Ekspertët të bindur: Marsi ka ujë, është ‘varrosur’ poshtë sipërfaqes
Ekspertët të bindur: Marsi ka ujë, është ‘varrosur’ poshtë sipërfaqes
18 mars 2021
Miliarda vjet më parë, Marsi ka pasur liqene e madje dhe oqeane, por se ku u zhduk gjithë ai ujë duke e transformuar planetin në një lëmsh shkëmbor, ky mbetet ende dhe sot një mister.
Mendohet se shumica e tij ka humbur në hapësirë, megjithatë një studim i ri i Nasa-s, hedh idenë se uji i planetit të kuq, thjesht ka ngecur brenda mineraleve, poshtë sipërfaqes së tij. “Ajo që po themi është se korja e planetit formon ato që ne i quajmë minerale të ngopura, pra minerale të cilat aktualisht kanë ujë në strukturën e tyre kristalore”, thotë Eva Scheller, autore e studimit të publikuar në revistën “Science”.
Modelet e Scheller lënë të kuptohet se 30 deri në 99 % e ujit fillestar ka mbetur e bllokuar brenda këtyre mineraleve. Mendohet se Marsi në fillim ka pasur mjaftueshëm ujë sa për të mbuluar të gjithë planetin. Por, për shkak se ai e humbi fushën e vet magnetike, edhe atmosfera iu largua në mënyrë progressive, në fund mbeti edhe pa ujë.
Megjithatë, autorët e studimit janë të bindur se ndonëse një pjesë e ujit është zhdukur vërtet, shumica e tij ndodhet brenda planetit, e për këtë u ndihmuan edhe nga të dhënat që kanë sjellë Rover-at nga Marsi si dhe meteorët nga planeti i kuq, falë të cilave ekipi u fokusua te hidrogjeni, që është përbërës kyç i ujit.
o.j/dita