Eksperti i ekonomisë ironizon Edi Ramën: – Kanabisi, satelitët borxh dhe inceneratorët s’janë shtyllat që mbështetet kombi
Eksperti i ekonomisë ironizon Edi Ramën: – Kanabisi, satelitët borxh dhe inceneratorët s’janë shtyllat që mbështetet kombi
19 Prill 2022
KELMENT BAÇI/ Zhvillimi i industrisë së kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore në Shqipëri kërkon investime të mëdha kapitale, teknologji dhe burime njerëzore.
Eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko, thotë se shteti shqiptar nuk i ka mundësitë dhe kapacitet të kontrollojë dhe menaxhojë kultivimin e kanabisit qoftë edhe për qëllime mjekësore.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ceko thotë se për ngritjen e një industrie të mirëfilltë fitimprurëse nevojitet një investim mbi 800 milionë dollarë, që nga ngritja e serave, trajnimi i administratës e fuqisë punëtore dhe teknologjisë përpunuese.
Eksperti i çështjeve ekonomike ironizon Kryeministrin Rama duke thwnw se ekonomia, ushtria dhe diplomacia janë tri shtyllat mbi të cilat mbështetet një komb modern dhe jo kanabisi, satelitët borxh dhe inceneratorët.
INTERVISTA
- Ceko, nga 508.135 qytetarë që e plotësuan formularin e Këshillimit Kombëtar, rreth 61 për qind u shprehën pro lejimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Si e shikoni ju këtë rezultat. A ishte kjo forma e duhur për të marrë një vendim të tillë?
Nga rreth 670.000 vota të zgjedhjeve të mëparshme, Kryeministrit i mungojnë rreth 170.000 vota, pasi formulari u plotësua nga vetëm rreth 500.000 individë. Nëse supozojmë se fletët e marrjes së mendimit të popullit janë numëruar me kujdes dhe perfeksion, atëherë rreth 300.000 persona që janë “pro” lejimit të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore janë punonjës të administratës publike dhe familjarë të tyre. Këta në fakt janë vetëm 9% e popullsisë së vendit.
Që një veprimtari ekonomike të në përputhje me interesat e vendit, shtetit, kombit dhe qytetarëve, ajo duhet të jetë edhe e ligjshme dhe edhe e moralshme. Nuk mundet që morali i 9% të popullsisë të predominojë mbi moralin e 91% të pjesës tjetër të popullsisë. Kjo nuk është forma e duhur për të marrë vendime të tilla, si nga ana teorike, ashtu dhe nga ana praktike. Nga ana tjetër, është vetë ky kryeministër që përpara tre a katër vitesh ka deklaruar vetë se “populli shqiptar është injorant”, ndërsa me këtë pyetësor del se Kryeministri abuzon duke u marrë mendimin injorantëve.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se lejimi i kultivimit të kanabisit mjekësor do të sjellë shumë fitime për ekonominë. Ju si ekspert i ekonomisë si e shikoni këtë çështje? Çfarë ndikimesh apo efektesh do ketë në ekonominë vendase kultivimi i kanabisit?
Kultivimi i kanabisit mjekësor, nëse lejohet do bëhet me licencë, dhe ende nuk dihet se sa licenca do lëshohen. Që një veprimtari ekonomike të jetë me përfitim dhe të ndikojë pozitivisht për ekonominë, atëherë me këtë veprimtari duhet të merren shumë qytetarë, aq më tepër që bëhet fjalë për praktika
bujqësore, që lidhen me kultivimin e tokës dhe me fermerët, që në Shqipëri janë shumica në fazën e mbijetesës, me pak toka bujqësore, pa ujitje dhe pa përdorim të një shkalle të lartë të mekanikës bujqësore dhe kimikateve të kësaj fushe.
Nga ana tjetër, në bujqësinë shqiptare mungojnë aftësitë, njohuritë dhe kompetencat, si dhe mungon shërbimi këshillimor që jep këshilla për fermerët për zhvillimin e fermës. Nëse krahasojmë atë që ka ndodhur në Republikën e Maqedonisë së Veriut midis pritshmërisë për përfitime ekonomike nga kultivimi i kanabisit me faktet, del se ende nuk është arritur që të merret përfitimi që pritej, edhe pse atje janë lëshuar më shumë se 60 licenca dhe hyrjet e fluksit të parave në buxhetin e shtetit janë ende shumë larg parashikimeve të bëra vite më parë.
