Ekspozita me foto nga arkivi i Dhimitër Vangjelit në Prishtinë
Në Muzeun e Kosovës, Prishtinë, u çel ekspozita “Dhimitër Vangjeli një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar”. Ekspozita u çel në kuadër të kalendarit të përbashkët Shqipëri-Kosovë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore dhe Bashkinë Kolonjë. Emri i Dhimitër Vangjelit është pothuajse i panjohur në historinë e fotografisë shqiptare dhe pse fotot e tij i gjejmë të pasqyruara në botimet më të rëndësishëm që në vitet ’20-të, por mjerisht pa përmendur autorin. Në regjistrat e kohës të fillim shekullit të 20-të, Kolonja nuk ka të evidentuar fotograf dhe Dhimitër Vangjeli ishte i rregjistruar si sheqerxhi. Në një foto të ruajtur, jo nga fondi i negativave, por e ristampuar, gjejmë tabelën e dyqanit, ku shkruhet: Hembeltore. Orendreqes dhe fotocrafia. Dimiter K. Vangjel. Profesionin e ushtroi prej disa dekadash, u kujdes dhe e ruajti me dashuri për të na e lënë si trashëgimi të vyer e të papërsëritshme. Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore dispononte të dhëna se në fondin e Muzeut Historik Ersekë në fundin e viteve ’60 të shekullit të kaluar, ishin depozituar për ruajtje rreth 1300 negativë në xham të arkivit të fotografit kolonjar Dhimitër Vangjeli. Fondi i negativëve i ishte blerë familjarëve të fotografit dhe ishte marrë në ruajtje nga Bashkia Kolonjë, pasi rrezikonte shkatërrimin pas vdekjes së Dhimitër Vangjelit, por asnjëherë nuk u regjistrua si fond në inventarët e muzeut apo bashkisë, askush nuk e vlerësoi apo studioi, por mbeti i mbyllur në një valixhe të vjetër dhe arkë municionesh, dhe e njohën vetëm një grup i vogël njerëzish. Kaloi aq shumë kohë sa u përhapën legjenda nëse ekziston vërtet ky arkiv i çmuar apo jo. QKIPK, në përmbushje të misionit për krijimin e Inventarit Kombëtar të Pasurive Kulturore, bëri të mundur zbulimin, inventarizimin dhe rregjistrimin në databazën kombëtare të fondit të rrallë të fotografive negativë në xham nga krijimtaria e fotografit Dhimitër Vangjelit, si një nga personalitetet e artit të fotografisë të realizuar në Shqipëri. Tashmë mund të themi se ky fond është i shpëtuar dhe i sigurt dhe i përcillet publikut jo më si një legjendë urbane. Albumi “Kolonja përmes fotografisë së Dhimitër Vangjelit”, do të krijojë për publikun shqiptar dhe të huaj mundësinë e njohjes, vlerësimit dhe popullarizimit të kësaj pasurie kulturore si pjesë shumë e rëndësishme për jetën qytetare të fillim shekullit 20-të, në një nga qendrat e zhvillimit të kulturës shqiptare për atë periudhë.