Ekspertët paralajmërojnë valë të katërt infektimesh: – Rrezikojmë të humbasim plotësisht…!
Ekspertët paralajmërojnë valë të katërt infektimesh: – Rrezikojmë të humbasim plotësisht…!
– 02.03.21
Përhapja e varianteve të reja më ngjitëse tw koronavirusit kërcënon të nxisë një valë të katërt tw infektimeve në Shtetet e Bashkuara, paralajmërojnë ekspertët e shëndetësisë.
Shefja e qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, Dr. Rochelle Walensky, tha se rreth 70 mijë raste të reja ishin regjistruar javën e kaluar, një shifër tejet e lartë që ka shqetësuar autoritetet. Në të njëjtën periudhë u regjistruan mesatarisht 2000 vdekje në ditë.
“Ju lutem, më dëgjoni mirë. Me këtë nivel rastesh, e me variantet e reja që po përhapen, ne rrezikojmë të humbasim plotësisht terrenin e fituar me kaq shumë mund. Këto variante janë një kërcënim i vërtetë për njerëzit tanë dhe progresin e shënuar”, tha doktoresha.
Në qarkullim janë një sërë variantesh të koronavirusit, por ekspertët janë veçanërisht të shqetësuar për disa prej tyre, të cilat duket të jenë më ngjitës: ai britanik, afrikano-jugor dhe brazilian. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka parashikuar se varianti i evidentuar fillimisht në Britaninë e Madhe do të bëhet dominues në SHBA gjatë këtij muaji.
Shtetet e Bashkuara numërojnë mbi 28 milionë infektime dhe 500 mijë vdekje nga Covid-19. Shifrat pësuan rënie të ndjeshme pas arritjes së pikut në janar, kur fushata e vaksinimit u intensifikua. Por, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, derisa të imunizohen më shumë qytetarë, variantet mund të çojnë në rritje të rasteve duke kërcënuar sistemin shëndetësor, tashmë nën presion.
Autoritetet kanë identifikuar mbi 2400 raste me variantet e reja, por shifra e vërtetë mund të jetë më e lartë. Shkencëtarët besojnë se vaksinat mund të mbrojnë edhe ndaj mutacioneve.
Gazeta Shqiptare