Ekspozita/ Dorëshkrimet luksoze të Kostandinopojës në vilën e Enverit. –
Ekspozita/ Dorëshkrimet luksoze të Kostandinopojës në vilën e Enverit. –
Nga: Fatmira Nikolli – Magjia e Bizantit, por edhe e Romës, Kostandinopoja e Edmondo de Amiçis, por edhe Iliria e Shenjtë e Farlatit a ‘Çeta e Profetëve’ e Bogdanit, dy botë që përplasen a pikëtakohen tek iliro-arbërorët që sot – shekuj pasi murgjit a priftërinjtë i shkruanin nën dritën e qirinjve, i shohin në një ekspozitë që rreket të përmbledhë, dorëshkrime të shenjta e të rralla në një vend të pazakontë.
Shtëpia e ish-diktatorit Enver Hoxha shërben tashmë si strehë e një ekspozite, që nën titullin “Urtësi e pashuar” shfaq vëllime të rralla dhe të moçme të trashëgimisë që kemi në latinisht, shqip, greqisht, osmanisht, persisht.
Me imazhet e tyre përballë (për kë nuk i ka parë më herët) mundesh të imagjinosh më lehtë, miniaturistët e Orhan Pamuk te “Unë jam e kuqja”.
Kapakë prej druri, shkronja nistore të lyera në ar, dorëshkrime të ardhura nga punishtet libërshkruese të Kostandinopojës dëshmojnë me praninë e tyre një botë krejt tjetër, ku megjithatë, lavdia rrekej t’i shkonte Krijuesit.
Kryeministri Edi Rama, nën kujdesin e të cilit është çelur ekspozita, kishte shkruar më herët se “një rrugëtim i ri muzeal, me vëllimet më të rralla dhe më të moçme të trashëgimisë sonë humaniste dhe shpirtërore ju pret prej kësaj fundjave e deri më 20 maj, në zemër të Tiranës, për të përjetuar nëpërmjet shqisave, një rrëfim unik të Shqipërisë së vlerave dhe qytetërimit, në zemër të Europës! Përmes një Urtësie të Pashuar. Vila 31 (ish-rezidenca e diktatorit) të premte”.
Dje, fjalën e hapjes e mbajti Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, që e vuri theksin te lidhja e hershme e Shqipërisë me Europën.
Pas tij, fjalën e mori ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, për të cilën ekspozita është dëshmi e harmonisë fetare çka “tregon se sa shumë, shqiptarët ndajnë me ne vlerat europiane. Kjo duhet t’u tregojë drejtimin e duhur atyre që janë zgjedhur për t’u drejtuar. Fakti që ekspozita bëhet në vilën e ish-diktatorit, që bëri gjithçka për ta fshirë praninë e Europës, është domethënëse. Fati europian i këtij vendi është i rrënjosur në të shkuarën, në traditën dhe harmoninë”. Kur fjalën e mori kryeministri Edi Rama, ERTV e shkëputi lidhjen, me gjasë për shkak të valëve të dobëta.
Kur lidhja u rikthye, kryeministri foli për arsyen pse ekspozita u hap në vilën e diktatorit. “Mirë se vini në këtë aktivitet të pazakontë dhe vend të pazakontë! Mund të ketë tingëlluar e papritur, e çuditshme dhe e pakuptueshme, pse në këtë godinë të damkosur në kujtesën tonë të përbashkët, që qëndron si sfinks në zemrën që pulson gjaku i Tiranës, të ndodhë që të jemi mbledhur për një kremtim të një trashëgimie të thellë kulturore. E quajta shumë të arsyeshme atë që më shpjeguan organizatorët. Më thanë që është godina ku ka më shumë kundrime kalimtarësh për shkak të misterit që bart dhe më përkon me një ide jo të re, por të pazhvilluar për ta kthyer këtë godinë në vendin ku ndodhin rregullisht ato që i zoti i saj nuk do donte kurrë t’i shihte të ndodhnin pranë hijes së tij”.
Ai shtoi se, “ekspozita është një proces rizbulimi për ne shqiptarët dhe proces zbulimi për miqtë e huaj, proces, në fund të të cilit ne dhe ata kuptojmë më mirë që jemi një, edhe pse fatet na kanë ndarë, këta në BE, ne në E, këta matanë e ne këtej, në kërkimin e B para E-së, jemi falë bashkëpunimit me ta, në përpjekje ku shpeshherë mundohemi e ndonjëherë lëndohemi, se këtyre B-ja u mjafton për të zvogëluar E-në tonë, që në fakt është po aq e madhe sa B-ja e tyre. Ky aktivitet dëshmon se Viti i Skënderbeut nuk është vit tam-tamesh nacionaliste, siç u trembën, por është vit i Eruopës me E të madhe, në kuptimin më të thjeshtë. Gjatë vizitës së tij, presidenti i Këshillit Europian, Tusk duke vlerësuar bashkëjetesën fetare në Shqipëri, në një raport i cilësoi shqiptarët më eruopianë se kombet e tjera. Ne nuk duam të jemi më europianët, por duam të jemi aq sa jemi. Por duhet të këmbëngulim se asnjë europian nuk është më europian se ne”.
