, qe legjenda e Holandezit Fluturues. Kjo është një legjendë e popujve veriorë të Evropës, që ka si subjekt një kapiten apo detar të mallkuar, që anija e tij fluturon edhe nuk mund të ndalet. Ai mund të ndalet dhe të fluturojë në fund, nëse gjen dashurinë e një gruaje të vërtetë. Natyrisht që historia nuk është kaq pozitiviste. Por, ideja e një fluturimi pafundësisht në qiej, unë kam shkruar për holandezin fluturues, pa e ditur se një ditë në këtë vend do të jetonin edhe vajzat e mia. Qenë imazhe, imazhet janë ato që e bëjnë poezinë. Poezia është një dëshmi e brendshme e poetit, më shumë sesa mund të jenë librat e tjerë”.
Në orët e para të mëngjesit, në 15 qershor të 2020-s, jeta e tij fizike u ndërpre në moshën 71-vjeçare, pas betejës 5-vjeçare me leuceminë akute, por Moikom Zeqo, jeton në një vepër sa madhështore, aq edhe të mistershme, që pret të zbulohet nga “kërkuesit e thesareve letrare”.
“Kam përkthyer në këtë libër dhe një pjesë të madhe të krijimtarisë së Pindarit, për arsye se në poezinë time ka shumë pindarizëm. Kalohet nga një varg në një tjetër, edhe të duket se nuk kanë lidhje vargjet me njëri-tjetrin, por kanë një lidhje të brendshme. Të gjitha këto janë një dëshmi për të treguar se unë kam konstruktuar stilin tim. Poezitë nuk kanë historicitet, ky diskutim është bërë gjithmonë. Poezia e Homerit nuk ka historicitet, pavarësisht se flet për ngjarje historike. Është e përjetshme. Unë mendoj se poezia i kapërcen kohërat. Ka disa koncepte të kohës. Është për shembull koha astronomike,që mund ta masim përmes orëve atomike, por është edhe një koncept i kohë poetike, që s’ka përmasa, s’mund të thuhet se ku është e kaluara, e ardhmja apo se çfarë mund të ndodh me kohën poetike”.
Ndonëse si libër të jetës, ai konsideronte “Kështu foli Mona Liza”, të cilin së fundmi po e zgjeronte dhe e ripërpunonte, ndër më të rëndësishmit, konsideronte edhe përmbledhjen me poezi “Fata Morgana” ndërtuar mbi metaforën e “një mirazhi të jashtëzakonshëm”, që shfaqet në horizontin e detit. Ky libër përmbledh 2 etapa të rëndësishme të krijimtarisë së shkrimtarit, poezitë e vitit 1973, ku siç thoshte është VETVETJA dhe ato të vitit 1993, kur pas 20 viteve të “harrimit të poezisë” ai kish fituar një pjekuri krijuese të pakrahasueshme, me të tjerë.
“Historia është pak më e ndërlikuar. Unë isha redaktor në gazetën “Drita” deri në vitin 1973. Pastaj nga Plenumi IV më larguan, pasi më kritikuan për hermetizëm. Nuk më kthyen në Durrës, por më çuan në Rrogozhinë. Kjo është e vërteta! Por, në vitin 1973 unë botova një numër të madh poezish, në gazetën “Drita”, “Zëri i Rinisë” edhe revistën “Nëntori”. Ndërkohë, kisha shkruar librin tim më të ri, “Peshku me krahëza fluture”, që e çova në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Natyrisht, që ky libër nuk u botua. Një pjesë e këtyre poezive të pabotuara i gjeta në dorëshkrime, edhe i kam botuar në këtë libër. Në atë kohë unë isha 24 vjeç, edhe mendoj se kisha shpikur stilin tim.
Unë pata një zhgënjim pas ‘73, por më ndodhi një gjë e çuditshme, poeti i Kosovës Rrahman Dedaj mori një pjesë të cikleve të mia të botuar në gazetat e kohës, ’71,’72 dhe ’73 edhe botoi në Prishtinë librin “Brenda vetes”. Unë nuk e dija që ishte botuar ky libër, vetëm në ‘99 e kam mësuar nga Biblioteka e Kosovës se ekzistonte”.
