Ekspert i njohur i çështjeve ligjore, Ervin Karamuço: Dilemat e mazhorancës për shkarkimin e Ilir Metës.

30 PRILL 2021

.. Tani në rastin konkret, Komisioni Hetimor në bazë të ligjit të Komisioneve Parlamentare nuk mund të ngrihet dot katër muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, që do të thotë se janë në limite për tu ngritur, pasi mandati i këtij Kuvendi mbaron në 8 shtator të 2021-it.

Partia Socialiste do të mblidhet të hënën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Ervin Karamuço, profesor në Fakultetin e Drejtësisë dhe ekspert i çështjeve ligjore ka renditur dilemat e mazhorancës për shkarkimin e kreut të shtetit.

Sipas ekspertit Karamuço, problemi gjatë gjithë këtyre fazave deri në mbërritjen tek Gjykata Kushtetuese qëndron se “a duhet të jetë i pezulluar presidenti dhe funksionet e tij ti ushtrojë kryetari i Kuvendit apo jo?”.

REAGIMI I PLOTË

Sipas Kushtetutës, Presidenti shkarkohet ose për shkelje të rënda të ligjit, ose për kryerjen e një vepre të rëndë penale, ose për pamundësi të tij që kanë të bëjnë me aspektin mendor dhe pamundësinë fizike. Të gjitha këto janë të verifikueshme paraprakisht nga Gjykata Kushtetuese si element. Në rastet e shkeljeve të ligjit, nëse bindet vetë Kuvendi, kjo duhet të kalojë me një Komision Hetimor. Tani në rastin konkret, Komisioni Hetimor në bazë të ligjit të Komisioneve Parlamentare nuk mund të ngrihet dot katër muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, që do të thotë se janë në limite për tu ngritur, pasi mandati i këtij Kuvendi mbaron në 8 shtator të 2021-it. Kjo është nisma e parë që shikohet e mundshme, por më tej nuk është se shkarkohet presidenti. Veprimi dhe raporti i komisionit hetimor i shkon seancës plenare dhe aty do të votojnë 2/3, që do ti propozohet më pas për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese. Nga ai moment merret Gjykata Kushtetuese. Problemi është se gjatë gjithë këtyre fazave deri në mbërritjen tek Gjykata Kushtetuese qëndron se ‘A duhet të jetë i pezulluar presidenti dhe funksionet e tij ti ushtrojë Kryetari i Kuvendit apo jo? Kjo është një çështje që nuk ka gjetur jurisprudencë, por mund të bëhet me një interpretim që do të hajë shumë diskutime dhe debate, qoftë juridike dhe publike. Aspekti tjetër është se gjithkush ka të drejtë që, deputetë apo grupe parlamentare të ngrenë një akuzë penale, apo të bëjnë kallëzimin përkatës. Më tej është Gjykata Kushtetuese që merr dhe shqyrton juridiksionin fillestar, për të parë nëse është rasti për shkarkim apo për ndjekje të mëtejshme penale ndaj kryetarit të shtetit apo jo.

Është dhe një formë tjetër, e pamundësisë të shëndetit mendor, siç është shprehur shpesh dhe kryeministri, por kjo kërkon edhe një procedurë akoma më të gjatë mjeko-ligjore, më së shumti psikjatriko-ligjore dhe nuk dihet nëse realizohet dot, pasi do të jetë një gjë e pakëndshme në kuptimin shoqëror apo shtetëror që presidenti të hetohet si një subjekt për pamundësi të shëndetit mendor.

Këto janë disa dilema që do të diskutohen ditë e hënë nga Grupi Parlamentar i mazhorancës dhe më tej do dalin në një konkluzion se si do dalë procedura e shkarkimit të tij. Nuk e dimë nëse këtë herë do ta kenë seriozisht shkarkimin e tij pasi herën e parë u mjaftua me një këshillim. Por mesa duket gjërat këtë herë janë më ndryshe pasi e kanë marrë më seriozisht. Gjithsesi procedurat do të shikohen në vijim.

Gazeta Sot