EKSPOZITA/
DORËSHKRIME
GREQISHT
Ka të paktën 37 dorëshkrime, në krye të të cilave qëndrojnë kodikët e njohur të Beratit, për çka media ka përcjellë në raste të ndryshme të dhëna të veçanta. “Kodikët e Purpurt të Beratit: Kodiku I dhe Kodiku II të shekullit VI dhe IXX janë pjesë e trashëgimisë kulturore unike botërore. Kodiku i Purpurt i Beratit, Beratinus I është sot kopja më e vjetër e digjitalizuar që gjendet online në Bibliotekën Digjitale Botërore të UNESCO-s, pra flasim për një pasuri botërore dhe jo vetëm shqiptare”, tha Ardit Bido.
Për 15 ditë, nga ora 10.00-22.00 të mbrëmjes, çdokush mund të bëjë udhëtimin e tij, në 14 shekuj histori.
Veç Kodikut të Beratit nr.1 (Kodiku i Purpurt), Kodikut të Beratit nr.2 (AUREUS ANTHIMI), Kodikut të Beratit nr.3.Ungjilltar dhe Kodikut të Beratit nr.4.KATËRUNGJILLËSHI-t, ekspozohet edhe Kodiku i Vlorës nr.5 (Katërungjillësh) një dorëshkrim greqisht i shek.XII në pergamenë me dekore të punuara në tempera.
Po ashtu shfaqet Kodiku i Vlorës nr.10, dorëshkrim greqisht i Minait, shek. XIV në pergamenë me 305 fletë. Është një dorëshkrim ekzemplar klasik, i periudhës së Rilindjes Paleologe, prodhuar në Kostandinopojë, në punishten e manastirit Odhigon, qendër e njohur e prodhimtarisë librore. Dekoret floreale dhe ato me shenjën e kryqit në fund të Ungjive evokojnë artin e periudhës ikonoklaste (shek.VIII-IX).
Me rëndësi është edhe Kodiku i Beratit nr.13, dorëshkrim greqisht i shek.. XIV në pergamenë. Është dorëshkrim luksoz i punishtes së manastirit Odhigon në Kostandinopojë. Kapakët prej druri, veshur me argjend të larë në ar, punuar me gdhendje dhe incizim, i janë vendosur pas një restaurimi të shek.. XVIII. Janë përfunduar më 30 mars 1729 nga dora e Anastas Haxhifilipidhit në Voskopojë.
Ndërkaq, Kodiku nr.23, hirmolog (muzikë bizantine) është dorëshkrim në letër i vitit 1292, në 159 fletë, dekoret e të cilit janë punuar me bojëra uji. Është shkruar nga Mihail Slavopuli prej fshatit Krasnik.
Ekspozohet edhe Kodiku i Beratit nr.38 (Shek.XIV), Kodiku nr.60 (1786), Kodiku nr.68 (1776), Kodiku nr.50-Psalmet e Davidit dorëshkrim greqisht në letër i vitit 1411 me 198 fletë. E veçanta e tij është se Teodori, logotet i Beratit, e shkroi kur ishte i burgosur në kalanë e Vriazezit (Vërzhezhës-Skrapar).
Mandej, veçojmë Kodikun e Beratit, nr.74, dorëshkrim në letër i vitit 1762, shkruar në Voskopojë, kur Kavaloti ishte mësues dhe drejtori i Akademisë së Voskopojës.
Ekspozohet edhe Kodiku i Gjirokastrës nr.79 shek. XIV, Kodiku i Shkodrës nr.83 – jetë shenjtorësh, dorëshkrim latinisht i shek.. XIV në pergamenë me 175 fletë.
Mes tyre është edhe Kodiku i Voskopojës nr.84 – Shërbesë varrimi për priftërinjtë. Dorëshkrimi greqisht i 1738-ës, është shkruar nga Nikolla, prift dhe sqaellar i Voskopojës, kur në Voskopojë funksiononte një nga të paktat shtypshkronja në territorin e P.Osmane, e vijonte mjeshtëria e prodhimit të librave të dorëshkruar. Në periudhën pasbizantine përdoren teknikat e prodhimit të librit, si në Bizant por nuk shmanget ndikimi i artit Perëndimor, siç e dëftojnë edhe dekoret e këtij dorëshkrimi, duke nënkuptuar edhe pozicionin e Shqipërisë mes lindjes dhe Perëndimit. Është krah tij edhe Kodiku i Korçës nr.93, për të cilin Andi Rëmbeci e Sokol Çunga kanë bërë një studim. Mandej mund të shihet edhe Kodiku i Korçës nr.96 (XVII-XVIII), si edhe TRIODI DHE PESËDHJETORJA është dorëshkrim muzikor i shek. XIX në greqisht në 102 fletë. Përmban një pjesë të shërbesave kishtare (sipas ritit lindor) të periudhës së Triodit dhe të Pesëdhjetores me notëzim muzikor bizantin.