Kush ua bëri karakteristikën kur iu larguan për në Rrogozhinë?
“Karakteristikën që më bënë kur më larguan, sepse unë isha redaktor i gazetës “Dita”, e kanë shkruar emra shumë të rëndësishëm të asaj kohe. Shkrimtarë të rëndësishëm, që nuk dua t’i përmend…”.
Megjithatë…
“Dritëro Agolli e shkroi karakteristikën time, ai e shkruajti. Kjo mua më dëmtoi, sepse konsiderohesha si njeri me ndikime të huaja. Pastaj shkova në Rrogozhinë, por interesante është që poezitë e viteve 1973 janë një vijë kufitare për mua, unë nuk shkrova më poezi për shumë vjet. U mora me arkeologjinë, botova një numër të madh librash për fëmijë me motive nga ilirët, historitë e arbërorëve edhe Skënderbeut, më i famshmi ka qenë “Kalorësi Dardan”, pasi kishte shumë ribotime edhe u botua dhe në gjuhë të huaja. Unë e braktisa poezinë për shumë vjet. Nuk u mora më me poezi”.
Si ka ndikuar kritika e kohës në krijimtarinë tuaj të mëvonshme?
“Nuk e besoj, unë kam qenë shumë i pavarur në mendimet e mira. Nuk e kam përfillë atë kritikë asnjëherë. Poezitë e viteve ‘73, s’kanë asgjë të gabuar. Ishte një poezi që ishte jeta ime personale në atë kohë. Por unë mendoj se çdo e keqe ka një të mirë. Nuk është gjithmonë e keqja, vetëm e keqe. Ndoshta ishte e domosdoshme një periudhë akumulimi. Nëse s’do isha marrë me arkeologjinë edhe me kulturën universale të antikitetit edhe të mesjetës, nuk do të isha ky që jam sot. Kjo duket edhe në strukturën se si i strukturoj metaforat. Ky cikël flet për gjeografinë time shpirtërore, urën e Dalanit, Porto Romanon etj., ishin shumë e elementë që lidheshin me toponimet e mia intime për qytetin.
Ndërsa, në vitin 1993 unë kisha botuar edhe poezi të tjera, por përgjithësisht kam një mungesë prej 20 vitesh, që s’kam shkruar poezi, përveçse nisa të shkruaj për arkeologjinë edhe historinë arbërore. E çuditshme është që unë pata guximin, që pas 20 vitesh të rishkruaj edhe bëra shumë libra. E veçanta e këtij libri është që midis poezive të vitit 1973 edhe 1993 ka një lidhje të brendshme, sinkretike. kjo është edhe aftësia që ka poezia. Madje një poet thotë që kurrë mos shikoni, se si i nënshkruan poeti datat. Ai thotë që i ka shkruar në shekullin e XX, edhe ka mundësi që i ka shkruar në shekullin XII”.
