Ekspozita “Merkaba II”, me punime të artistit Pëllumb Rira. –
Ekspozita “Merkaba II”, me punime të artistit Pëllumb Rira
13/10/2019
Pëllumb Rira është skulptor, piktor, qeramist, i cili vjen nga një familje me tradita në artin pamor. Këtë herë për publikun ai hapur ekspozitën “Merkaba II”, në zhanrin qeramikë (qeramika monumentale e interierit dhe eksterierit). Për piktorin e njohur Skënder Kamberi krijimtaria e Pëllumb Rirës është moderne në rrymat e artit bashkëkohor. “Motivi bazë i koncepteve të tij krijuese është bota e artit, krijuar në formë, në plastikë, në koloritin e tij, të një ngjyre të kthjellët, që kalon nga e ftohta e jeshiles dhe nuancave të tjera të panumërta në blu, në tonet e përziera me nuancat infinite të ngjyrës jeshile dhe me plastikën, që marrin ngjyrat e plota nga fantazia e figurave femërore, si dhe figura të tjera njerëzore të përgjithshme, që Pëllumbi i ka të zemrës” pohon piktori Kamberi. Prezantimi i qeramikës nuk është i rastit, ajo vjen si traditë shekullore dhe ka shoqëruar njerëzimin në të gjitha fazat e kulturës së tij historike, aq sa duket se ajo ishte mjeti parësor, që i përgjigjej kërkesave të tij. Temperimi nëpërmjet zjarrit e shndërroi funksionin e saj sa fizik aq edhe shpirtëror, duke marrë karakteristika të qenësishme.
Autori prej dy dekadash ka sfiduar veten duke eksploruar parimet dhe të fshehtat e kësaj gjinie, e cila shfaqet e shumëllojshme, si në plastikë ashtu edhe në ngjyrë, duke kultivuar personalitetin e vet. Në çdo hap ajo i ka treguar rrugë të reja, duke i krijuar profilin e një ambiguini të shndërrueshëm jashtë të zakonshmes. Gjurmët e krijimit të saj mbeten përfund gjurmë të udhëtimit shpirtëror, midis procesit të edukimit dhe procesit të ekzekutimit. Ky proces është njëkohësisht “Merkaba”-ja ose drita shpirtërore, që ka prekur përvojat e qytetërimeve dhe që jo pa qëllim prek autorin, si drita e frymëzimit. Në esencë kuptohen ndikimet dhe vëzhgimi i kujdesshëm, që autori ka me këto kultura ekzotike të Levantit, por edhe ndikimet e konceptit dhe formalizmit modern të kësaj gjinie. Nëpërmjet saj krijimtaria e autorit ka nisur dhe ecën si komunikim i pazëshëm së brendshmi, prandaj aty ndjehet lëvizja estetike për të siguruar shumë llojshmërinë e karakteristikave të veprave. Loja artistike përplas emëruesit e përbashkët makro me emëruesit mikro, volumet e mëdha dhe gamat me detajet dhe nuancat në tematikat e zgjedhura. Kompozimet në qeramikë sjellin një trajtim me parime monumentale për qeramikën e interierit, duke mos e parë këtë gjini si shoqëruese, por me një diapazon më imponues dhe më të pranishëm. Ekspozita e hapur te “Plaza”, u mirëprit nga artdashësit dhe nga artistët me në zë të arteve figurative.
Agjensia e Lajmeve Sot News