Ekspozita “Exploring the invisible” sjell mbi 40 portrete për qenien njerëzore. –
Ekspozita “Exploring the invisible” sjell mbi 40 portrete për qenien njerëzore. –
Ekspozita “Exploring the invisible” me punime të piktorit të njohur Ilir Pojani u çel për publikun në galerinë e artit “Kalo”. Ekspozita që vjen për publikun përmes portreteve dhe është kuruar nga Ardian Isufi, i cili vlerëson jo pak punën e autorit të saj. Me punën e tij, piktori Ilir Pojani është i njohur për publikun duke u prezantuar edhe në të tjera ekspozita. Kjo është e para ekspozitë personale në galerinë e artit “Kalo”, dhe përmban mbi 40 piktura, që janë realizuar prej tij. Kuratori Ardian Isufi për ekspozitën “Exploring the invisible” (Të eksplorosh të padukshmen” tregon se janë punime të realizuar pas vitit ’90. Një pjesë e pikturave të prezantuar në ekspozitë janë pjesë e koleksionit të galerisë. Kuratori Ardian Isufi shprehet se nëse analizojmë krijimtarinë e piktorit Pojani, përgjatë viteve duhet njohur fillimisht rrugëtimi i jetës së tij në trajektoren ndërmjet Shqipërisë dhe Amerikës. “Dy botë të ngjizura në artin e tij, ndërmjet situatave lokale dhe globale. Ilir Pojani në veprën e tij është i interesuar në mënyrë konstante për ekzistencializmin e qënies humane me të gjitha misteret që ajo përmban dhe shpesh në forma trashedentale na ofron pikturën e mjeshtrave të mëdhenj si Velazquez, Goya, El Greco etj, të rikontekstualizuara në tendencat dhe orientimet e artit bashkëkohor nëpërmjet një gjurme të re piktorike dhe shkujdesje konceptuale”, shprehet kuratori për pikurat e Pojanit. Sipas kuratorit Ardian Isufi, piktura dhe vizatimi janë mediume që evidentojnë qëndrimin e tij artistik edhe ndaj trashëgimisë kulturore. “Piktura dixhitale, vizatimi dhe fotografia janë mediume që jo vetëm pasurojnë krijimtarinë e tij, por edhe evidentojnë qëndrimin e tij artistik ndaj peisazhit urban të trashëgimisë kulturore botërore si dhe kompozimeve komplekse duke “eksploruar të padukshmen” me figuracionin qendror njeriun”, vijon kuratori Ardian Isufi për ekspozitën në galerinë “Kalo”.
Aktiviteti i artistit
Iilir Pojani u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura. Filloj karrierën e tij artistike si një ndër grafistët kryesorë në revistën satirike Hosteni. Në kohën e lirë gjithnjë ka punuar shumë në figura, që prej karikaturave filluan të merrnin forma pikturash të mirëfillta. Më 1984, u shkëput nga revista Hosteni, dhe ju dedikua tërësisht pikturës së tij, punimet e tija janë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga realizmi i interpretuar nëpërmjet karikaturës dhe deri tek abstraktja.
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Iliri Pojani u punësua si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Punimet e tij janë ekspozuar në Shqipëri, Turqi, Greqi, Gjermani, Francë dhe Zvicër. Gjithashtu ka marrë pjesë në një ekspozitë organizuar nga një grup artistësh shqiptarë në New York, Janos Gat Gallery. Veprat e tij ndër vite janë të realizuara me një teknikë të përsosur dhe ruajnë freski. Ciklet e tij, apo më saktë veprat e Pojanit, i kushtohen njeriut dhe pushtetit, duke preferuar tablo me pak figura, të cilat interpretohen dhe stilizohen, e shpesh kthehen edhe në simbole apo dhe shpalosin heshturazi vizione, mundësi, analiza vetjake të artistit mbi historinë apo fenomene të caktuara. Me aktivitetin e tij ka marrë pjesë në konkurse ndërkombëtare të karikaturës (Turqi, Kanada, Bullgari) dhe vlerësohet me çmime të rëndësishme (çmimin e 3-të në Sallonin Ndërkombëtar të Karikaturës, Montreal, Kanada, Çmim nderi në Festivalin e I-rë Ballkanik të Karikaturës, Athinë, Greqi).
Nga: Julia VRAPI