Sa para duhet të investohen për të ngritur një industri të mirëfilltë kultivimi për qëllime mjekësore të kanabisit. Sipas jush, a është kaq fitimprurëse sa pretendohet?
Për një hektarë serrë moderne në ditët tona kërkohet një investim rreth 700.000-900.000 Euro. Por nëse bëhet ky investim, atëherë përfitimi që vjen nga kultivimi i perimeve është shumë i madh dhe nuk ka asnjë arsye të merresh me një bimë për të cilën nuk ka përvojë. Një çështje tjetër që pengon industrinë shqiptare të kësaj natyre është edhe mungesa e teknologjive për përpunimin e kanabisit. Ne kemi një mundësi të artë me bimët mjekësore, pasi në territorin e Shqipërisë rriten në gjendje të egër më shumë se 30- 35% e tërë florës dhe faunës së Evropës, dhe edhe pse prej kohësh pretendojmë se po zhvillojmë biznesin e bimëve mjekësore, ato thjesht vilen në gjendje primitive nga disa qytetarë, grumbullohen në disa pika grumbullimi ku thjesht kalojnë vetëm procesin e tharjes dhe vetëm kaq. Mungon tërësisht industria e përpunimit të mëtejshëm të këtyre bimëve, që është paketimi/ ambalazhimi në sasi të përshtatshme për konsum personal dhe familjar, ekstraktimi i esencave dhe ekstraktimi i vajit të këtyre bimëve mjekësore.
A i ka shteti shqiptar aftësitë që të menaxhojë dhe kontrollojë situatën që mund të krijohet në vend nga kultivimit i kanabisit?
Është shumë e vështirë që të mbikëqyrësh një treg që tashmë është tërësisht i pakontrolluar dhe i parregulluar. Konkretisht kemi një treg ilegal shumë të ashpër dhe të egër.
Patjetër që ky treg, me hapjen e mundësisë për kultivim legal të kanabisit, do përpiqet që të interferojë dhe kjo do bëjë që të krijohet një gjendje edhe më kaotike. Këtë gjendje e kanë kaluar edhe shumë vende që kanë tentuar të legalizojnë drogat si për qëllime mjekësore, ashtu dhe për qëllime përdorimi/konsumi vetjak dhe më pas përsëri janë tërhequr duke mos e lejuar si veprimtari.
Autoriteti ligjor për kontrollin e veprimtarisë prodhuese në fushën e produkteve të kësaj natyre është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Në kushtet aktuale që gjendet AKU as që mund të pretendohet që të mund të mbikëqyrë tregun, pasi kur themi legalizim të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, për përfitime ekonomike të mëdha, nuk bëhet fjalë për 50 apo edhe për 100 licenca, por për përfitimin që duhet të kenë fermerët dhe sektori i bujqësisë. Nëse do jepen disa licenca, atëherë përfituesi do jetë ai që ka licencën dhe nëse do ketë fitim, një pjesë e fitimit do taksohet për efekt të buxhetit të shtetit, por në fillim që një veprimtari të jetë e suksesshme dhe të arrijë avantazhet konkurruese dhe krahasuese, duhet që të mbështetet nga ana e shtetit për një periudhë disa vjeçare me sistem fiskal lehtësues. Atëherë ku qëndron përfitimi ekonomik? Nëse bëjmë krahasimin e çmimit të kanabisit sot me atë të viteve përpara pandemisë në tregjet ndërkombëtare, nga 2600 $, tashmë një kilogram kanabis kushton vetëm 1500 $, dhe kjo ka ardhur pasi disa shtete në SHBA e kanë lejuar kultivimin legal të kësaj bime, por me sipërfaqe të mëdha dhe jo me 1 a 2 hektarë tokë që ka fermeri shqiptar.
Cilat janë mënyrat e kultivimit të kanabisit mjekësor dhe çfarë përfitimesh dhe humbjesh ka secila prej tyre?
