Ekspozite e Liliana Hoxhës, nuses së djalit të dytë te Enver Hoxha.. –
Ekspozite e Liliana Hoxhës, nuses së djalit të dytë te Enver Hoxha.. –
Nga keqbërësi tek e vuajtura, Liljana Hoxha flet për ekspozitën: Lady Makbeth do e shëmtonte
Ditët e fundit në Tiranë është çelur një ekspozitë me piktura, e para e Liliana Hoxhës, nuses së djalit të dytë të ish-diktatorit Enver Hoxha. Edhe në ditët e sotme është një personazh i diskutuar në publik. Ndoshta nuk është një piktore në profesion por ekspozita e saj ka bërë shumë bujë dhe nuk ka munguar kurioziteti.
Ajo ka qenë sot në studion e News24, në rubrikën “Opinion” për të ndarë disa të fshehta të ekspozitës së saj. Liliana ndonëse jo me dëshirë ka folur edhe për dy nga njerëzit dikur më të pushtetshëm të Shqipërisë, Enver dhe Nexhmije Hoxhën.
Ajo nuk e fsheh respektin për ish-diktatorin si një njeri por jo si shtetbërës, ashtu siç nuk e fsheh mllefin dhe madje neverinë për vjehrrën e saj Nexhmije Hoxhën. Këtë të fundit ajo e quan Lady Makbeth, dhe e pyetur nëse është e pasqyruar në ndonjë nga pikturat e saj, Liliana thotë se nuk do pranonte t’i shëmtonte ekspozitën, raporton “BalkanWeb”. Në ekspozitë ajo thotë se pasqyrohet lufta e saj për të gjetur harmoninë. Nuk mungojnë figura të vuajtura sipas saj nga shtypja në të gjitha kohët.
Përshëndetje dhe faleminderit për pranimin e ftesës!
Ju falënderoj për ftesën. Jam shumë e kënaqur që ndodhem këtu dhe gjej një ambient që deri më sot me eksperiencën time është pa frikë të them njëshi. Ti lëmë titujt…Për mua është njëshi dhe ju falënderoj të gjithë juve si profesionistë, ty në radhë të parë por edhe pronarin Irfan Hysenbelliu sepse vizioni i tij me të vërtetë mua më ka habitur dhe mbi të tëra paanshmëria për të më thirrur dhe për të më lënë hapësirë mua më godet. Dhe është një shembull për gjithë shqiptarët se pikërisht me të, unë kam pasur përplasje personale, megjithatë ai sot më jep hapësirë si një qytetare meqenëse sot kam diçka për të thënë. Kjo është një gjë jashtëzakonisht e mirë e këtij biznesmeni dhe personi të madh në fushën e medias, të cilin jo vetëm e admiroj por dua ta krahasoj me të tjerët që nuk e arrijnë dot këtë paanësi ose këtë emancipim që ai e dëshmon. Vërtetë jam e surprizuar për ambientin.
“Harmoni universale” quhet ekspozita juaj me 48 telajo . Pse ky emërtim?
Ky emërtim po qe se kuptohet, ky emërtim është zhvillim i asaj që thashë. Unë luftoj, se njeriu edhe i vetëm lufton. Unë luftoj për të gjetur harmoni kudo, pavarësisht nga gjërat e vogla, interesat personale. Por harmonia, zhvillimi shpirtëror duhet të dalë për mbi konfliktet e tilla që janë të paevitueshme. Harmoni universale është me dy fjalë ajo që unë përmbaj, nevoja ime shpirtërore është për të pasur harmoni.
Ju ka munguar gjatë jetës?
Sigurisht që më ka munguar. Gjërat lëvizin dhe historia mbetet, nuk duhet të harrohet por është e shkuara. Ka njerëz që atë të keqe të historisë duan ta mbajnë fort atë të keqe të historisë. Nuk dua t’i kthehem historisë. Më ka munguar harmonia siç i ka munguar çdo shqiptari dhe më tepër. Se unë kisha disa privilegje dhe jetën nuk e kam bërë të keqe. Them që harmonia është një dimension që duhet ta synojmë të gjithë. Jo vetëm për shqiptarët por harmoni absolute për gjithë botën që është në konflikt si kurrë ndonjëherë.
Në 48 telajot e kësaj ekspozite është gjithashtu e pasqyruar gjendja juaj e brendshme?
Unë pikturoj në mënyrë instiktive. Unë nuk kam shkollë dhe nuk kam asnjë lloj orientimi didaktik. Kjo fuqi, ta quaj se është fuqi magjepsëse nga e cila nuk kam dalë dhe nuk kam për të dalë ndonjëherë përderisa akoma kam imagjinatë dhe instinkti ma do që unë ta nxjerr brendinë time them që unë do mbetem gjithmonë luftëtare e harmonisë me aq sa mundem. Këtë e ushtroj në çdo sekondë të jetës sime. E ushtroj me gjithë qenien time.
