Ekspozita e rrallë e Ermal Selës me instrumentet Muzikore.
Ekspozita e rrallë e Ermal Selës me instrumentet Muzikore.
Interesi për lahutën. Sela: Lahuta e shqiptarëve dallon nga e popujve të tjerë nga përmasat, simbolika, figurat mitike dhe gdhendjet e artit arkaik popullor, duke ofruar pamje me interes dhe befasues.
Nga: Jaho Brahaj
“Një ekspozitë e rrallë me Instrumente Muzikore Tradicionale të grumbulluara nga Ermal Sela, muzikant, studiues dhe koleksionist i veglave popullore është çelur në Tiranë.
Ky thesar, i mbledhur me këmbëngulje prej vitesh nga Sela, është ekspozuar më 17 mars në Parkun Natyror të Liqenit Artificial të Tiranës. Ekspozita u çel me Nismën e Bashkisë Tiranë me rastin e Ditës së Verës. Ishte një ekspozitë vetëm disaorëshe për shkak se reliket rrezikojnë të dëmtohen nga agjentët atmosferikë. Por duhet përmendur se në këtë ekspozitë u zbulua një pasuri Etnokulturore e trashëguar nga të parët tanë, që s’duhet lënë jashtë vëmendjes.
Ne ekspozitë u prezantuan vegla muzikoe tradicionale frymore si Pipëza, Zymare, Zymare me rreshiq, Gajde, Cyle Dyjare, Fyell i gjatë (kaval i Gramshit), Fyeje të tjerë druri dhe metalik nga gjitha trevat mbarëkombëtare. Çifteli, Dyzen, Tamerr, Sharki, Llahuta të vjetra me shume interes etj. Një vend të rëndësishëm kishin edhe për vlerat që mbartin Instrumentet e vjetra: Lahuta Shqiptare. Këto instrumente, sidomos lahuta, tërhoqën vëmendjen e shumë vizitorëve nga vendi dhe të huaj që ishin mysafirë të kësaj ekspozite.
Megjithëse, për kushtet jo të përshtatshme në natyrë, Ermali ishte treguar seleksionues, duke mos ekspozuar edhe disa lahuta te moçme që koha i ka vjetruar dhe agjentët atmosferikë mund t’i dëmtonin. Por duhet të theksojmë se lahuta është një nga veprat më të rralla të artit muzikor shqiptar dhe sipas studiuesit dhe koleksionistit Sela, ka dhe veçoritë e saj që përligjin vlerat e saj.
“Lahuta përfaqëson arketipin më të lashtë të veglave kordofone me hark në kontinentin europian, ku sipas studiuesve lahuta ka vjetërsi Iliro – Arbërore, e cila vjen në ditët tona e pa ndryshuar.”, shkruan Sela duke kujtuar ndër të tjera se “Lahuta ka pasur dhe ka një jetë aktive tek shqiptarët, të cilët jetojnë në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi. Lahuta e përdorur nga Shqiptarët dallon nga Lahuta e popujve të tjerë nga përmasat, simbolika, figurat mitike dhe gdhendjet e artit arkaik popullor, duke ofruar pamje me interes dhe befasuese.”. Sela kujton se “Eposi i Kreshnikëve dhe Lahuta janë monumenti më i madh i poezisë gojore shqiptare.”
Gazeta Shqiptarja.com