Kanabisi kultivohet për gjethet, kërcellin dhe lulen. Në bimën e kanabisit gjenden më shumë se 120 substanca që njihen si substance kanaboide. Kanabisi kultivohet kryesisht në tri mënyra, pavarësisht se është për qëllime mjekësore apo jo. Mund të kultivohet (1) në mjedis të hapur, (2) në serrë dhe në (3) mjedise të mbyllura jo serrë (shtëpitë e barit). Në mjedis të hapur në kushtet e Shqipërisë mund të kultivohet nga mars – prilli deri në shtator – tetor, por kjo mënyrë kultivimi nuk garanton cilësi dhe marrjen e lules, që është edhe produkti më i kërkuar për ekstraktimin e esencës dhe vajit të kanabisit. Në serrë kanabisi mund të kultivohet në vazhdimësi dhe kjo bën që rendimenti të jetë më i lartë se në mjedis të hapur, por cilësia e kanaboideve në bimë të mos jetë si në natyrë. Në mjedise të mbyllura jo serrë (shtëpitë e barit), kultivimi është intensive, ndriçimi është kryesisht artificial dhe kërkon përdorim dhe konsum shumë të madh energjie elektrike dhe karburant, por përfitimi me këtë mënyrë kultivimi ka sjellë uljen e çmimit të kanabisit në tregjet evropiane.
Çfarë duhet të ndodhë në Shqipëri përpara se qeveria të ndërmerrte një hap të tillë?
Le të supozojmë se kjo veprimtari do jetë realitet legal. Shqipërisë i duhet të paktën një investim prej rreth 400 – 500 milionë $ teknologji përpunimi, të paktën një investim rreth 200 milionë $ për laboratorë, rreth 50 milionë $ për transferimin e teknologjisë së kultivimit sipas standardeve, rreth 50 milionë $ për trajnimin e personelit të administratës publike në vazhdimësi për këtë industri dhe rreth 25 milionë $ për trajnimin e atyre që do punojnë në këtë industri. Nga ana tjetër, duhen rreth 50 – 100 milionë $ për ndërtimin e serrave.
Përpos ndikimeve në ekonomi, çfarë ndikimesh të tjera mund të ketë kjo iniciativë në shoqërinë shqiptare?
Ajo që do ndodhë është skenari i Kinës në Shekullin 19 me Luftërat e Opiumit, kur pas legalizimit të opiumit, rritja ekonomike u frenua pas rreth dhjetë vitesh dhe prodhimi kombëtar ra me afërsisht 20%. Shëndeti publik në tërësi pësoi një rënie të ndjeshme dhe niveli i krimit i rrit shumë. U desh ndërhyrja e Anglisë dhe Francës që tregu të kontrollohej. Kinës së asaj kohe ju vinë sanksione shumë të mëdha nga bashkësia ndërkombëtare për dëmin që solli në ekonominë botërore.
Edhe në ditët tona, India për shembull është një nga shtetet ku kultivimi i opiumit lejohet me ligj, por fermerët fitojnë shumë pak, pasi pjesa më e madhe fitimit shkon përgjatë zinxhirit të furnizimit kryesisht te kompanitë e mëdha farmaceutike ndërkombëtare dhe ekonomia indiane dhe buxheti i shtetit nuk kanë arritur që të përfitojnë atë që pritej nga legalizimi. Në lidhje me shoqërinë shqiptare duhet theksuar se ajo është duke kaluar në një fazë të re, por që nuk është faza e postmodernitetit, fazë është duke e kaluar perëndimi. Njohuritë e qytetarëve shqiptare janë shumë të kufizuara në tërësi për jetën dhe njerëzimin, dhe njohuritë në lidhje me të ushqyerit dhe kujdesin shëndetësor janë shumë të pakta, kombinuar kjo me neverinë që kanë shqiptarët për ligjin, shtetin dhe pushtetin.
Kryeministri Rama ka deklaruar se nëse shqiptarët duan, mund të lejohet kultivimi i kanabisit edhe për qëllime përdorimi vetjak. Keni ndonjë koment për këtë deklaratë?
Shqipëria rrallë herë ka pasur mundësinë që të ketë një kryeministër që i bën bashkëkombësit të shohin ëndrra me sy hapur. Kjo është një aftësi që jo gjithkush e ka. Ajo që është e rëndësishme është fakti se ky kryeministër bën realitet ato ëndrra që janë të tijat, duke i shitur si ëndrrat e popullit, kur ëndrrat e vërteta të shqiptarëve janë bashkimi kombëtar, ekonomia e fortë, ushtria e fortë dhe diplomacia e fortë. Ekonomia, ushtria dhe diplomacia janë tre shtyllat mbi të cilat mbështetet një komb modern dhe jo kanabisi, satelitët borxh dhe inceneratorët.
Gazeta Panorama