EKSKLUZIVE/ “S’do prisja Lleshin e gazit për të zbuluar ish-sigurimsin”- Aurel Plasari flet për kërcënuesin: Di kush është, origjinën e deri dhe lagjen

 6 korrik 2019

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Qëndrimet publike dhe deklaratat e forta kundër qeverisë dhe Kryeministrit Rama, kanë sjellë si rezultat edhe kërcënimin e studiuesit të njohur Aurel Plasari.

Profesori i njohur, pas marrjes në mbrojtje të kreut të KQZ-së, Klement Zguri, publikoi në rrjetet sociale mesazhin e marrë në “Facebook” dhe akuzoi ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, për indiferencën e treguar për rastet në fjalë.

I pashqetësuar nga përmbajtja dhe forma e kërcënimeve, por i bindur se pas tyre fshihen qëllime politike, Aurel Plasari rrëfen për “Panorama” sms-të e marra dhe bën identikitin e kërcënuesit.

“Duhet saktësuar emri i përdorur nga kërcënuesi, sepse nga një emër pak a shumë i tillë më është dërguar edhe mua një kërcenim i tërthortë dhe poshtanik, më datë 28 qershor nga fb me emrin ‘Emiljano Pjetri’, pra, me gjasë i njëjti kërcënues. Nuk kam dashur ta bëj publik, duke më mjaftuar të kuptoj se në ç’frymë u përgatit 30 qershori i Edi Ramës”, deklaroi Plasari.

Z.Plasari, pas denoncimit të kreut të KQZ-së për marrjen e disa mesazheve kërcënuese, edhe ju keni bërë publike kërcënime të ngjashme që keni marrë nga i njëjti person. I keni zhvlerësuar më parë këto sms?

 

Unë si kërcënim e kam zhvlerësuar si fakt, por denoncimi publik që i kam bërë atij personi ka qenë për të treguar se është një individ që ka kërcënuar edhe të tjerë. Kam komunikuar edhe me një grua tjetër që më ka deklaruar se është kërcënuar nga i njëjti person. Pra, ky është një person që bën këto punë. Shënimi që unë kam bërë në “Facebook” nuk duhet të shërbejë si indicie për Policinë. Personi në fjalë duhet të ishte zbuluar që më parë, pasi unë nuk jam rasti i parë. Policia nuk mund të dalë edhe të gjejë kush është kërcënuesi, pasi unë e gjej privatisht se kush është personi. Kështu, ata vetëm sa bëhen qesharakë. Këta nuk qenkan aq të zotë sa të gjejnë se kush është ai.

Keni pasur ndonjë reagim nga strukturat e Policisë pas denoncimit publik që keni bërë? Ka ardhur dikush t’ju pyesë në lidhje me ato që ju keni publikuar?

Jo, askush nuk më ka kontaktuar. Por, nuk ka nevojë, unë nuk kam kërkuar ndihmë. Unë e kam me strukturat e shtetit dhe me mënyrën sesi funksionojnë, s’kam lidhje me dikë që është i fshehur diku në Selanik dhe kërcënon. Problemi nuk është se çfarë zbuloj unë privatisht. Mos harrojmë, janë njerëz që i paguajmë me taksat tona. I paguajmë, more, i paguajmë. Sandër Lleshaj duhet të flasë nëse e ka zbuluar kërcënuesin apo jo. Ai duhet të japë shpjegime sesi ka mundësi që dikush privatisht arrin të zbulojë diçka që se zbulojnë strukturat e shtetit. Kjo s’është detyra ime. Unë zbuloj letrat e Skënderbeut para 500 viteve, s’kam për detyrë të zbuloj këta tipa.

Keni pasur kontakte të tjera me këtë person, veç asaj që keni publikuar?

Unë kam zbuluar privatisht kush është ai person, për aq sa më duhet mua. Nuk kam qëlluar aq i paaftë sa të kisha nevojë të prisja Lleshin e gazit lotsjellës që ta zbuloja se kush ishte personazhi kërcënues, fshatin Beltojë nga e ka origjinën, çfarë detyre ka pasur në ish-Sigurimin e Shtetit, mënyrën si është strehuar, madje edhe qytetin ku fshihet, deri edhe lagjen. Por, shteti çfarë bën? Lleshi, ndërkaq, le të ruajë gazin përkatës. Duhet të jenë strukturat e shtetit që të bëjnë thirrje që të gjithë personat që janë kërcënuar nga ky person me 5 profile, të publikojnë mesazhet. Jam shumë i revoltuar kur shoh sesi i çojnë gardën kreut të KQZ-së. Kjo është e turpshme. Është detyrë e shtetit për ta gjetur menjëherë atë person.

Për 10 minuta mund ta gjejnë atë nëse duan.