EKSODI I “TRURIT”/ Rreth 300 infermierë kanë ikur jashtë Kosovës brenda 8 muajve. Arsyet!
25 Gusht 2024
Fenomeni i ikjes së infermierëve nga Kosova po vazhdon edhe këtë vit. Rreth 300 infermierë kanë kërkuar të pajisen me dokumente nga Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) për të dalë jashtë vendit deri në fundin e gushtit të këtij viti.
Ndërkaq, papunësia, kushtet e papërshtatshme të punës dhe pagat jo të dinjitetshme, janë disa nga arsyet që po i shtyjnë infermierët të emigrojnë jashtë shtetit.
Nënkryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), Leonora Bakija në një intervistë për KosovaPress, tregon se deri më 21 gusht të këtij viti janë lëshuar mbi 200 licenca të paplastifikuara dhe afro 90 vërtetime të kodit etik për infermierët, dokumente këto të cilat kërkohen nga institucionet për të dalë jashtë vendit.
Bakija tregon se arsyet kryesore të ikjes së infermierëve jashtë Kosovës janë mungesa e vendeve të punës, kushtet e papërshtatshme, pagat e ulëta, rreziku në vendin e punës dhe mungesa e mbrojtjes nga institucionet.
Nënkryetarja e OIK-ut thekson se nëse vazhdon ky trend i ikjes së infermierëve dhe nëse nuk ndërmerren masa në përmirësimin e kushteve, Kosova rrezikohet të mbetet pa infermierë.
Bakija thekson se qeveria duhet të ndërmarrë veprime sa i përket përfshirjes së infermierëve në ligjin e ri për pagat.
Sipas saj, mospagesa e duhur e kujdestarive, rrezikshmërisë në punë dhe festave, janë arsyet e tjera që po i shtyjnë infermierët të dalin jashtë vendit.
Gjatë vitit 2023, nga infermierët në OIK janë tërhequr 713 licenca të paplastifikuara dhe 116 vërtetime të kodit etik. /KosovaPress/