Si ndodh kjo?
Kjo gjë mbetet e diskutueshme, kush e beson dhe kush nuk e beson. Në pikturën time, në këtë ekspozitë kam filluar me pjesën, me disa të kompozuara për të dhënë mizorinë e kombit tonë gjatë historisë. Që me otomanët, komunizmin.
Deri në periudhën e jetuar prej jush?
Jo personale.
Drama e kujt është?
Kjo është një viktimë e dramës, e humnerës. E periudhës kur njeriu është ndjerë i shtypur. Periudhave që kanë ushtruar totalitarizëm mbi popullin shqiptar. Është viktimë. Janë viktimat, jo një, e kam personifikuar me një portret. Nuk jam unë ajo.
Ju thoni nuk jeni ju?
Në asnjërën nuk jam unë, janë ndjesitë e mia. Ndjesitë e mia të përgjithshme, për të gjithë. Unë ndjej shumë fort për të gjithë. Ato personalet i përjashtoj, refuzoj t’i quaj pjesë të asaj të përgjithshmes që piktura të jetë sa më e mirë. Kurse akuzat, qëndrimi publik, ai ka qenë i argumentuar sipas dëshmive personale. Aty po mund të thuash që janë pjesë e vetes se më është dashur për t’i argumentuar sepse unë jam dëshmia. Kurse piktura nuk ka pjesë të vetes, ka dhimbjen time për vuajtjen e të tjerëve. Dhimbjen time për mizorinë që është ushtruar mbi këtë popull, mbi popullin shqiptar dhe mbi gjithë popujt në tërësi.
Kjo është figura e keqbërësit, e ushtrimit të dhunës.
Ka një emër ky keqbërës?
Nuk ka emër konkret. Është i të gjitha periudhave që kanë shtypur, i të gjitha periudhave që ushtron arrogancë dhe e përdor popullin si skllav ose e shikon si dele. Siç e shikojnë sot politikanët duke filluar që lart.
Kohët nuk kanë ndryshuar mendoni ju?
Dhuna ndryshon sipas kohës. Nuk duhet të kishte por asnjëherë nuk humbet. Ajo transformohet por nuk humbet. Sot është në formën e dhunës psikike pse jo dhe të dhunës konkrete me taksa, me kufizime të jetës së biznesit të vogël.
Po dhuna psikike ka mbizotëruar më së shumti në kohën e komunizmit se sot?
Sigurisht që dhuna psikike ka qenë më shumë në kohën kur njeriu ka qenë realisht i shtypur sot njeriu është i lirë. Puna është se sa i lirë është në këtë liri që i është dhuruar ose e ka fituar vetë në kohën përkatëse pas rënies së komunizmit.
Në 48 telajot tuaja mbizotërojnë gjithmonë ngjyrat apo ka edhe piktura bardhë e zi?
Përveç atyre pikturave që tregonin dramë apo arrogancë, është edhe një portret i një burri të vuajtur. Përveç këtij momenti që kam dashur t’i jap mizorinë, gjithçka tjetër është ngjyrë.
Edhe keqbërësi kishte ngjyrë?
Nuk dal dot. Është tendenca ime. Nuk e diskutoj dot pikturën tim nga ana logjike siç nuk do të diskutoja të çdo piktori. Aq më tepër timen që e kam krejtësisht instiktive. Nuk mund ta gjykoj, ashtu e ndiej ashtu e bëj. Por edhe ai keqbërësi ka një mënyrë të fshehuri.
Ky keqbërësi mund të jetë ish-diktatori?
Absolutisht. Unë e kam bërë një person që ka qenë ish-diktatorja. E kam nxjerrë dhe në gazetë.
Është pjesë e kësaj ekspozite?
Jo. Nuk dua t’i ngatërroj.
Nuk është portreti bardhë e zi?
Ajo është vuajtësja e dhunës. Është viktima. Nuk dua ta trazoj shumë me politikën ekspozitën time të parë.
Janë ndjesitë tuaja?
Sigurisht që janë dhe unë i shfaqa.
Ju thoni që në asnjë nga telajot nuk është Enver Hoxha dhe po ashtu Nexhmije Hoxha?
Enver Hoxha nuk është sepse nuk e ndiej që të bëj Enver Hoxhën. I pranoj krimet e tij. Nuk jam për krimet e tij përkundrazi vuaj por Enver Hoxhën nuk e shuaj komplet. Enver Hoxha ka dritë e ka për të pasur gjithmonë dritë në historinë e Shqipërisë, për personin që ishte jo për shtetin që krijoi.