Moikom Zeqo, gjatë viteve të fundit, krahas veprave të reja,u mor me përmbledhjen e botimin e dorëshkrimeve të tij të mëhershme. Mirëpo, ai nuk mund të qëndronte indiferent as ndaj aktualitetit. E brente mungesa e personaliteteve në politikë, dhe ngjarjet e fundit, ku sipas tij, marrëveshjet mes partive, mund të mos përjashtonin riskun për të mbartur ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, që ai i pat kritikuar sa e sa herë…
“Për mua është një katastrofë, pavarësisht anës propagandistike që bëjnë ndërkombëtarët, kjo është një marrëveshje, që ruan përmasat e ndryshimit të kobshëm, që ndodhi në vitin 2008, pasojat tragjike po i ndiejmë edhe sot. Ne nuk kemi një klasë politike që kërkon zhvillim, ne kemi një establishment të vjetër, s’kemi përmasa që të dalin parti të reja, politikanë të rinj. Establishment i vjetër është shumë i fuqishëm. Kundër tyre doli Albin Kurti, që e rrëzuan. Ndërsa, ne në hapësirat shqiptare nuk kemi një politikan që kërkon ndryshime progresive. Unë e shikoj me skepticizëm këtë ngjarje, natyrisht që do të ketë një lloj normaliteti. Për shembull PD do marrë një pjesë të pushtetit vendor. Por kjo marrëveshje nuk zgjidh asgjë. Absolutisht asgjë. S’jam në gjendje që ta kuptojë, se si një klasë politike të jetë kaq e përcaktuar nga ndërkombëtarët. S’mundem dot! Habitem, kur dëgjoj që shyqyr që është Ambasada Amerikane, nëse s’do ishte ajo, ne s’do ishim, ndërkohë që ne jemi komb i vjetër. Ne kemi qenë edhe kur s’kemi pasur marrëdhënie më SHBA-n. Amerika është një aleat i madh, por nuk përcakton pjesën e brendshme të kontinuitetit shqiptar. Ky servilizëm ndaj të huajve, s’është dinjitet. Edhe BE është një komunitet kontradiktor në shumë gjëra. Por thelbi është që vota e lirë, edhe përgjithësisht mendimi i pavarur në Shqipëri nuk ekziston. Ne kemi vetëm establishmentin e vjetër që do të vazhdojë për një kohë të gjatë. S’janë problemi vetëm deputetët, por edhe kryetarët e partive që janë mbi 20 vjet. Një nga mrekullitë e Kushtetues Amerikane është kufizimi i mandateve, ndërsa këtu Rama, Berisha, të gjithë kanë mbi 20 vjet”.
Shqetësimi tjetër i Moikom Zeqos, që fati i pasurive arkeologjike në vend, menaxhimi i tyre dhe specialistët e përjashtuar.
“Projektet e mëdha të Ministrisë së Kulturës kalojnë nëpër sitet më të prekura në Durrës, kemi nisur punën për një projekti shumë më të madh, që nuk është vetëm në pjesët e dëmtuara në Amfiteatër, në mure e në Kala, por mbi të gjitha do të jetë një punë që do të çojë në Plani Menaxhimi të mirëfilltë, të një zone më të madhe, të Parkut Arkeologjik. Kjo formulë do i kthejë Durrësit atë hijeshi që ka pasur. Një formulë për qytetarët edhe për studentët që duhet të mësojnë mbi kombin e tyre. Unë kam jetuar gjithë jetën në Durrës. Zonën A dhe B të Durrësit, atë që quhet zonifikimi arkeologjik me ligj e njoh mirë. Asnjë qytet arkeologjik në Shqipëri s’ka pasur ligj. Ky organizëm, se di çfarë fuqie menaxhuese ka, por s’ka të bëjë fare me arkeologjitë dhe fuqitë shkencore. Pasi po merr një situatë të vdekur, sepse zona A dhe zona B janë zonat ku është ndërhyrë dhe shkatërruar qyteti i Durrësit. Çfarë do bëjë ky fondacion? Zhvillimi ekonomik i zonës, s’ka të bëjë më arkeologjinë. Ne qytetin e Durrësit e kemi invalid. Shumë elementë arkeologjik të qytetit i kemi shkatërruar në 20-30 vjet. Siç kam kundërshtuar rastin e Butrintit, as në këtë rast s’jam optimist. Lëre që s’janë përfshirë specialistët shqiptarë, cili arkeolog nga Durrësi është në këtë organizëm? S’jam në gjendje ta kuptoj”.
Këtë pranverë tufa e shpendëve qiejve vërtitet si një alfabet i ri, si t’i shkruaj me të sërisht dorëshkrimet e hershme të rinisë së dëlirtë. Vdekja vjen. Ka veshur pardesynë time edhe shëtit para banesës duke tymos duhan. E shqetësuar, por nuk di ç’të bëj. Nguron, nguron të hyjë brenda për të më marrë.
Shqiptarja.com