KOLEKSIONI I
DORËSHKRIMEVE
OSMANE
Në mesin e dorëshkrimeve me interes, prej se nuk është folur shumë për to, janë ato të koleksionin të dorëshkrimeve osmane, arabe e perse.
Mes tyre, përmendim TALIMUL-MUTEALIMI(TË MËSUARIT E DIJEVE) dorëshkrim i vitit 1276/1857. Në letër e me 106 fletë, dorëshkrimi në osmanisht, i Imam Burhanedd’n ez-Zernuxhi është kopjuar nga Es-seit Ahmet Shykri duke përdorur shkrim nesih. Libri ka qenë pronë e Jashar Erebarës, që e ka blerë në Shkup më 1908. Ka qenë pjesë e programit mësimor në medrese. Është quajtur udhërrëfyesi i dijes për shkak të tematikave që përfshin.
KURANI KERIM është prej dorëshkrimeve më me rëndësi në AQSH. Dorëshkrimi në letër i shek.XV me 353 fletë ka kaligrafi të tipit tuluth e fletët e para të origjinalit të shek.. XV kanë humbur dhe janë zëvendësuar më pas. Ai është më i vjetri dorëshkrim kuranor në AQSH.
Nga i njëjti koleksion del edhe HIKAJE E PEJGAMBERIT JUSUF (S.S)Rrëfenja të Pejgamberit Jusuf, dorëshkrim i vitit 1055/ 1646 me kalendarin gregorian. Është shqip por me alfabet arab dhe autori i tij është Rushan Efendi nga Korça.
MENAKIB – I IMAM ALI(Tregimet e Jetës së Imam Aliut) është një dorëshkrim i shek. XIX në osmanisht. Ka qenë pronë e Dervish Ibrahimit nga vakëfi i Dergjahut të Konicës.
Gjendet mes “Urtisë së pashuar” edhe një TEFSIR – I KURAN (Interpretim i Kuranit) dorëshkrim arab i vitit 1671 kopjuar nga Hafiz Osmani.
Ndërkaq, DIVAN (POEZI) është dorëshkrim persisht i Hafiz Shemseddin Muhammed Shirazi me dekore të punuara me ar (viti 1456).
Nga koleksioni i dorëshkrimeve osmane, arabe e perse, përmendim edhe HADIKAT’US-SUADA (Bahçja e të përjetëshmve) 1888, TERXHYME-I MAKALAT (Përkthimi tregimeve) 1753, KELAM-I RABBANI (Fjala e Rabanit)1859, LELJA DHE MEXHNUNI, dorëshkrim i vitit 1803 në osmanisht, që është historia e një dashurie të pamundur.
LATINISHT
ILLYRICI SACRI, Tomus Septimus, Daniele Farlato, shtypur nga Sebastiano Coleti, Venedik MDÇCXVII(1817). Përmban historinë e dioqezave të krishtera të Ilirisë. Veç historisë kishtare, ofron informacion të pasur mbi historinë, gjeografinë, toponiminë, antroponiminë e zonave të banuara nga iliro-arbërorët, viti 1817.
CUNEUES PROPHETARARUM, Pjetër Bogdani, Shtypshkronja e seminarit në Padova, 1685.
Konsiderohet si e para vepër e letërsisë shqipe me cilësi të lartë artistike dhe letrare. Është një trajtesë teologjike botuar në shqip dhe në italisht. Mbulon fusha si filozofia, teologjia dhe shkencat ekzakte, duke u shtrirë ndonjëherë edhe në gjeografi, astronomi, fizikë dhe histori.
DE VITA IESU CHRISTI SALVATORIS MUNDI, Pjetër Bogdani, shtypshkronja e seminarit, Padova, 1685. Pjesa e dytë e CUNEUES PROPHETARARUM. Flet për ngjarje të Dhjatës së re, jetën, veprat dhe vdekjen e Jezu Krishtit në shqip dhe italisht.
BREVE TRATTATO GNOMONICO D’OROLOGI SOLARI, 1834. Dorëshkrim italisht, letër, 51 fletë nga kopist anonim. Traktat i shkurtër mbi orët diellore, ku shpjegohet ç’është ora diellore, si funksionon, si ndërtohet dhe si lexohet(1834).
ELEMENTI GRAMMATICALI DI LINGUA EPIROTICA PER USO DA MISSIONI DI EPIRO, dal R.P. Bonaventura da Francasilla, Min. Op.Della provincia di San Nernardino, ex missionario apostolico, 1862. Është dorëshkrim italisht në letër me 57 fletë, nga kopist anonim. Është gramatikë e gjuhës shqipe e përdorur në zonën e Shqipërisë së Jugut, nga misionarët e dërguar prej Selisë Apostolikë të Romës.