Po bashkëshortja e tij?
Bashkëshortja është Lady Makbeth dhe kaq.
Është e reflektuar në një nga telajot e ekspozitës tuaj?
Jo në këtë ekspozitë. E kam evituar që të mos më shëmtojë ekspozitën.
A do jetë ajo në ndonjë nga ekspozitat e ardhshme?
Jo, jo. Nuk dua ta personalizoj. Edhe aq dhe unë e kam dhënë. E kam dhënë në një intervistë pikërisht për të keqen e madhe që ajo bën akoma. Ajo nuk bën pjesë në krijimtarinë time. Ça ishte doli dhe është aty e kaq.
Do jua shëmtonte krijimtarinë nëse do ishte pjesë e saj thoni ju?
Patjetër. Jo vetëm mua si person se nuk fokusohem sepse nuk mund të ngre një ekspozitë mbi një bazë kaq të shëmtuar por nuk ia vlen të merresh. Nuk ia vlen të merresh, duhet ta dish kush është dhe kaq.
Kur ka në fakt shumë të vuajtur në cilën periudhë në gjykimin tuaj, në atë kohë apo këtë kohë?
Të përgëzoj që je aq e zonja për të ngacmuar por nuk dua të ngacmohem. Më ler të qesh dhe dua të gëzoj ekspozitën time. Nuk ka ligësi në ngacmimin, ju bëni profesionin por është e drejta ime që të them që dua të qesh dhe gëzoj për atë ekspozitën time të parë dhe ju faleminderit që më ftuat.
I faleminderit shumë Irfan Hysenbelliut që mund të vazhdonte të më luftonte, siç më lufton Ben Blushi që s’kam asnjë lloj lidhje me atë.
Kjo është ekspozita juaj e parë dhe ju jeni shprehur se keni zbuluar talentin për pikturën 3 vitet e fundit. Si e zbuluat?
Është një gjë që unë e them por nuk vrapoj për ta thënë. Se ngelet e pa kuptuar. Të gjithë thonë ‘epo ke vizatuar kur ke qenë e vogël dhe pastaj je marrë me gjëra të tjera dhe në këtë moshë vetvetiu s’ke me ça merresh dhe i rikthehesh. Nuk ka një rikthim për mua , ka një fillim, një bum. Sa kuptohet dhe sa analizohet. Unë analizën time e bëj. Unë e quaj një tru që ka pësuar trysni të jashtëzakonshme siç kam pësuar unë 10 vitet e fundit para se të filloja të pikturoja për t’u përballur me një çështje, të cilës sipas meje ia dola me sukses por me një luftë të jashtëzakonshme, shkatërrimtare për organizmin.
Një tru që ka pësuar një trysni të tillë jo vetëm që zhvillohet siç më zhvilloi mua për t’i kapur më mirë gjërat për t’i kuptuar përpos të fshehtave që unë zbuloja, ky tru kaq i tensionuar gjen rrugë për të ruajtur veten e vet. U ndez një llambë që nuk ishte ndezur dhe ajo llambë ishte piktura. Erdhi befas dhe unë nuk mund të rrija pa pikturuar.
Do vazhdoni?
Ashtu siç është ajo e brendshme nuk mund të largohet. Kam 2 katalogje, ku ka 150 nga të parat, 88 nga pjesa e dytë dhe në vitin e tretë hapa këtë ekspozitë ku 90% e saj është krejt e re. Me një llogari të tillë, është një prurje që s’ka të dytë mund të them. Duhet të ndodhet një njeri në gjendjen time që të ketë një prurje të tillë.
Kur do të jetë ekspozita juaj e dytë?
Të gjithë më thonë që do bësh të dytën. Unë nuk e dija që do bëja ekspozitë. Nuk e kam kërkuar pikturën. Nuk e kam ëndërruar. Nuk e kisha menduar ndonjëherë. Nuk dija të bëja një figurë të lirë me laps dhe nuk di akoma, përveçse bojës në duar në gishta dhe atëherë shpërthen ajo fuqia magjike. Por derisa bëra të parën pse jo mos të ketë të dytë. Ritmi deri sot ka qenë 1-vjeçar. Nuk e di si do shkojë, do shkojë bashkë me mua.
Unë ju falënderoj për prezencën tuaj në këtë studio dhe ju uroj punë të mbarë në krijimtarinë tuaj!
Ola, me përzemërsi ju uroj dhe unë. Siç e shpreha me shumë dashuri me shumë dhembshuri. Ju punoni kaq shumë, unë ju admiroj për punën tuaj, veç punoni me zemër dhe unë mendoj se ju punoni me zemër.